Zgjedhjet vendore, 57 parti në garë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar dje të regjistrojë zyrtarisht Partinë Socialiste si subjekt zgjedhor për garën elektorale për pushtetin vendor. Vendimi i KQZ-së vjen vetëm një ditë pasi selia rozë dorëzoi pranë këtij institucioni kërkesën për të qenë pjesë e zgjedhjeve të ardhshme, ashtu siç bënë thuajse edhe të gjitha aleatet e saja, të cilat shfrytëzuan të gjithë afatin ligjor që përcakton Kodi Zgjedhor. Ndaj, përveç PS-së, KQZ ka miratuar dje dhe një numër të konsiderueshëm forcash të tjera politike, duke e çuar në plot 57 numrin e subjekteve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme të 8 Majit. Më konkretisht dje KQZ ka miratuar kërkesat për regjistrim të Partisë Aleanca Arbnore Kombëtare, Partisë Mendimi i Djathtë Liberal, Partisë Aleanca për Mirëqenie dhe Solidaritet, Partisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, Partisë Kristian-Demokrate, Partisë Toleranca e Re e Shqipërisë, Partisë Aleanca Europiane Ekologjike, Partisë Rruga e Lirisë, Partisë Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet, Partisë Demokratike e Bashkimit Musliman, Partisë Bashkimi Popullor i Pensionistëve të Shqipërisë dhe Partisë së Pajtimit Kombëtar. Ndërkohë po dje KQZ miratojë edhe kërkesat e atyre partive që njihen si pjesë e Opozitës së Bashkuar, pra aleate të PS-së, si Partinë Demokracia Sociale, Partinë e Gjelbër, Partinë Socialiste të Vërtetë 91, Partinë Ligj dhe Drejtësi, Partinë Socialdemokrate, G99, PBDNJ-në. KQZ ka rrëzuar dje kërkesën e dy partive dhe një shoqate për t’u regjistruar, pasi ato nuk plotësonin dokumentacionin e nevojshëm. Pavarësisht kësaj, numri 57 i partive të regjistruara është më i madh se ai i zgjedhjeve të 2009-s, çka do të sjellë si pasojë dhe ndryshimin e fletës së votimit.