E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja e votave në 6 procese zgjedhore, ja si fitohet Himara

SHKRUAN: Dardan Malaj 10-03-2011 13:03

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Omonia qeverisin Bashkinë e Himarës, falë pazareve që i ofrojnë dy partitë kryesore. Shifrat më të fundit të testit elektoral të 28 qershorit 2009 ofrojnë panoramën e qartë, për nivelin e shpërndarjes së votave në territorin e Himarës. Vasil Bollano qeveris këtë njësi vendore që prej vitit 2003, ndonëse Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka më pak se gjysmën e votave të vlefshme. Zgjedhjet e vitit 2000 për pushtetin lokal mbeten shembulli i vetëm i një aleance kombëtare në Bashkinë e Himarës. Bashkëpunimi mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike bëri të mundur të dilte në pah mbështetja reale që ka në këtë

zonë Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Proceset e mëtejshme zgjedhore kanë dëshmuar për një defekt të madh të klasës sonë politike. E majta dhe e djathta, përtej interesave kombëtare nuk kanë reshtur së bëri aleancë me PBDNJ-në dhe Omonian, në dëm të shqiptarëve. Si pasojë e këtyre manovrave, përfaqësuesit e PS dh PD qëndrojnë në opozitë ndërsa PBDNJ dhe Omonia qeverisin me shifra qesharake të mbështetjes. Luks që e lejon më tej Vasil Bollanon dhe të tjerë si ai, të bëhen pjesë e incidenteve deri në përdhosje të simboleve tona kombëtare.

Zgjedhjet lokale 2000

Deri në zgjedhjet e pushtetit lokal në vitin 2000, kryetar i Bashkisë së Himarës ishte përfaqësuesi i Partisë Demokratike. Në procesin e këtij viti, në raundin e parë kandidati socialist, Viktor Mato, mori 32 % të votave dhe kandidati i PBDNJ-së Vasil Bollano 36 %. Përfaqësuesi i demokratëve mori një mbështetje më të vogël së socialistët duke i lënë dy të parët në balotazh. Pas këtij momenti dy forcat kryesore politike realizuan një koalicion lokal duke i mundësuar Viktor Matos (PS) fitoren e thellë në raundin e dytë.

Zgjedhjet parlamentare 2001

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, Himara bënte pjesë në zonën zgjedhore numër 97 së bashku me Lukovë, Brataj, Vranisht dhe Kote. Kandidati socialist Sabit Brokaj mori në këtë zonë elektorale që përfshinte edhe Himarën, 41.812% të votave. Përfaqësuesi i Partisë Demokratike Luter Nuraj mori 28.85% dhe kandidati i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Vasil Bollano 17.921% të votave. Bazuar në sistemin zgjedhor kandidatët e dy forcave kryesore politike kaluan në balotazh. Në raundin e dytë votat e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kaluan tek kandidati i socialistëve. Si pasojë e kësaj Sabit Brokaj rezultoi fitues me 59.736 % të votave kundrejt 40.264 % të kandidatit demokrat. Në proporcional në këto zgjedhje, PBDNJ-ja mori 16.559 % të votave.

Zgjedhjet lokale 2003

Në procesin e lokaleve të vitit 2003, Partia Demokratike bazuar në të dhënat e KQZ-së nuk figuron të ketë kandiduar në mazhoritar. Socialistët kanë marrë 882 vota, PDr 42, PDK 24, PDS 33, PSD 38. Sakaq kandidati Vasil Bollano nën siglën e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka marrë 1.317 vota ose ndryshe 56.38 %. Në proporcional subjekti PBDNJ ka grumbulluar 821 vota në këto zgjedhje. Çka lë të kuptohet qartë se Bollano është ndihmuar me votat e demokratëve.

Zgjedhjet parlamentare 2005

Në procesin zgjedhor të vitit 2005, PBDNJ vendosi të kandidojë Spiro Peçin por duke e cilësuar si të pavarur. Pas rindarjes territoriale të zonave zgjedhore, Himara tanimë bënte pjesë në zonën me numër 98. Bashkë me të ishin edhe Lukova, Vergo, Finiq dhe Delvinë. Një marrëveshje nën tavolinë bëri të mundur që socialistët të ishin inekzistent në këtë proces zgjedhor. Peçi grumbulloi 5234 vota, kandidati demokrat Arjan Dhimertika mori 3800 vota. Sakaq Nexhip Veliu për Lëvizjen Socialiste për Integrim grumbulloi 833 vota dhe Vladimir Demaj i Partisë Socialiste vetëm 252. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mori në proporcional në këto zgjedhje vetëm 1750 vota. Nga shifrat duket mëse e qartë se diferenca mes votave është meritë e bashkëpunimit të socialistëve përmes vendosjes së një kandidati fantazmë që nuk mori as 1/3 e votave të LSI-së.

Zgjedhjet lokale 2007

Në zgjedhjet e vitit 2007 për pushtetin lokal të majtët në koalicion kandiduan Aleks Taton që arriti të marrë 518 vota. Partia Demokratike u përfaqësua në zgjedhje me Dhimitri Llazari që mori 710 vota. Kandidati i LDLNJ-së Kosta Andruco mori 79 vota dhe Vasillaq Bollano i PBDNJ-së 1.264 vota. Në proporcional partia e Vangjel Dules mori pesë këshilltarë, LDLNJ-ja një dhe 11 të tjerë i takojnë si rregull partive jo minoritare. Subjekti PBDNJ mori në këtë proces në total 833 vota, pra një diferencë prej më shumë se 500 votash nga Bollano.

Zgjedhjet parlamentare 2009

Në zgjedhjet e vitit 2009 rezulton se në territorin e Bashkisë së Himarës janë hedhur për 16 partitë përbërëse të koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike një numër prej 696 votash. Ndërkaq, nëse rigrupojmë votat e partive aktuale në koalicionin e socialistëve duke përfshirë: PSV91, PDK, PLD dhe Partinë e Gjelbër në koalicion me PS dhe duke përjashtuar Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të kishim këtë pasqyrë votash: Partitë pjesë e koalicionit të drejtuar nga Lëvizja për Zhvillim Kombëtar kanë grumbulluar 10 vota. Koalicioni i drejtuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim mori një numër prej 46 votash ndërsa koalicioni i drejtuar nga Partia Socialiste (pa PBDNJ-në) grumbullon 1008 vota. Subjekti Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka arritur të marrë 669 vota.

Heqja e balotazhit, luks

për dominimin e Bollanos

Nga analiza e shifrave rezulton se shmangia e zgjedhjeve me dy raunde ka shkaktuar fuqizimin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe organizatës Omonia në Himarë. Kalimi në zgjedhje me shumicë të thjeshtë votash bëri të mundur fitoren e Vasil Bollanos në lokalet e vitit 2003. Mos kandidimi fare i përfaqësuesit demokrat ishte goditja më e madhe që mori procesi dhe interesi i zgjedhësve në shumicë shqiptare në këtë njësi vendore. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 deputeti Spiro Peçi u zgjodh me 48.62 % të votave duke qenë poshtë gjysmës. Në një rast balotazhi Peçi mund të mos zgjidhej në raundin e dytë. Por ashtu sikurse ndodhi PS me kandidatin fantazmë i dhanë mandatin Peçit. Edhe në vitin 2007, në zgjedhjet për pushtetin lokal Vasil Bollano mori vetëm 49.16% të votave. Nëse do të ishte raundi i dytë i zgjedhjeve edhe në këtë rast do të ishte bërë e vështirë fitorja e Bollanos për mandatin e dytë në drejtim të bashkisë.

Tabele

Votat e hedhura në Himarë

Zgjedhjet 2000

Balotazh

Viktor Mato (PS)

Vasil Bollano (PBDNJ)

Fiton: Viktor Mato

Zgjedhjet 2001

Raundi 1

Sabit Brokaj (PS) 41.81%

Luter Nuraj (PD) 28.85%

Vasil Bollano (PBDNJ) 17.921%

Raundi 2

Sabit Brokaj 59.73 %

Luter Nuraj 40.26 %

Zgjedhjet 2003

PD nuk garon në mazhoritar

Jorgo Goro (PS) 882 vota

Vasil Bollano (PBDNJ) 1317 vota

PBDNJ në proporcional mori 821 vota

Zgjedhjet 2005

Arjan Dhimertika (PD) 3800 vota

Vladimir Demaj (PS) 252 vota

Nexhip Veliu (LSI) 833 vota

Spiro Peçi (i pavarur) 5234 vota

PBDNJ në proporcional mori 1750 vota

Zgjedhjet 2007

Aleks Tato (PS) 518 vota

Dhimitri Llazari (PD) 710 vota

Kosta Andruco (LDLNJ) 79 vota

Vasil Bollano (PBDNJ) 1.264 vota

PBDNJ mori në proporcional 833 vota

Zgjedhjet 2009

Koalicioni i PD 696 vota

Koalicioni LZHK 10 vota

Koalicioni LSI 46 vota

Koalicioni PS 1008 vota

PBDNJ 669 vota

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›