Zgjedhjet vendore/ KQZ miraton rezultatin në Tiranë dhe Durrës, Veliaj dhe Sako kryebashkiakë për 4 vitet e ardhshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar tabelat përmbledhëse zgjedhore për Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit, duke konfirmuar fitues përkatësisht Erion Veliajn dhe Emiriana Sakon.
Në mbledhjen e zhvilluar këtë të diel (21 maj), kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi bëri me dije se në Tiranë në total ishin 11939 vota të pavlefshme, 339 të hedhura gabim, ndërsa të vlefshme ishin 209446 vota. Po ashtu u miratua edhe rezultati i votimit sa i takon përbërjes së Këshillit Bashkiak.
Në Durrës u gjetën 2773 vota të pavlefshme, 120 ishin të hedhura gabim, ndërsa vota të vlefshme ishin 86757.
Erion Veliaj, kandidat i Partisë Socialiste, korri një fitore të thellë zgjedhjet vendore të 14 majit. Veliaj mori 54.69% të votave, ndërsa pas tij ishte kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi, i cili mori 34.58% të votave. Edhe në Këshillin Bashkiak, Partia Socialiste mori shumicën, 34 mandate, ndjekur nga “Bashkë Fitojmë” me 15 mandate, PD me 4 mandate dhe PSD me 3 mandate. Lëvizja Bashkë, Nisma Thurje, PDIU, LZHK dhe PR kanë marrë nga 1 mandat.
Në Durrës Emiriana Sako, po ashtu kandidate e PS, mori 55.57% të votave, duke mundur në këtë garë elektorale kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara, i cili mori 44.43% të votave. Edhe në Këshillin Bashkiak Durrës, PS gëzon shumicën me 28 mandate, ndjekur nga “Bashkë Fitojmë” me 13, PD me 5 mandate, PAA me 3 mandate dhe PSD e PDIU me nga 1 mandat.
/rtsh.al/