E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet vendore Kryesia e PS miraton sot kandidatët

TIRANE- Partia Socialiste pritet te mbledhë sot pasdite kryesinë e saj për të vendosur për listën përfundimtare të kandidatëve për kryetarë komunash dhe bashkish në të gjithë vendin. Tashmë pothuaj edhe zonat e lira për aleatët janë përcaktuar, ndaj PS-së i duhet të zyrtarizojë kandidatët deri në datën 28 mars, kur është edhe afati i fundit i regjistrimit të tyre në KQZ.

Gazeta Shqiptare duke iu referuar burimeve zyrtare nga PS-ja shkruan se bashkitë kryesore thuajse janë përcaktuar, ku në të shumtën e rasteve do të ketë rikandidime të kryetarëve aktualë, siç është Tirana, me Edi Ramën, Elbasani me Qazim Sejdinin, Durrësi me Vangjush Dakon, Fieri me Baftjar Zeqon, Korça me Niko Peleshin. Nga ana tjetër duket se edhe në grupin parlamentar të PS-së do të ketë ndryshime, pasi ditët e fundit deputeti i Lushnjës, Fatos Tushe është vendosur për të kandiduar si kryetar i Bashkisë së këtij qyteti e në vend të tij, grupit parlamentar do t’i shtohet Arion Muçaj, kryetar i socialistëve të Fierit. Bashkia e Shkodrës ende nuk ka ndarë kandidatin e saj socialist që do të konkurrojë në këto zgjedhje.

Probleme janë paraqitur në një sërë njësish të tjera ku ka pasur kandidatura të shumta dhe gjithashtu qejfmbetje. Megjithëse kreu i PS-së, Edi Rama u ka kërkuar deputetëve që të mundohen t’i sheshojnë pakënaqësitë që në bazë, duket se kjo gjë nuk është arritur në të gjithë territorin.
Kryesia e PS-së do të diskutojë edhe në lidhje me qëndrimet e mëtejshme politike të partisë, pas ftesës së fundit bërë nga Astrit Patozi për tu ulur në tryezë të përbashkët për zgjedhjet e 8 majit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›