Hapen kutitë në Shkodër: Asnjë manipulim votash

Hapjen e kutive opozita e përdori për të kushtëzuar jo vetëm funksionimin normal të Kuvendit, por edhe vizat, ndërkohë që në Shkodër është dhënë prova e parë e hapjes së kutive dhe mungesës së manipulimit të votave. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Shkodrës, e cila ka nisur nga një kallëzim i demokristianit Nard Ndoka, hapi kutitë për katër qendra votimi. Ndoka pretendoi se PD i kishte grabitur të paktën një mandat në Shkodër e nën këtë frymë bazoi edhe kërkesën për dorëheqje të Kryeministrit Berisha. Madje, bashkë me kallëzimin, PDK depozitoi dhe dy CD me pamje filmike të procesit të numërimit që, sipas tij, tregonin parregullsitë në proces bashkëshoqëruar edhe nga procesverbalet dhe tabelat e rezultateve. Por ky dokument i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, me nr. protokolli 8990 dëshmon të kundërtën. Hapja e kutive nga organi i akuzës prodhoi rrëzimin e pretendimeve të demokristianit Ndoka e për rrjedhojë pushimin e çështjes. Prokuroria, pasi ka hetuar çështjen që përfshiu dy KZAZ të Shkodrës, atë me numër 40 dhe 42, pasi sekuestroi dhe hapi kutitë e votimit të katër qendrave të votimit, thekson se nuk ekzistojnë elemente të veprës penale të falsifikimit të dokumenteve dhe rezultatit të zgjedhjeve e për këtë arsye ajo vendosi, të paktën për Shkodrën debati mund të quhet i mbyllur. Verdikti i organit të akuzës hodhi poshtë çdo dyshim për manipulim. Por ç’do të kishte ndodhur sikur kryetari i PS-së do të kishte ndjekur të njëjtën formë hetimi sikurse demokristiani Ndoka, një sugjerim që Kryeministri Berisha ia bëri që prej shtatorit të vitit 2009, si një nga rrugët e ligjshme për të shkuar te hapja e kutive. Me siguri sot do të kishim të qartë fatin e fletëve të votimit për të gjitha zonat ku Rama pretendon se mazhoranca ka bërë manipulim. Por mbi të gjitha do të kursehej gjithë kjo kohë e humbur për të ashtuquajturën kauzë që u keqpërdor për interesa politike.