E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet vendore, test për demokracinë

MUSA ULQINI

Në një republikë parlamentare si Shqipëria, partitë politike janë shtyllat kryesore të sistemit politik. Funksionimi demokratik i partive politike në një republikë parlamentare është parakusht thelbësor për funksionimin demokratik të vetë shoqërisë. Zgjedhjet vendore apo të përgjithshme, që zhvillohen në mënyrë periodike, shërbejnë jo vetëm si test i demokracisë brenda partive politike, por edhe si test për funksionimin demokratik të shoqërisë.
Është thelbësore që partitë politike ti vlerësojnë zgjedhjet vendore të 8 majit në optikën e demokracisë. Sepse vetëm në këtë mënyrë mundësohet rritja e besimit të qytetarëve tek partitë politike, që sjellin rritjen e nivelit të pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin demokratik. Në Shqipëri, besimi i qytetarëve tek partitë politike dhe pjesëmarrja e qytetarëve në procesin demokratik (pjesëmarrja në votime etj) është sot në nivelet më të ulëta të periudhës së tranzicionit demokratik.
Sipas sondazheve të organizuara nga qendra të specializuara brenda dhe jashtë vendit, besimi i qytetarëve tek partitë politike është në nivele shumë të ulëta dhe në rënie të vazhdueshme. Sipas sondazhit të Gallup, 64.8% e të anketuarve në Shqipëri kanë vetëm pak ose aspak besim tek partitë politike, (Gallup Balkan Monitor,nëntor 2010). Ndërsa sondazhi i kryer nga një OJF shqiptare për vitin 2010, i rendit partitë politike ndër institucionet më pak të besuara në vend nga publiku i gjerë. Partitë politike renditen në vendin e 13, nga 15 institucionet kryesore të vendit (Sondazh IDRA 2010). Pjesëmarrja e qytetarëve në votime është treguesi më thelbësor i angazhimit të tyre në procesin demokratik. Sipas buletineve të KQZ-së, pjesëmarrja në votime, nga zgjedhjet e para pluraliste në zgjedhjet e fundit elektorale, është ulur me 47.43%. Kjo pjesëmarrje e ulët cënon rëndë thelbin e përfaqësimit politik. Kështu, koalicioni që qeveris sot vendin përfaqëson vullnetin e vetëm 25.8% të shqiptarëve të listuar në listat zyrtare të zgjedhjeve elektorale të vitit 2009. Ndërsa koalicioni që qeveris sot këshillin bashkiak në bashkinë më të madhe të vendit, Tiranën, përfaqëson vullnetin e vetëm 15.53% të zgjedhësve të listuar në listat zyrtare të zgjedhjeve vendore të vitit 2007.
Zgjedhjet vendore të 8 majit janë rasti i duhur që partitë politike të investojnë demokraci si brenda tyre ashtu dhe në shoqëri. Partitë që dëshmojnë respekt publik për standardet demokratike, kanë më shumë shanse për mbështetjen e qytetarëve. Të paktën tri janë çështjet themelore, ku partitë politike duhet të kenë një raport të qartë me standardet demokratike: përzgjedhja e kandidatëve, konkurrimi me alternativa, transparenca e financimit të fushatës zgjedhore.
Përzgjedhja e kandidatëve
Mënyra e përzgjedhjes së kandidatëve është një test i mënyrës demokratike të funksionimit të partive politike. Në botën demokratike, përzgjedhja e kandidatëve për njësitë e qeverisjes vendore konsiderohet shkollë e vërtetë e funksionimit të demokracisë. Partitë i zgjedhin kandidatët mbi bazën e kritereve e standardeve demokratike, të cilat bëhen kurdoherë publike. Diskutimi i kandidaturave është gjithëpërfshirës dhe transparent. Kandidatët konkurrues ftohen të paraqesin përpara forumeve që i përzgjedhin programet  e tyre elektorale. Përzgjedhja e kandidatëve merr gjithë kohën e nevojshme. Përcaktues në përzgjedhjen e kandidatëve është vota e fshehtë e anëtarësisë së njësive të qeverisjes vendore. Publiku i gjerë ndjek me vëmendje të veçantë procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për njësitë e qeverisjes vendore dhe mediat  i kushtojnë gjithë hapësirën e duhur këtij procesi. Ky proces vlerësohet nga partitë, publiku dhe mediat si parakusht i fitores në zgjedhje. Në datën 27 mars është afati i fundit kur partitë politike, të regjistruara në KQZ si subjekte zgjedhore, duhet të regjistrojnë kandidatët për kryetarë komune apo bashkie dhe listat e kandidatëve për këshillat vendorë pranë KZAZ-ve që mbulojnë njësitë e qeverisjes vendore. 56 partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, vetë ose të grupuara në koalicione, duhet të paraqesin në këtë datë kandidatët e tyre për 11 njësitë bashkiake të Tiranës, 308 komuna e 57 bashki në të gjithë vendin. Është fjala për qindra e qindra kandidatë për kryetarë të njësive të qeverisjes vendore e mijëra kandidatë për këshillat vendore. Përzgjedhja e kandidatëve për njësitë e qeverisjes vendore është sfida më e madhe e partive politike në Shqipëri, për shkak të numrit të madh të kandidatëve dhe specifikës së secilës prej 376 njësive të qeverisjes vendore. Ndërsa mediat kanë ditë e javë që publikojnë emrat e kandidatëve të partive kryesore për shumicën e bashkive e komunave të vendit, partitë politike nuk kanë bërë publike kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve. Nga 56 partitë e regjistruara si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e 8 majit, vetëm PS-ja publikoi në 11 mars kriteret për përzgjedhjet e kandidatëve. Në mediat e shumta vizive dhe të shkruara, mungon informacioni për debatet që zhvillohen në partitë politike për përzgjedhjen e kandidatëve. Nuk ka as edhe një rast të vetëm të bërë publik kur kandidatët konkurrues ftohen të paraqesin përpara forumeve që i përzgjedhin programet e tyre elektorale. Në zgjedhjet vendore të vitit 2007, një praktikë e tillë rezultoi e suksesshme në qytetin e Tiranës kur kandidatët e PS-së për kryetarë të njësive bashkiake paraqitën para anëtarësisë së partisë së këtyre njësive programet e tyre elektorale dhe anëtarësia u ftua që me votë të fshehtë të përcaktonte kandidatët kryesorë konkurrues. Tashmë të gjitha partitë politike kanë hequr dorë nga standardi i votës së fshehtë të anëtarësisë, në përzgjedhjen e kandidatëve të njësive të qeverisjes vendore. Përzgjedhja e kandidatëve të komunave e bashkive është atribut vetëm i kryetarëve të partive, të cilët sa i shpallin këto lista formalisht në kryesitë e partive të tyre. Si rregull, listat e kandidatëve për kryetarë të njësive të qeverisjes vendore dhe listat e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-të përkatëse në minutën e fundit të afatit ligjor!
Konkurrimi me alternativa
Zgjedhjet e 8 majit janë zgjedhje vendore. Siç e shpjegon në librin e tij politikani veteran i Kongresit Amerikan, Tip ONeill, politika në çdo rast është vendore. Aq më tepër kjo vlen për zgjedhjet administrative. Edhe Kushtetuta e Republikës e shpreh mjaft qartë kontekstin vendor të zgjedhjeve administrative. Konkurrimi me alternativa konkrete është tipari thelbësor i çdo fushate elektorale e referendumi popullor, por zgjedhjet për komunat e bashkitë nuk mund të perceptohen pa një ballafaqim konkret alternativash mes kandidatëve. Në qendër të debatit, në zgjedhjet vendore, janë tërësisht problemet e përditshme të rëndomta dhe jetësore të komuniteteve dhe të qytetarëve.  Fushatat në zgjedhjet vendore zhvillohen tërësisht për problemet vendore. Kështu funksionon ky proces zgjedhor në demokracitë përfaqësuese.
Fushata për zgjedhjet vendore të 8 majit zyrtarisht fillon në fund të muajit mars. Deri më sot mediat dhe faqet zyrtare të partive kryesore politike nuk kanë publikuar asnjë lloj informacioni për punën përgatitore për hartimin e programeve elektorale të partive politike e kandidatëve konkurrues, për asnjë njësi të qeverisjes vendore. Nuk ka asnjë të dhënë për debatet që zhvillohen(nëse ka të tilla) në shtabet elektorale të partive kryesore politike,as për Tiranën, bashkinë më të madhe të vendit. Asnjë parti politike nuk ka iniciuar asnjë debat brenda forumeve të saj për alternativat me të cilat do konkurrojë për të fituar bashkitë e komunat në shkallë vendi. Edi Rama dhe koalicioni që ai udhëheq, këmbëngulin që zgjedhjet vendore të 8 majit kanë karakter tërësisht politik, ato vlerësohen si referendum popullor për largimin e Kryeministrit Berisha. Me këtë alternativë do të bëjnë fushatë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›