Zgjedhjet, vritet simpatizanti i LSI në një QV në Laç, shpallen në kërkim 7 persona

TIRANE- Zgjedhjet e përgjithshme të 23 qershorit 2013 janë të tetat që zhvillohen në Shqipëri, që nga vendosja e sistemit pluralist politik në vitin 1991. Shqiptarët vendosin me votë për ata që do na qeverisin në 4 vitet e ardhshme. Procesi i votimit ka nisur që në orën 7:00 të 23 Qershorit, për t’i dhënë popullit të drejtën të vendosë me votë për 140 parlamentarët e rinj. Simbolikisht kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi ka hapur qendrën e votimit tek Akademia e Arteve, aty ku edhe ka votuar.
3 milionë e 271 mijë e 885 zgjedhës janë thirrur për të votuar. Procesi i votimit ka nisur normalisht në shumicën e qendrave të votimit, ndërkohë që në disa prej tyre ka patur vonesa dhe incidente të vogla.
Rreth orës 09:00 një ngjarje e rëndë ka ndodhur pranë një qendre votimi në gjimnazin “At Shtjefën Gjeçovi” Laç, ku janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Sipas policisë, një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur. Mësohet se i vdekur ka mbetur simpatizanti i LSI-së, Gjon Gjoni. Në këtë incident mbeti i plagosur edhe kandidati i PD-së, Mhill Fufi. Për ngjarjen ende asnjë i ndaluar, policia shoqëron 7 persona si dëshmitarë.
INCIDENTE NË TIRANË, LUSHNJE, SARANDË
Ora 17:30 Një zonjë është ndaluar pasi ka tentuar të votojë me kartë identiteti e cila dyshohet si e falsifikuar.
Incidenti ka ndodhur në shkollën ‘Misto Mame’, ku gazetari Spartak Koka raporton se zonja është bllokuar tek qendra e votimit 1932/1 në Tiranë.
Kartën e mbante një zonjë me iniciale V.O, e cila pasi është ndaluar nga efektivët e policisë, ka deklaruar se karta e identiteti kishte probleme pasi e ksihte larë padashje.
Ndërkohë, në Lushnje policia ka nisur procedimin penal ndaj shtetasit Elion Dani. Burime nga policia e Lushnjes bëjnë me dije se Elion Dani dhunoi A.F 21 vjeç për të votuar për Partinë Socialiste.
Sarandë, mbyllet qendra e votimit në fshatin Kalcat me urdhër të KQZ Kreu i Komunës Livadhja, Dalani ndërroi vendin e qendrës së votimit pa pëlqimin e komisionarëve.
NË 12 BURGJE KANË VOTUAR 90% E TË BURGOSURVE
Ora 17:32 Procesi i votimit në 12 burgje nga 20 është pothuajse drejt përfundimit. Deri në orët e pasdites në 12 burgjet në vend kanë votuar 90% e të burgosurve.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se një nga problemet që janë hasur në burgjet dhe paraburgimet në vend ka qenë mungesa e kartave të identitetit.
Rreth 30 persona nuk kanë mundur të votojnë pasi i kanë pasur kartat të bllokuara nga Prokuroria për shkak të procesit hetimor.
ORA/17:24 -QARKU LEZHE/PJESMARRJA NE VERI DERI NE OREN 16:00
Mirdita 45%
Kurbini 30%, Lezha38%
Komuna Shënkoll, 32%
Komuna Zejmen 37%
Pjesëmarrja në Balldren 30%
Dajç 30%, Blinisht 30%
Pjesëmarrja në Kolsh 33%
Ungrej 41%
Kallmet 28%
Shëngjin 41%
GODITET KOMISONERI I PS NË KAMËZ
Ora 17:20 Goditet komisioneri i PS-së në Bathore, Kamber Deluli. Kandidati për deputet i PS-së, Pjerin Ndreu, denoncoi lajmin në "News 24", teksa ka akuzar kreun e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu për kërcënim.
“Tek shkolla “Ahmet Zogu” në Bathore lagjia 6, procesi ka qenë normal deri se kryetari i Bashkisë në shkelje të ligjit tenton të hyje brenda dhe fyen dhe kërcënon. Komisioneri i ka kërkuar të largohet, por është goditur nga bodigardi i Xhelal Mziut”, tha Ndreu.
KORÇË, VËZHGUESI SHOQËRON NJË TË VERBËR, GODITET NGA 1 KOMISIONER
Ora 17:16 - Incident në një qendër votimi në qytetin e Korçës. Një vëzhgues është përpjekur të ndihmojë një të verbër për të votuar, duke shkarkuar debate në qendrën e votimit. Mësohet se njëri prej komisionerëve ka reaguar ashpër, duke goditur me shkelma vëzhguesin.
LSI: TË PËRKUSHTUAR PËR TË GARANTUAR VOTËN E ÇDO QYTETARI
Ora 16:35 - Lëvizja Socialiste për Integrim siguron qytetarët se do të jetë garante e votës së tyre, gjatë gjithë procesit të votimit dhe numërimit të votave. Në emër të LSI-së, Erisa Xhixho u bëri thirrje qytetarëve që nuk kanë votuar ende, që tu drejtohen qendrave të votimit, siç tha ajo, “për tu bërë pjesë e fitores plebishitare të opozitës”.
“Pavarësisht rastit tragjik të humbjes së jetës së një qytetari të pafajshëm në Laç, ne jemi besimplotë se qytetarët e Laçit dhe gjithë Shqipërisë janë të vendosur për të votuar. Sot secili prej tyre mund të bëjë ndryshimin që presim. Duke denoncuar çdo incident që cënon standardet e zgjedhjeve ne ftojmë dhe inkurajojmë akoma më shuam shqiptarët, që të shkojnë të votojnë të lirë dhe të shprehin vullneti e tyre. LSI do të jetë e përkushtuar për të garantuar votën e çdo qytetari shqiptar”,- deklaroi Xhixho.
BERAT, KAPET NJË PERSON DUKE FOTOGRAFUAR VOTËN
Ora 16:20 – Një votues është kapur duke fotografuar votën në qendrën e votimit 3237 në Berat. Komisioni vendosi ta quajë të pavlefshme votën e fotografuar.
PS THIRRJE LAÇIANËVE: MOS KINI FRIKË, DILNI VOTONI
Ora 16:15 Partia Socialiste, pak orë para mbylljes së qendrave e të votimit në mbarë vendin i ka bërë thirrje shqiptarëve veçanërisht laçianëve, të dalin pasivisht në votime, për të vendosur për fatin e tyre dhe të një gjenerate të tërë.
Përfaqësuesi i PS-së, Florion Seriani bëri thirrje që askush të mos frikësohet, por të votojë për veten dhe familjen.
“Edhe tre orë për të vepruar me votë populli sovran. Edhe tre ore për të mos humbur mundësinë e madhe për të vendosur fatin e vendit. Vota është respekt për ata që votuan për lirinë e saj , është respekt për vetën dhe vendin, edhe tre orë për të votuar për një gjeneratë. Shfrytëzoni mirë këto orë për të votuar për motrat dhe vëllezërit se nuk kanë ardhur për të votuar”, tha Florion Seriani.
“Mesazh i veçantë për qytetarët e Laçit dhe Kurbinit. Qytetarë votoni, votoni, votoni. Viktima e pafajshme kishte ardhur nga Greqia për të votuar, votoni dhe për të, votoni pa frikë se askush nuk iu prek njeri, votoni, votoni, votoni”, theksoi Seriani.
PALOKA: PS PO KRIJON INCIDENTE
Ora 16:03 - Deputeti demokrat Edi Paloka akuzon PS-në se po krijon incidente me qëllim që të kontestojë zgjedhjet.
“Një incident nuk do të cënojë zgjedhjet. Rama do t’i kontestojë këto zgjedhje”,- deklaroi Paloka.
TAHIRI: EDI PALOKA KËRCËNON ME JETË KREUN E KZAZ NË KOMBINAT
Ora 15:45 Kërcënohet me jetë Ansatas Meci KZAZ numër 35 në Kombinat. Lajmi konfirmohet nga kreu i PS-së për Tiranën Saimir Tahiri, i cili denoncon lajmin për mediat, Ansatas Meci përfaqësues i PS në këtë qendër votimi është kërcënuar me jetë.
Sipas Tahirit, përfaqësuesi i PS-së, është kërcënuar me jetë nga kandidati për deputet i PSË-së, Edi Paloka. Tahiri thekson se PS do të bëjë kallëzim në polici për ngjarjen.
BLLOKOHET VOTIMI NË FSHATIN SKËNDERBEGAS GRAMSH
Ora 15:36 - Bllokohet votimi në fshatin Skënderbegas të Gramshit, pasi vëzhguesi i PD-së Bajram Kllogjri ka kërkuar pezullimin e procesit. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se Kllogjri kërkoi pezullimin e votimit pa asnjë shkak ligjor.
HIMARE/12 AUTOBUSA ME EMIGRANTË TË ORGANIZUAR PËR TË VOTUAR PS
Ora 15:36 Gazetari Artan Hoxha raporton nga Himara se votimi në 17 qendrat e votimit ka nisur rregullisht që në mëngjes. Ndërkohë, që 12 autobusa janë organizuar nga Greqia për të votuar PS dhe 8 për të votuar PBDNJ.
Pjesëmarrja deri në orën 14:00 kap shifrën 11-12%, ashtu si dhe në vitin 2009 ku pjesëmarrja ka qenë në të njëjta shifra. Ndërkohë që në zgjedhjet vendore të 2011, ka qenë më e lartë rreth 15%.
PROKURORIA: KASTRIOT FUFI E ENVER CURRI NË KËRKIM, POLICIA E LEZHËS E MOHON
Ora 15:15 Drejtori i Policisë së Qarkut Lezhë mohon lajmin e shpalljes në kërkim të shtetasve Kastriot Fufi dhe Enver Curri. Hajdarmataj thekson se këta dy shtetas bashke me persona të tjerë po merrn në pyetje si dëshmitarë okularë, pasi kanë qenë prezent në momentin e vrasjes.
Kastriot Fufi është kushëriri i dytë i kandidatit për deputet i kandidat për deputet i PS-së Mëhill Fufi. Ndërkohë, Enver Curri është kunati i komisionerit të LSI, i cili mbeti i vdekur mëngjesin e sotëm Gjin Pjetër Gjoni .
Gazetarja Klodiana Lala raporton se Prokuroria e Përgjithshme ka shpallur në kërkim dy persona Enver Curri kunati i komisionerit të LSI, i cili ka mbetur i vdekur mëngjesin e sotëm Gjin Pjetër Gjoni si dhe Kastriot Fufin kushëririn e dytë të kandiat për deputet të PD-së, Mhill Fufi.
Prokuroria e Përgjithshme pas ngjarjes së rëndë në qytetin e Laçit ku mbeti i vrarë 1 person dhe dy të tjerë u plagosën bën me dije se ka shpallur në kërkim 7 persona, mes tyre shtetasit Kastriot Fufi, i cili pas mjekimeve të marra ka lënë spitalin dhe është fshehur si dhe shtetasin Enver Curri.
Ndërkohë, sa u takon votimeve, raportohet se në KZAZ nr.14, deri në orën 15:00 pjesëmarrja në votime është 34%.
LAÇ, POLICIA SHPALL NË KËRKIM 7 PERSONA
Ora 15:00 - Policia e Laçit ka shpallur në kërkim 7 persona të dyshuar për përfshirje në ngjarjen e rëndë, ku humbi jetën simpatizanti i LSI-së Gjon Gjoni dhe u plagos kandidati i PD-së Mëhill Fufi. Mësohet se mes personave të shpallur në kërkim janë Kastriot Fufi dhe Enver Curri i cili është kunati i viktimës.
MEHILL DHE KASTRIOT FUFI JASHTË RREZIKUT PËR JETËN (ne foto Mhill Fufi)
Ora 14:34 Mëhill dhe Kastriot Isufi të plagosur mëngjesin e sotëm pas një konflikti me armë ku mbeti i plagosur komisionari i LSI, Gjon Pjetër Gjoni.
Gazetarja Fatmira Nikolli raporton se shtabi elektoral i PD-së në Lezhë konfirmon se Mëhill dhe Kastriot Isufi janë jashtë rrezikut për jetën dhe do i rikthehen së shpejti zonës së tyre elektorale në Mamurras.
Ndërkohë në Sanxhak të Laçit ka pasur presione dhe kërcënime që u janë bërë komisionerëve të PS dhe LSI dhe pasi përplasjet janë zgjidhur dhe procesi ka vijuar normalisht.
Në ZAZ 12 në Lezhë pjesëmarrja shkon në 30%
POLICIA E SHTETIT: JA VEPRAT PENALE TE EVIDENTUARA GJATE DITES SE SOTME
NË QARKUN E LEZHËS
Rreth orës 08.45’, të ditës së sotme, në ambientet e jashtme të Shkollës së Mesme “AT Shtjefën Gjeçovi”, të qytetit të Laçit, ka patur një shkëmbim zjarri, ku për pasojë:
- ka gjetur vdekjen shtetasi Gjon Gjoni, vjeç 49, banues në Laç,
- po ashtu janë plagosur, shtetasi Mhill Fufi, rreth 49 vjeç, kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike, për Qarkun e Lezhës, i cili është dërguar për mjekim në Spitalin e Rajonal Lezhë, jashtë rrezikut për jetën, si dhe shtetasi Kastriot Fufi, 39 vjeç, banues në Mamurras, i cili është dërguar për ndihmë më të specializuar në Spitalin Ushtarak Tiranë.
Strukturat e Policisë po punojnë intensivisht për zbardhjen e dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje të rëndë.
Për hetimin dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të kësaj ngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili kryesohet nga Prokurori i rrethit Gjyqësor Kurbin. Në përbërje të këtij grupi të posaçëm hetimor bëjnë pjesë dhe specialistët më të mirë të kësaj fushe të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
NË QARKUN E ELBASANIT
Rreth orës 11.00’ është marrë informacioni se në një qendër votimi në qytetin e Peqinit është goditur me mjete të forta nga tre shtetas anëtari i Kkomisionit i kësaj qendre votimit, si dhe i kanë marrë kartën e identitetit bashkëshortes së tij. Menjëherë nga ana e policisë u shkua në vendin e ngjarjes, ku u bë i mundur identifikimi i personave, si dhe sekuestrimi në cilësinë provës materiale i mjetit me targa TR 5515 K, me të cilin këta shtetas qarkullonin në qytetin e Peqinit. Tre personat e identifikuar janë:
- Gazmend Sinani, drejtuesi i mjetit tip Mitsubishi
- Astrit Kashi
- Aleksander Bajo, që të tre banues në Elbasan.
Këto shtetas janë shoqëruar dhe aktualisht për rastin në fjalë po kryhen veprimet procedurale. Ndërkohë nga kontrolli i ushtruar mjetit u gjeten dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 arme zjarri tip automatike, 1 shotgan, si dhe një sasi municionesh.
NË QARKUN KORÇË
1. Është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Pajtim Selman Myrtollari, 51 vjeç nga Korça. Ky shtetas ditën e djeshme, rreth orës 23.10’ në vendin e quajtur Ura e Fajancës është kapur në flagrancë me automjetin tip benz KO 8013, me 11 zarfa me nga 5000 lekë të reja, të cilat dyshohet se do u ndaheshin personave të ndryshëm për të votur për Subjektin Politik LSI , ku ky i fundit ishte dhe Koordinator i këtij subjekti. Po lidhur me këtë rast filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal për 2 shtetas të tjerë. Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve” të parashikuar nga neni 328 i K.Penal.
2. Ndërkohë po në Korçë filloi procedimi penal dhe po punohet për kapjen e shtetasve Shkëlqim Belul Topa, punonjës i Komunës Libonik dhe Naveljan Shkëlqim Topa, përkatësisht 45 dhe 20 vjeç, pasi akuzohen se rreth orës 22.00’ të ditës së djeshme, në Libonik, për shkak të bindjeve partiake kanë goditur me sende të forta shtetasit Armando Pëllumb Cenolli e Maksi Njazi Cenolli, edhe këto banues në fshatin Libonik. Ndaj tyre u kryen veprimet procedurale e materialet i janë referuar Prokurorisë për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje të kryer në bashkëpunim.
3. Rreth orës 10.30’, në qytetin e Korçës, në lagjen nr.4, përballë shkollës 9- vjeçare “Nuçi Naçi”, ka patur një grindje mes shtetasve Edmond Poreci dhe shtetasit Leonard Mitre për motive ende të pasqaruara. Për ndërprerjen e këtij konflikti ka ndërhyrë për ti ndarë kandidati për deputet i partisë socialiste shtetasi Ilirjan Pendavinji, i cili në momentin që po ulte konfliktin është goditur në fytyrë me grushta nga shtetasi Edmond Poreci. Nga ana jonë janë kryer të gjitha veprimet e para procedurale dhe hetimore dhe po punohet për kapjen e autorit. Materialet procedurale ju referuan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme për veprën penale dëmtime të tjera me dashje të parashikuar nga neni 90 i Kodit Penal.
NË QARKUN TIRANË
1. Mbrëmë rreth orës 23.30’ në ambientet e një lokali në në rrugën “Pandi Dardha”, është plagosur me armë zjarri shtetasi Ardi Rrahman Kacnija, 38 vjeç, me banim në Tiranë, si dhe janë goditur me mjete të forta 2 shtetas. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, i cili kreu veprimet e para hetimore dhe procedurale, ndërkohë që po punohet intensivisht për identifikimin, kapjen e autorëve të këtij konflikti, si dhe dokumentimin ligjor të saj.
2. Është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Tafil Hysen Daci, 35 vjeç, banues në Kamzë, pasi rreth orës 01.45’, në Zall Mner nga kontrolli në mjetin tip “Benz” me targë AA 738 BH, iu gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë tip TT, të cilën e mbante pa leje.
3. Ndërkohë nga Komisariati i Policisë Kavajë filloi procedimi penal e punohet për kapjen e shtetasit Emiljano Vullnet Leka, 29 vjeç, banues në Kavajë, pasi rreth orës 22.00’, në qytet, gjatë kontrollit të mjetit tip “Skoda” me targë AA 312 GM, të cilin ky shtetas e braktisi për t’i shpëtuar kapjes nga forcat e policisë, iu gjet e sekuestrua me cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik si dhe një sasi prej rreth 300 fishekësh, të cilat i mbante pa leje, po ashtu iu gjet dhe sekuestrua një tabelë e Policisë Bashkiake.
NË QARKUN VLORË
1. Rreth orës 01.00’ të datës 23.06.2013 në lagjen “Pavarësia”, në qytetin e Vlorës në automjetin tip Wolksvagen Golf 4 në pronësi të shtetasit Dorian Tafili, me detyrë Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë në pjesën e përparme të këtij automjeti (kofano) ka ndodhur një shpërthim. Automjeti është dëmtuar lehtë në pjesën e tij të përparme dhe në momentin e shpërthimit ka qenë i parkuar në vendparkimin përpara pallatit ku banon shtetasi Dorian Tafili. Menjëherë nga Policia është ngritur një grup hetimor me specialistët më të mirë të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Vijojnë hetime intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
2. Po në qytetin e Vlorës, në lagjen Uji i ftohtë, rreth orës 05:45’, është shkatërruar pjesërisht automjeti tip BMW X5, me targa AA 768 FN, në pronësi të shtetasit Kreshnik Skënder Tepelena, 31 vjeç banues në Vlorë. Mjeti në momentin e shkatërrimit ka qenë i parkuar përpara oborrit të banesës së këtij shtetasi. Menjëherë në lidhje me këtë ngjarje është ngritur grupi hetimor i cili po punon intensivisht nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
3. Aktualisht në këtë qark vijon normalisht procesi i votimit dhe nuk janë evidentuar probleme apo incidente brenda apo në afërsi të qendrave të votimit. Vetëm në një rast, në qendrën e votimit Nr. 4665 në qytetin e Sarandës në shkollës “Adem Shema” Komisioni i Qendrës së Votimit ka kërkuar mbështetjen e policisë, pasi kishte shumë njerëz brenda qendrës së votimit. Pasi është marrë vendimi përkatës, Policia ka ndërhyrë dhe situata është normalizuar. Më pas policia është larguar nga qendra e votimit sërisht me vendim dhe procesi i votimit ka vijuar normalisht.
NË QARKUN GJIROKASTËR
Rreth orës 10.55’ të datës 23.06.2013, në Qendrën e Votimit nr. 4165 në qytetin e Këlcyrës, komisionerët kanë thirur policinë për rivendosje të rendit dhe qetësise publike, me vendim nr. 4 datë 23.06.2013, pasi shtetasi Fatjon Merkaj, ka debatuar me komisionerët e kësaj qendre votimi dhe ka goditur me grushta dy komisionerët Agim Allamani, komisioner i subjektit L.S.I. dhe Dhimtër Qyra, komisioner i subjektit P.D. Më pas është larguar nga Qendra e Votimit.
Pas marrjes së vendimit punonjësit e policisë kanë hyrë në qendrën e votimit për rivendosjen e rendit. Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit nr.5, datë 23.06.2013, punonjësit e policisë janë larguar nga qendra e votimit drejt vendqëndrimit të tyre. Aktualisht kjo qendër votimi funksionon normalisht pa asnjë problem.
PD: 'ÇIFTI 'RAMA-META THIRRJE PËR DHUNË, PËR PËRFITIME POLITIKE NGA VRASJA NË LAC
Ora 14:00 Partia Demokratike ka akuzuar liderët e PS-së Edi Rama dhe LSI Ilir Meta se duan të nxjerrin kapital politik nga vrasje tragjike në qytetin e Lacit.
Në një konferencë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi ka dënuar aktin dhe ka sqaruar se kandidati për deputet Mëhill Fufi dhe i afërmi i tij po bënin apel që të mos bliheshin vota.
"Politikanët e nekro politikës vrapuan të nxjerrin kapital politik me ngjarjen tragjike të Lacit, një akt i pastër terrorist ndaj kandidatit të Partisë Demokratike, Mhill Fufi. Politikanet e nekro politikës harruan të shprehin ngushëllime publike për familjen e viktimës dhe të përmendin plagosjen e kandidatit të PD dhe të afërmit të tij nga persona, mbështetës dhe përkrahës të PS dhe aleatëve të saj, disa prej të cilëve shkuan nga Tirana për motive të paqarta. Këta persona, thirrjes të kandidatit tonë, largohuni dhe mos ndani lekë këtu i janë përgjigjur me armë, duke plagosur kandidatin e PD dhe të afërmin e tij, Kastriot Fufi. Partia Demokratike dënon cdo akt dhune, fton qytetarët të votojnë të qetë, të marrin pjesë të gjithe ne keto votime qe jane te nje rendesie jetike per zhvillimin dhe integrimin e Shqiperise ne BE. Partia Demokratike i shpreh ngushellimet familjes se viktimës dhe i uron shërim të shpejt kandidatit për deputet Mehill Fufit dhe te afermit te tij, Kastriot Fufi. Partia Demokratike denon me ashpersi cinizmin, papergjegjeshmerine dhe thirrjen per dhune te çiftit Rama –Meta, qe te etur per pushtet shpallin se jane te gatshem me cdo mjet te permbysin qeverine demokratike", deklaroi Vorpsi.
DADE: NË MOLLAS PRESION VOTUESVE, TË SHTËNA ME ARMË
Ora 13:48- Kandidatja për deputete në qarkun e Korçës, Arta Dade ka denoncuar sot presionet, që sipas saj i bëhen votuesve në Mollas të Korçës.
Sipas saj, “Disa persona që njihen nga kryetari i komunës po kërcënojnë banorët. Ka pasur të shtëna me pistoletë dhe arma është e kreut të komunës Mollas”, thotë ajo.
PEQIN, POLICIA NDALON 3 PERSONA, U KAPËN ME FLETË VOTIMI TË PAPLOTËSUARA
Ora 13:35 - Policia e Peqinit ka arrestuar tre shtetas, të cilëve iu gjetën fletë votimi të paplotësuara dhe armë në makinë.
Policia bëri të ditur se “ tre shtetasve, Gazmend Sinani, Astrit Kashi dhe Aleksandër Bajo ju gjetën në mjetin e tyre tip "Mitsubishi" dy automatikë si edhe një shotgun. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet policia ka gjetur edhe një sasi fletësh votimi të bardha të pa plotësuara”.
Policia ka nisur hetimet për të zbuluar se si këta tre shtetas i kanë siguruar fletët e bardha të votimit.
KËLCYRË, GODEN DY KOMISIONERË, POLICIA NDALON AGRESORIN
Ora: 13:30 - Dy komisionerë të qendrës së votimit nr. 4165 në qytetin e Këlcyrës janë goditur fizikisht nga një person, i cili është ndaluar, njoftoi zyrtarisht policia e lokale.
“Fatjon Merkaj, tashmë i ndaluar, ka debatuar me komisionerët e kësaj qendre votimi dhe më pas ka goditur me grushta komisionerët Agim Allamani (LSI) dhe Dhimtër Qyra (PD)”, tha Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës. I njëjti zytar tha se policia ka ndërhyrë, si dhe ka rivendosur rendin pas marrjes se vendimit nga Qendra e Votimit (QV).
“Aktualisht policia po punon për zbardhjen e plotë të këtij incidenti”, - theksoi Mullaj.
TIRANË, POLICIA NDALON 10 SHOKË TË EMILJANO SHULLAZIT PËR ARMËMAJTJE PA LEJE
Ora 13:23- Policia e Tiranës ka ndaluar sot 10 persona për armëmbajtje pa leje. Sipas policisë, këta persona kanë lidhje me Emiljano Shullazin, i njohur si person me precedent penal, i arrestuar në prag fushatash zgjedhore për armëmbajtje pa leje.
Mësohet se këta persona janë ndalur në afërsi të pallatit me shigjeta në kryeqytet, ndërsa mësohet se janë miq të ngushtë me Shullazin.
Ndërkaq, policia po ushtron kontrolle në banesat e tyre.
TIRANË, KOMISIONERËT E PS AKUZOJNË FLORENC HOXHËN PËR KËRCËNIME
Ora 13:20 - Ndërpritet për disa minuta procesi i votimit në qendrën e votimit 16 94 te shkolla “Ali Demi” në kryeqytet. Komisionerët e PS-së akuzojnë shefin e Inspektoratit Ndërtimor, Florenc Hoxha për kërcënime.
INCIDENTI NË LAÇ, SHOQËROHEN 7 PERSONA SI DËSHMITARË
Ora 12:42- Policia e Laçit bën me dije se ka shoqëruar 7 persona si dëshmitarë për ngjarjen e rëndë të mëngjesit të sotëm, ku mbeti i vrarë një simpatizant i LSI dhe u plagosën 3 të tjerë, njëri prej tyre kandidat i PD-së në Laç.
Sipas policisë, këta persona do të pyeten në lidhje me rrethanat e ngjarjes.
ZHBLLOKOHET SITUATA NË SANXHAK, PAS NDËRHYRJES SË RAMËS
Ora 12:25- Është kthyer drejt normalitetit procesi i votimit në 5 qendra votimi në Sanxhak të Laçit, pas ndërhyrjes së kryesocialistit Rama. Në Sanxhak, komisionerët e PS u tërhoqën që prej mëngjesit pas kërcënimeve.
BUMÇI: RAMA-META TË DISTANCOHEN NGA GJUHA BANDITESKE
Ora 12:10- Kandidati për deputet i PD-së në Lezhë, Aldo Bumçi nëpërmjet një konference nga ky qytet akuzon të majtën për shitblerje votash si dhe u kërkon të dy liderëve të majtë, Ramës e Metës të distancohen nga deklaratat e nxehta.
“Bëjmë thirrje që qytetarët të marrin masivisht pjesë në votime, vota e tyre do numërohet me transparencë. Përfaqësuesit e të majtës të ndalojnë presionet ndaj votuesve dhe blerjen e votës. Shitblerja e votës është akt i rëndë. Rama dhe Meta qëndrim të papranueshëm, erdhën dhe morën rolin e prokurorit dhe gjykatësit, kokat e nxehta nuk i shërbejnë asgjëje, të distancohen nga një gjuhe banditeske”, tha ai.
POLICIA E LAÇIT: VËRTETOHET SE ËSHTË QËLLUAR NGA 4 ARMË TË NDRYSHME
Ora 12:00- Ndërkaq në lidhje me incidentin e mëngjesit ku humbi jetën një simpatizant i LSI-së dhe u plagos kandidati per deputet i PD, policia e Laçit bën me dije se në vendngjarje janë gjetur 4 gëzhoja të ndryshme, çka vërteton se është qëlluar nga 4 armë të ndryshme.
LLALLA: AUTORËT E NGJARJES NË LAÇ DO VIHEN PARA DREJTËSISË
Ora 11:50- Në lidhje me incidentin e rëndë të ndodhur sot në Laç ka reaguar edhe kryeprokurori Adriatik Llalla. Sipas tij, autorët e ngjarjes në Laç do të vihen para drejtësisë.
I pyetur nga gazetarët në përfundim të votimit të tij, Llalla bëri të ditur se prokurorët janë në krye të punës dhe me kapacitet të plotë, ndërsa pohoi se është në dijeni të vrasjes së ndodhur në Laç, ku simpantizanti i LSI-së, Gjin Gjoni humbi jetën, ndërsa mbetën të plagosur kandidati i Partisë Demokratike dhe dy të plagosur, kandidati i PD-së, Mëhill Fufi dhe një i afërm i kandidatit të PD-së, Kastriot Fufi.
“Prokuror të specializuar dhe nga më të mirët janë nisur drejt Laçit për të realizuar hetim të plotë e të thellë mbi ngjarjen. Do të bëhen të gjitha përpjekjet për të gjetur autorët e ngjarjes në fjalë, për të bërë transparente në një kohë sa më të shpejtë edhe shkaqet e saj. Dua të garantoj se Prokuroria është në gadishmëri të plotë për të realizuar konform ligjit detyrën e saj”, përfundoi Llalla.
RAMA: POLICIA JO PALË ME KRIMIN, META: BERISHA S'ËSHTË MË KRYEMINISTËR
Ora: 11:34 - Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe kreu i LSI-së Ilir Meta kanë mbërritur në qendrën e votimit ku ndodhi incidenti i rënddë në Laç, nga i cili një simpatizant i LSI-së mbeti i vdekur. Kryesocialisti akuzoi policinë e këtij qyteti se po bashkëpunon me krimin. Por sipas tij, asgjë nuk e ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve.
“Policia e shtetit nuk është në krye të detyrës, forcat kriminale me mbështetjen e policisë kanë nisur një operacion për përhapjen e frikës dhe terrorit me armë.
Jemi këtu për të apeluar pjesëmarrje, asgjë se ndryshon fatin e këtyre zgjedhjeve, ne jemi të vendosur të mbrojmë çdo votë. Këto janë përpjekje për të trembur njerëzit, për të diktuar një vullnet që s’mund t’i kundërvihert atij të popullit shqiptar”, tha Rama.
Më tej kryesocialisti shtoi se kërcënimet e kriminelëve nuk mund të ndalin popullin të votojë.
“Ne do garantojmë procesin, nuk ka forca kriminale që mund ta pengojnë popullin të vendosë, policia të ndalë bashkëpunimin me krimin”, vijoi ai.
Ndërkaq, edhe kreu i LSI-së Meta ishte në të njejtën linjë me kreun e PS-së Rama, teksa akuzoi policinë e Laçit për bashëpunim me krimin. Meta e ftoi policinë të distancohet nga kjo ngjarje dramatike.
“Dje në mesnatë kam qenë në qytetin e Lezhës dhe kam vizituar disa aktivistë dhe komisionerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilat janë sulmuar me armën dhe me mjete të forta nga banditë të Partisë Demokratike në zonën e Laçit. Po dje kam takuar Drejtorin e Policisë së Lezhës së bashku me z. Spartak Braho dhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, z. Hysni Burgaj, ku i kam njohur me këto zhvillime dramatike si pjesë e një skenari të dhunshëm dhe i kam kërkuar që policia jo vetëm të distancohet, por të marrë masa për të ndaluar një gjakderdhje të mundshme për sot. Sidomos në Laç, në Mamurras, në Fushë Kuqe absolutisht banditët dhe kriminelët, të cilët janë aktualisht tani që po flasim ne përpara qendrave të votimeve të Mamurrasit dhe po u bëjnë presion qytetarëve për të treguar votën, janë me mbështetjen e policisë dhe segmenteve të policisë këtu dhe në kupolën e lartë të policisë së Shtetit. Ne kemi fakte që Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është në funksion të manipulimit të zgjedhjeve dhe të mbrojtjes së kriminelëve dhe banditëve të Partisë Demokratike, të cilët dalin me armë këtu e gjakosen dhe vranë një qytetarë të pafajshëm këtu sot para kësaj KZAZ-je", tha ai.
Meta më tej tha se, Berisha nuk mund të jetë më kryeministër kur derdhet gjak.
“Kjo histori ka përfunduar, Sali Berisha nuk është më kryeministri i Shqipërisë, ai nuk ikën dot nga pushteti pa gjak. I paralajmëruam dje në mesnatë autoritetet më të larta të Policisë së Shtetit dhe kjo gjë ndodhi. Për do gjë çdo gjë do të mbajë përgjegjësi Sali Berisha dhe banditët e tij të cilët nuk i mbron dot nesër as Saliu, as Flamuri, as Kuliçi dhe asnjë tjetër.
Ne i kemi marrë dhe do të marrim të gjitha masat, do të mbrojmë çdo votë dhe njerëzit të shkojnë të votojnë. Në Laç në Mamurras në Fushë Kuqe dhe në të gjithë Shqipërinë. Fitorja do të jetë plebishitare”, tha ai. Sipas Metës, Berisha nuk mund ta mbajë më pushtetin me dhunë!
KANDIDATI I PS-së: SIMPATIZANTI I PD-së MË GODITI
Ora 11:30- Kandidati i PS-së në Korçë, Ilirjan Pendavini denoncon dhunën e ushtruar ndaj tij nga një simpatizant i PD-së. Në një lidhje telefonike me “News 24”, Pendavini tha se ishte goditur nga simpatizanti i PD-së, jashtë një qendre votimi në qytetin e Korçës.
“Një simpatizant i PD-së po debatonte me disa djem simpatizantë të PS-së. Unë u afrova për t'i ndarë, u thashë nuk duhet të bëni debate para zgjedhjeve dhe ai më goditi. Ishim jashtë qendrës së votimit. Tani jam në komisariat duke bërë denoncimin e duhur”,- deklaroi Pendavini.
Sipas kandidatit të PS-së, përfaqësuesit e PD-së po ushtrojnë dhunë psikologjike ndaj votuesve në qendrat e votimit.
PEQIN, ARRESTOHET NJË PERSON I ARMATOSUR, KËRCËNONTE VOTUESIT
Ora 10:50– Policia e Peqinit arrestoi shtetasin Gazmend Sinani, i cili dyshohet se kërcënonte me armë votuesit. Pas kontrollit në makinën e tij, tip ‘Mitsubishi’ targa TR5511, policia gjeti 2 armë zjarri, të cilat dyshohet se janë përdorur nga Sinani për të kërcënuar qytetarët me qëllim që të votonin për subjektin politik që ai u diktonte.
KORÇE, ARRESTOHET KOORDINATORI I LSI-se
Ora 10:47 –Policia e Korçës ka vënë në pranga koordinatorin e LSI-së, Pajtim Myrtollari, pasi dyshohet se jepte para në këmbim të votës. Sipas policisë, Myrtollari u kap në flagrancë me 11 zarfe me 5 mijë lekë secili, të cilat dyshohet se u jepeshin votuesve në këmbim të votës.
MANJANI: NGJARJA NË LAÇ, TENSION I PASTËR POLITIK I PD
Ora 10:40- Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani në një prononcim për "News 24", komenton situatën e krijuar në Laç. I ndodhur në këtë qytet, Manjani e cilëson ngjarjen si tension të pastër politik, të krijuar nga Partia Demokratike.
“Sot është dita e votës, të japim ndëshkimin e parë me votë. Ngjajra e sotme është tension politik i pastër i PD. Viktima ka qënë emigrant dhe simpatizant I LSI, kishte ardhur për të votuar”, sqaroi Manjani.
Ndër të tjera ai nuk nguroi të ftojë laçianët të marrin pjesë në votime, pa pasur frikë.
KREU I PS, RAMA NISET DREJT LAÇIT
Ora 10:33- Pas incidentit të rëndë ku një simpatizant i LSI-së humbi jetën në Laç, si dhe u njoftua për kërcënime me armë të komisionerëve në disa qendra votimi, edhe kreu i PS-së Edi Rama është nisur drejt Laçit.
Mësohet se ishte parashikuar që kreu i PS-së të votonte në Tiranë rreth orës 10:00.
LAÇ, GJONÇAJ: KOMISIONERËT PO KËRCËNOHEN ME ARMË
Ora 10:30- Rreth orës 10:30 minuta është mbledhur edhe KQZ-ja për problemet e evidentuara deri më tani. Përfaqësuesi ligjor i PS, Genc Gjonçaj ka bërë me dije se situata në Laç paraqitet problematike.
Sipas tij, KZAZ në Laç ka administruar prova për kërcënime ndaj komisionerëve të PS në Sanxhak.
"Persona me armë e maska kërcënojnë komisionerët. Çuditërisht vetëm anëtarët e PD nuk u larguan”, thotë Gjonçaj.
Ai ndër të tjera i kërkon kryetares së KQZ-së Lefterie Lleshi të marrë masa për këtë situatë.
POLICIA E LEZHËS: NË LAÇ, U PLAGOS EDHE KANDIDATI I PD MEHILL FUFI
Ora 10:00- Në lidhje me incidentin e rëndë në Laç, ka dalë në një konferencë për shtyp edhe policia e Lezhës. Drejtori i policisë Arben Hajdarmata bën me dije se në këtë ngjarje viktima është simpatizanti i LSI-së Gjon Pjetër Gjoni dhe një ndër të plagosurit është kandidati i PD-së, Mëhill Fufi.
I plagosur ka mbetur edhe një i afërm i kandidatit të PD-së, Kastriot Fufi.
Po sipas policisë, në vendngjarje janë gjetur gëzhoja të kalibrit të ndryshëm dhe një armë zjarri. Ende nuk ka asnjë të dyshuar, por hetimet vijojnë të jenë intensive. “Fakti që është plagosur një kandidat mund të ketë lidhje me zgjedhjet”, tha drejtori i policisë.
LAÇ, PS TËRHEQ KOMISIONERËT NGA 5 QENDRA VOTIMI
Ora 09:43- Sërish probleme në Laç. Raportohet se Partia Socialiste ka tërhequr komisionerët nga 5 qendra votimi. Sipas PS, ka njerëz me armë që qarkullojnë në qendrat e votimit në Sanxhak.
KREU I LSI META NISET DREJT LAÇIT
Ora 09:30- Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Laç, mësohet se drejt këtij qyteti është nisur kreu i LSI-së Ilir Meta. Lajmi bëhet i ditur nga LSI e Laçit.
Deri më tani, policia ka mbledhur në vendngjarje 15 gëzhoja dhe ka shpallur në kërkim dy persona si të dyshuar për ngjarjen
TË SHTËNA NË NJË QV NË LAÇ, 1 i VDEKUR, 3 TË PLAGOSUR
Ora 08:57- Incident i rëndë në një qendër votimi në qytetin e Laçit. Raportohet se ka pasur të shtëna armësh në një qendër votimi, ndërsa dyshohet se si pasojë e të shtënave ka mbetur i vdekur një person dhe tre të tjerë janë plagosur.
Policia bën me dije se incidenti ka ndodhur pranë ambienteve të qendrës së votimit tek gjimnazi ‘At Shtjefen Gjeçovi’.
Siç raporton korrespondenti Pjetër Gjini, i vrarë ka mbetur shtetasi Gjon Pjetër Gjoni 53-vjeç, simpatizant i Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Po sipas të njëjtave burime mësohet se në këtë qendër votimi ka pasur konfrontime fizike me mjete të forta, mes viktimës Gjioni dhe disa personave të tjerë, ndërsa më pas një prej tyre ka shtënë me armë. Bëhet me dije se simpatizanti i LSI-së kishte shkuar për të votuar. Ndërkaq hetimet kanë nisur për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Drejt Laçit janë nisur edhe forcat RENEA. (Ne foto, viktima Gjon Gjoni)
GJIROKASTËR, KOMISIONERI KONFRONTOHET FIZIKISHT ME NJË VOTUES
Ora: 08:54 - Një komisioner në një nga qendrat e votimit të qytetit të Gjirokastrës ka patur një konfrontim fizik me nja votues. Siç raporton gazetarja Eri Baco, shkak i ngjarjes ka qenë tentativa e votuesve për të shoqëruar familjarët e tyre gjatë votimit. Komisionerët nuk kanë lejuar votimet familjare dhe për pasojë njëri prej tyre është konfrontuar edhe fizikisht me njërin prej votuesve.
NUK KA FILLUAR VOTIMI NË NJË QV NË TIRANË
Ora 08:35- Edhe në Tiranë raportohet të mos ketë nisur votimi në qendrën e votimit 1976, që i përket Njësisë Bashkiake Nr.9. Shkak për mosnisjen e procesit të votimit janë bërë problemet me vulën, e cila nuk ka bojë.
LIBRAZHD, NË TË GJITHA QV MUNGOJNË KOMISIONERËT E PR
0ra 08:29- Në Librazhd mësohet se mungojnë në të gjitha qendrat e votimit komisionerët e Partisë Republikane. Raportohet gjithashtu se, në qendrën e votimit në Stëblevë nuk ka filluar ende procesi, pasi mungojnë komisionarët e PR dhe PD.
TIRANE, VOTUESI I PARE KAPET ME DY FLETE VOTIMI
Ora 08:20 - Nis me një incident votimi tek Njësia Numër 5, në kryeqytet në qendrën e votimit 1344/3. Personi që u paraqit i pari për të votuar mori dy fletë votimi, por u kap në kohë, duke mos mundur t’i hidhte ato në kuti. Ndërkohë banorët e kësaj njësie ankohen se procesi po ecën ngadalë dhe se kanë rreth 20 minuta në pritje për të votuar.
PUKË, NUK KA NISUR VOTIMI NË FSHATIN BREGË
Ora 08:00- Probleme edhe në Pukë me qendrat e votimit. Bëhet me dije se nuk ka nisur ende procesi i votimit në fshatin Bregë të komunës Rrapë. Shkak për këtë është bërë ngatërrimi i kapakut të kutisë së votimit.
Raportohet ndërkaq se, KZAZ Nr. 8 po merr masat për ndryshimin e kutisë.
KAVAJË, MUNGOJNË VULAT, NUK KA NISUR VOTIMI NË 2 QV
Ora 07:50- Në qytetin e Kavajës raportohet se nuk ka nisur ende votimi në dy QV, pasi mungojnë vulat e sigurisë. Qendrat e votimit janë 21 dhe 91. Ndërsa në qytetin bregdetar të Durrësit, procesi ka nisur normalisht në të gjitha qendrat dhe qytetarët po u drejtohen kutive të votimit.
KORÇË, NDËRPRITET PROCESI I VOTIMIT NË DY QENDRA VOTIMI
Ora 07:30- Raportohet se në Korçë është ndërprerë votimi në dy qendra, kjo për shkak të afërsisë së posterave të partive politike.
Votimi është ndërprerë në qendrat 36 dhe 48.
VOTON E PARA KRYETARJA E KQZ-SË, LEFTERIE LLESHI
Ora 07:10- Menjëherë pas votimit kryetarja e KQZ-së Lefterie Lleshi i bëri apel të gjithë shqiptarëve t’i drejtohen qendrave të votimit, pasi vota e tyre vlen, sic tha ajo.
“I ftoj shqiptarët të paraqiten të votojnë pasi është përgatitur e gjithë infrastruktura zgjedhore që të votojnë të lirë dhe në fshehtësi. Motoja jonë është: Vota jote vlen, votoni”, tha ajo.
Një apel tjetër kryetarja Lleshi e bëri për të gjithë komisionerët zgjedhorë, të cilët I ftoi të bëjnë detyrën duke iu përmbajtur kodit zgjedhor.
“Komisionerët të kryejnë detyyrën sipas kodit zgjedhor, të jenë jashtë ndikimeve politike’, shtoi ajo.
RRETH 3 MILIONË E 271 MIJË E 885 ZGJEDHËS JANË THIRRUR PËR TË VOTUAR
Pritet që rreth 3 milionë e 271 mijë e 885 zgjedhës të ushtrojnë të drejtën për të votuar, bazuar në regjistrin kombëtar elektronik.
Nga këta për herë të parë votojnë 165 mijë zgjedhës të rinj të grupmoshave 18, 19 dhe 20 vjeç . Po ashtu drejt kutive, në të gjithë Shqipërinë do të shkojnë edhe 560 mijë pensioniste nga të cilët 750 zgjedhës konfirmon Ministria e Brendshme nuk janë përfshirë në lista për shkak të moshës mbi 100 vjeç në datën e votimit dhe se të cilët nuk janë paraqitur pranë zyrave të gjendjeve civile. Por ndryshe nga këta, 380 persona të moshës 100-vjeçare të tjerë, të cilëve u ishin bllokuar emrat për shkak të moshës me kërkesë të posaçme rifituan të drejtën e votës.
Në orën 7:00 të kësaj të diele hapën 5508 qendra votimi, të cilat, pritet të qendrojnë të hapura deri në orën 19:00, sipas orarit zyrtar. 19 qendra të posaçme votimi janë ngritur dhe në burgje për 5000 të dënuar dhe paraburgosur që zgjedhjet i gjejnë në qeli.
Subjektet politike janë grupuar në dy koalicione: "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim", e drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe "Aleanca për Shqipërinë Europiane", e drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën. Qarku i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 32, ku pritet të votojnë 785 mijë persona kurse ai i Kukësit numrin më të vogël, 4 deputetë, ku pritet të votojnë 77 mijë.
Në këtë proces zgjedhor ka një numër më të lartë të komisioneve në të gjithë piramidën elektorale. Po ashtu, ky është edhe procesi më i vëzhguar nga ndërkombëtarët dhe organizatat në vend. Monitoruesit vendas janë rreth 8 mijë, ndërsa ata të huaj rreth 1 mijë, në përputhje me rëndësinë që procesi elektoral i së dielës është konsideruar nga ndërkombëtarët si tejet të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE.
Policia njofton se ka marrë në ruajtje 5.508 qendrat e votimit në të gjithë territorin e vendit dhe se në këtë aksion janë angazhuar 6200 policë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve printoi në Slloveni rreth 3 milionë e 337 mijë e 385 fletë votimi, ashtu siç e parashikon kodi, 2% më shumë se numri i zgjedhësve. Kryetarja e këtij komisioni u bëri apel komisionerëve në të gjithë vendin që të bashkëpunojnë.
Kosto e këtyre zgjedhjeve është llogaritur nga KQZ rreth 744 milionë lekë. Kësaj vlere iu shtuan dhe rreth 3 milionë euro të tjera, të cilat i janë paguar kompanisë spanjolle Indra pavarësisht se dy projektet pilote për numërimin elektronik në Fier dhe identifikimit elektronik të kartave të identitetit në Tiranë dështuan.
JA KU DO VOTOJNË LIDERËT POLITIKË
Pritet që sot të votojnë edhe krerët më të lartë të shtetit, por edhe kryetarët e partive kryesore në vend. Kështu, mësohet se Presidenti i vendit Bujar Nishani pritet të votojë në orën 10.00 ne Qendrën e Votimit 1766/2 në shkollën e mesme “Andon Zako Cajupi” në Tiranë. Kreu i së djathës, Sali Berisha do të votojë në qendren e votimit ngritur tek “Liceu Artistik” rreth orës 10.00, pasi në këtë orar pritet edhe takimi i zotit Berisha me kryesuesin e delegacionin AD KOK të Parlamentit Europian, Eduard Kukan.
Ndërsa lideri i së majtës, Edi Rama pritet të votojë në shkollën “Pjetër Budi". Pasi të hedhin votën e tyre, drejtuesit politikë, pritet të bëjnë edhe deklaratat e para në lidhje me procesin e zgjedhjeve. Kreu i LSI pritet të votojë në Njësinë 5 në kopshtin numër 10 te ish-blloku, kreu i FRD Bamir Topi pritet të votojë në shkollën "Servete Maçi" në Tiranë. Kurse kreu i AK Kreshnik Spahiu pritet të votojë në orën 9.00 në shkollën "Pjetër Budi”.
PROCESI
Zgjedhjet do të nxjerrin 140 deputetë, të cilët do të zgjidhen me sistemin proporcional rajonal.
- Vendi është ndarë në 12 qarqe dhe votat do të përllogariten në mënyrë proporcionale brenda për brenda secilit qark.
- Të regjistruar si subjekte elektoralë janë 66 parti dhe dy subjekte të pavarur.
- Subjektet politike jane grupuar në dy koalicione: "Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim", e drejtuar nga Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe "Aleanca për Shqipërinë Europiane", e drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën.
- Rajoni i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 32, kurse ai i Kukësit numrin më të vogël, 4 deputetë.
- Zgjedhjet administrohen nga KQZ dhe 89 komisione të zonave të administrimit zgjedhor(KZAZ).
- Në të gjithë Shqipërinë do të funksionojnë gjithsej 5508 qendra votimi.
- Për zgjedhjet e reja janë regjistruar rreth 3.271.885 zgjedhës, bazuar në regjistrin kombëtar elektronik ose 120.845 zgjedhës më shumë se në zgjedhjet parardhëse.
- Rreth 150.000 është numri i votuesve që votojnë për herë të parë.
- Për procesin do të prodhohen gjithsej rreth 3.337.388 fletë votimi.
- Dokumenti që do të përdoret nga zgjedhësit ditën e votimeve është pasaporta ose letërnjoftimi elektronik.
- Numërimi i votave do të bëhet në 89 vendet e numërimit të votave (VNV), nga grupet e numurimit të votave (GNV).
- Kostoja financiare e zgjedhjeve llogaritet në rreth 744 milionë lekë.
- Mbi 9 mijë vëzhgues, vendas dhe të huaj, do të monitorojnë zgjedhjet në ditën e votimeve dhe pas tyre.
(ma.ar/er.nu/e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera Kukan: Dhuna në zgjedhje e papranueshme, duhet hetuar Sequi: Dhuna e papranueshme, do shkoj personalisht në zonat ku ka incidente Korçë, dhunohet kreu i forumit rinor të PD në Libonik Manjani: Ngjarja në Laç, tension i pastër politik i PD Shpërthimet në Vlorë, Malaj: Palët të distancohen nga çdo akt dhune Shpërthen makina e sekretarit të PS në Vlorë. Tepelena: Ngjarja politike Verdikti 2013, pritshmëritë në mandate sipas qarqeve VIDEO: Shqipëria vendos sot. Hapen qendrat e votimit, kryetarja e KQZ: Votoni!