Zgjerimi i trazirave në Lindjen e Afërt shtrenjton naftën
Çmimet e naftës së papërpunuar të mërkurën në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar ngritje për shkak të përhapjes së trazirave në Lindjen e Afërt.
Pas Libisë, Sudanit dhe Tunizisë, përleshjet janë zgjeruar edhe në Bahrejn, Jemen dhe Siri. Pesë protestues janë vrarë dhe qindra janë plagosur në sulmin e forcave të sigurisë kundër kryengritësve në sheshin qendror në Manama, kryeqytet i Bahrejnit.
Të dhënat e mëhershme flasin për të paktën dy të vdekur dhe një numër të madh të plagosurish. Forcat e Bahrejnit kanë ndërhyrë dhunshëm ndaj protestuesve, të cilët qe një muaj po kërkojnë reforma në vend.
Forcat siriane të sigurisë kanë shpërndarë rreth 150 demonstrues, të cilët para selisë së Ministrisë së Jashtme në Damask kërkuan lirimin e të burgosurve politikë, kanë njoftuar dëshmitarët nga terreni. Në Jemen të paktën 120 persona janë lënduar në protesta, ku po kërkohet dorëheqja e presidentit të shtetit.
Një barel i naftës së papërpunuar për dërgesat e prillit sot paradite në bursën e Nju Jorkut është shtrenjtuar për 1,23 dollarë në 98,41 dollarë, derisa në bursën e Londrës çmimi i naftës është shtrenjtuar për 1,62 dollarë në 110,14 dollarë.