E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenerali Buhler vizitoi Malin e Zi

Nga Express më 16 mars 2011 në ora 18:49

Në kuadër të turnit në vendet e Ballkanit, komandanti i forcave të KFOR-it, gjeneral majori Erhard Buhler e ka vizituar të mërkurën zyrtarisht Republikën e Malit të Zi, me ç’rast ka shkëmbyer pikëpamjet mbi situatën e sigurisë dhe gjendjen politike në rajon me ministrin malazez të Mbrojtjes, Boro Vuçiniq.

Zyra për informim e KFOR-it, bëri të ditur se gjenerali Buhler e ka informuar ministrin malazez për stabilitetin e përmirësuar në Kosovë.

Ai ka thënë se kjo është edhe arsyeja që numri i ushtarëve të KFOR-it mund të zvogëlohet dhe riorganizohet në mënyrë që të jenë më fleksibil dhe të rrisin mobilitetin e tyre.

Në këtë rast Buhler thuhet të ketë lavdëruar marrëdhënien pozitive me Serbinë dhe punën e jashtëzakonshme të Komisionit të Përbashkët Implementues, i cili gjithashtu është përgjegjës për kontaktet në mes KFOR-it dhe autoriteteve të Malit të Zi.

Ndërkaq ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Boro Vuçiniq falënderoi gjeneralin Buhler për punën e jashtëzakonshme që KFOR-i ka bërë gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa ka vlerësuar se misioni i NATO-s ka kontribuar fuqishëm në stabilitetin dukshëm të ngritur të Ballkanit Perëndimor dhe perspektivës së tij evropiane.

Vuçiniq ofroi përkrahjen e tij politike për përkushtimin e KFOR-it në stabilizimin e mëtejmë të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë komandanti i KFOR-it gjithashtu diskutoi çështjen e kontrollit të kufirit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës dhe theksoi se KFOR ka për qëllim që këtë përgjegjësi ta transferoj te Policia Kufitare e Kosovës.

Bëhet e ditur se pas takimit me Ministrin e Mbrojtjes, gjeneral major Erhard Buhler ka zhvilluar një bisedë edhe me shefin e Mbrojtjes të Malit të Zi, Admiralin Dragan Samardziq. Po ashtu Buhler ka vizituar edhe hirësinë e tij Peshkopin Jovan të Dioklesë së Ostrogut në selinë e tij në Manastirin e Ostrogut.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›