E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Presidenti dhe organet e tjera të bëjnë transparencën e zgjedhjeve



Partia Socialiste ka denoncuar gjuhën e përdorur nga Kryeministri Sali Berisha në seancën e Kuvendit. Deputetët e kësaj partie i kërkojnë Presidentit të Republikës dhe organeve të tjera kushtetuese të bëjnë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Në një deklaratë të përbashkët, të cilën e lexoi Blendi Klosi, deputetët e kësaj partie betohen se do të vazhdojnë bojkotin e Parlamentit deri në hapjen e kutive të votimit. “Kërkojmë nga Presidenti dhe të gjitha institucionet kushtetuese të vendit, që të garantojnë për shqiptarët e të gjitha përkatësive politike transparencën e plotë të procesit zgjedhor, për t’u dhënë fund manipulimeve mafioze të zgjedhjeve në Shqipëri”, - tha Klosi. Më tej, deputetët dolën në mbrojtje të kryetarit të tyre të partisë dhe hedhin poshtë akuzat ndaj tij, duke thënë se “hedhim poshtë me vendosmëri të gjitha kërcënimet dhe shpifjet, harbutërinë e shfrenuar ndaj kryetarit të PS-së, deputetëve dhe familjeve të tyre, kërcënimet ndaj mediave, biznesit dhe institucioneve të pavarura”. Këtë deklaratë, PS e bëri pas një mbledhjeje grupi, ku deputetëve iu kërkua që të solidarizohen me kreun e partisë pas fjalimit të Kryeministrit në Kuvend. Deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe janë telefonuar për mbledhjen, por nuk kanë marrë pjesë. Në deklaratë thuhej: “Dënojmë me indinjate të thellë gjuhën e krimit dhe urrejtjes, e cila shpalos konceptin që Kryeministri i vendit ka për Kuvendin, duke shfrytëzuar foltoren më të lartë të përfaqësimit të popullit, dhe duke kthyer Kuvendin e një vendi anëtar të NATO-s dhe aspirant të BE-së, në një poligon për eleminimin e opozitës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›