E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerohet prania e investitoreve te huaj ne tregun e sigurimeve

Zgjerohet prania e investitorëve të huaj në tregun e sigurimeve.

Kështu, “Viena insuarance group” kryeson tregun shqiptar të sigurimeve.

Me blerjen e Intersig, grupi vienez ka zgjeruar praninë e tij në Shqipëri, pas “Sigma”s dhe “Interalbanian”.

Transaksioni është finalizuar në muajin Gusht dhe “Vienna Insurance Group” ka blerë 75% të aksioneve të “Intersig”.

Nëse do të miratohet nga Autoriteti i Konkurrencës, kjo blerje shënon një zhvillim të rëndësishëm në tregun e sigurimeve.

Me blerjen e “Intersig”, “Vienna Insurance Group” bëhet aktori më i madh, duke kaluar “Sigal Uniqa Group Austria”.

Sipas të dhënave më të fundit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për 7-mujorin e këtij viti “Sigal Uniqa Group Austria” zotëronte 30.8% të tregut, sipas volumit të primeve të arkëtuara, ndërsa “Sigma” dhe “Interalbanian”, dy kompanitë e “Vienna Insurance”, zinin së bashku 27.8%.

Me blerjen edhe të “Intersig”, pjesa në treg e “Vienna Insurance” arrin në 37%, duke marrë kryesimin e tregut shqiptar të sigurimeve.

Shitja e “Intersig” është hapi i radhës në ekspansionin e investitorëve të huaj në tregun shqiptar të sigurimeve.

Në katër vitet e fundit, dy kompanitë e mëdha austriake “Uniqa Group Austria” dhe “Vienna Insurance Group” kanë blerë tre kompanitë më të mëdha të sigurimeve në vend.

Pas blerjes së “Intersig”, dy gjigandët austriakë zotërojnë pothuajse 70% të tregut.

Ndërkohë, në dhjetor të vitit të kaluar grupi slloven “Triglav” bleu 51% të aksioneve të kompanisë “Albsig”.

Gjatë këtij viti, tregu i sigurimeve është rritur dhe zhvilluar më tepër krahasuar me një vit më parë.

Me liberalizimin e vizave, tregu i sigurimeve ka shënuar një rritje të dukshme, duke qenë se sigurimi i jetës është kusht për të udhëtuar drejt një shteti Shengen.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, gjatë periudhës janar-korrik 2011, të ardhurat nga primet nga primet e sigurimit kapin shifrën e rreth 5,2 miliardë lekëve, ose 7.80 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë e 2010. kjo ka rritur edhe më shumë besimin e investitorëve të huaj në tregun shqiptar të sigurimeve.

Aktualisht, tregu mbështetet kryesisht te sigurimet e detyrueshme apo gjysmë të detyrueshme, por, me sa duket, investitorët besojnë në potencialet e mëdha dhe të pashfrytëzuara të rritjes.

 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›