E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhën kryeprokurorët e vendit

Sot u mbajt takimi i radhës së anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Këshillit, kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi. 

Në këtë takim u diskutua për propozimin e komisionit vlerësues të kandidatëve për prokurorë në prokuroritë e qarqeve dhe në prokuroritë komunale të Republikës së Kosovës.

Anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës votuan për propozimin për emërimin e një kandidati për prokurorë në Prokurorinë e Qarkut në Pejë dhe një kandidati për prokuror në Prokurorinë e Qarkut në Mitrovicë.

Poashtu anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës votuan edhe për propozimin e komisionit vlerësues të kandidatëve për prokurorë në prokuroritë komunale të Republikës së Kosovës, katër në Prishtinë, katër në Pejë, një në Prizren, tre në Mitrovicë, tre në Gjilan, tre në Gjakovë dhe dy në Ferizaj.

Ky propozim gjatë javës do t’i dërgohet Presidentes së vendit për emërim.

Po në këtë takim, Këshilli Prokurorial shqyrtoi edhe propozimet e prokurorëve për kandidat për kryeprokuror të Prokurorisë së Apelit në Prishtinë dhe propozimeve për kandidatë për kryeprokurorë të tre prokurorive Themelore të Republikës së Kosovës.

Kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit, me seli në Prishtinë u zgjodh Aleksandër Lumezi, i cili aktualisht është kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë. Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, u zgjodh Shyqyri Syla, aktualisht kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë.
Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Pejë, u zgjodh Agron Galani, aktualisht kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Pejë dhe
Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjilan u zgjodh Jetish Maloku, aktualisht kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Gjilan.

Në takimin e ardhshëm Këshilli Prokurorial i Kosovës do t’i shqyrtoj edhe propozimet e prokurorëve për kandidatë për kryeprokurorë të Prokurorive Themelore në Prishtinë, në Prizren, në Gjakovë dhe në Ferizaj. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›