Nju Jork, nisin sot negociatat e reja Shkup- Athine
NJU JORK- Nisin sot në Nju Jork negociatat e reja mes Maqedonisë dhe Greqisë në lidhje me cështjen e emrit. Ndërmjetësi i OKB-së në bisedimet maqedono-greke për emrin, Metju Nimic do të ketë takime veçmas me përfaqësuesit e Maqedonisë dhe të Greqisë. Ndërsa nesër do të zhvillojë një takim të përbashkët me negociatorët e Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe Martin Protogjer, si dhe me negociatorin grek Ademantios Vasilakis. Në këtë takim pritet që Nimic të bëjë një propozim përfundimtar për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin.
Para këtij takimi presidenti i maqedonisë, Branko Cërvenkovski, kryeministri Nikolla Gruevski dhe liderët e partive zhvilluan një takim për të arritur në një qëndrim të përbashkët në lidhje me cështjen e emrit. Por kjo nuk u arrit. VMRO-DPMNE-ja, e cila është në pushtet mbështet qëndrimin se formula e dyfishtë është zgjidhja më e mirë - respektivisht emri kushtetues për të gjitha vendet dhe emri që do të arrihet për komunikimin dypalësh me Greqinë.
Partia në opozistë LSDM-ja e Cërvenkovskit ofron zgjidhje sipas së cilës referenca aktuale IRM është zëvendësuar me emër me përcaktim gjeografik, që nuk do ta prekë identitetin, gjuhën dhe kulturën nacionale.
Bashkimi Demokratik për Integrim do të mbështesë konsensusin që do të arrijnë partitë politike maqedonase, por që nuk do të pranojë zgjidhje e cila në vete do të përmbajë shtesa për përkatësinë etnike.
PDSH-ja nuk e komunikoi qëndrimin e saj, pasi lideri i saj Menduh Thaçi nuk mori pjesë në takim. Në takim nuk u ra dakord as për pesë konkluzionet e propozuara, që ishin: Të riafirmohen qëndrimet e Maqedonisë për hyrje në NATO dhe BE, se Maqedonia merr pjesë aktivisht në procesin për bisedimet për emrin, se formula e dyfishtë ka peshë politike dhe mund të konsiderohet si kompormis i mençur, se negociatorët e Maqedonisë nuk do të autorizohen të negociojnë për çfarëdo lloj zgjidhjeje lidhur me identitetin kombëtar maqedonas dhe të drejtën e vetëvendosjes. Përfundimi i fundit ishte se liderët e partive politike pajtohen me një propozim eventual konkret, që do të vinte si rezultat i një referendumi.
Nga Athina për momentin ka vetëm reagime të medias, por jo zyrtare për takimin në Nju-Jork. Mediat greke njoftuan se Nimici, do t'u parashtrojë sot dhe nesër propozimin final përfaqësuesve të Greqisë dhe të Maqedonisë për zgjidhjen e çështjes së emrit që me siguri do të bazohet në emrin "Maqedonia Veriore".
Sipas mediave greke, në rast se edhe kësaj radhe negociatat rezultojnë pa marrëveshje, bisedimet do të ngriheshin për një periudhë të pacaktuar për shkak të zgjedhjeve presidenciale në SHBA në nëntor dhe në Maqedoni të cilat pritet të zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm.
(s.g/BalkanWeb)