E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, ja kompromisi që duhet të bëjnë PD e PS

Bernd Fisher, studiuesi i njohur i historisë shqiptare ofron zgjidhjen: Rama e Berisha të takohen dhe të dyja palët të deklarojnë ngritjen e një komisioni parlamentar, hapjen e kutive dhe hyrjen e PS në Kuvend . Profesor në Universitetin e Indianës, Bernd Fisher thotë se zgjedhjet, të drejtat e njeriut dhe korrupsioni mbeten çështje shqetësuese për Shqipërinë. Ai thekson se në legjislacion ka prirje për të forcuar pozitën e kryeministrit

Bernd Fisher, profesor në Universitetin e Indianës në Fort Uejn të Shteteve të Bashkuara, i tha dje “Zërit të Amerikës”, se priste një raport kritik nga Uashingtoni mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri. Fisher është mendon se shumëçka pritej të ishte më e lehtë në rrugën e reformave pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, nuk ka ndryshuar, sidomos me zgjedhjet dhe në raportet me korrupsionin. Bernd Fisher, studiues i historisë së shqiptarëve, veçon se vendi është në një çast kritik dhe se partitë duhet të kapërcejnë problemet. Ai ka botuar librat “Shqipëria në luftë”, “Mbreti Zog dhe Lufta për Qëndrueshmëri në Shqipëri”, ndërkohë që po shkruan një biografi të Enver Hoxhës dhe po kontribuon për dy libra të tjerë, një për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe një tjetër për hebrenjtë në Shqipëri, veçanërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.
 
 
-Profesor Fisher, ju e keni studiuar Shqipërinë për një kohë të gjatë. Duke pasur parasysh periudha të ndryshme që ju keni studiuar, si edhe zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, si do ta përshkruanit situatën sot në Shqipëri?
-Bernd Fisher: “Mendoj se rezultatet janë të përziera. është e qartë se ka pasur disa përparime me zgjedhjet e fundit, pavarësisht nga fakti që kishte disa probleme. Ato ishin një hap përpara si për sa i takon bashkëpunimit fillestar mes dy partive kryesore për ristrukturimin e sistemit. Mendoj se pati përparim të konsiderueshëm në drejtim të regjistrimit të votuesve. Por ka edhe një anë negative për zgjedhjet. Zhvillime të tjera pozitive përfshijnë disa raporte të organizatave ndërkombëtare, raporti i Komisionit Europian në nëntor ishte pozitiv, raporti i fundit për klimën e biznesit ishte pozitiv, duke sugjeruar se Shqipëria ka lirinë më të madhe të biznesit në Ballkan. Megjithatë, ka disa drejtime, ku ende mbetet shumë për t'u përmirësuar, sidomos në aspektet politike”.
-Shqipëria u bë anëtare e NATO-s dhe qeveria ka thënë se ka luftuar korrupsionin dhe do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë. çfarë mendoni ju për këto zhvillime?
 “Anëtarësimi në NATO është arritje e madhe, shumë kritike në shumë nivele. Kjo tregon se shpresat janë të mëdha nga vendet e tjera të NATO-s, disa prej të cilave u përpoqën shumë për të bërë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë. Mendoj që nga përmbysja e komunizmit është një nga arritjet më të rëndësishme për Shqipërinë. Megjithatë ka pasur një nivel zhgënjimi nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të tjerë të komunitetit ndërkombëtar, në kuptimin që kishte shpresa që anëtarësimi në NATO do të përshpejtonte procesin e reformave, që do të pakësonte praninë e korrupsionit si në ekonomi, ashtu edhe në strukturën politike. është e qartë që edhe në këtë drejtim mbetet ende shumë për t'u bërë, veçanërisht për konceptin e stabilitetit politik dhe shtetit ligjor”.
-Ku i bazoni përfundime të tilla për pakënaqësinë e SHBA-ve apo faktorëve të tjerë mbi ecurinë e reformave në Shqipëri?
“Kryesisht tek komentet e ambasadorit Uidhërs, i cili në javët dhe muajt e fundit është shprehur shumë qartë në komentet e tij lidhur me bojkotin e Parlamentit nga PS-ja. Ambasadori herë pas here akuzohet për përfshirje më të madhe në procesin politik të Shqipërisë, sesa duhet të bëjë një ambasador. Unë argumentoj se roli i tij është të mbështesë Shqipërinë dhe jo një qeveri të veçantë, të mbështesë interesat e Shqipërisë brenda strukturës euroatlantike. Mendoj se ai ka kryer një rol të dobishëm në këtë drejtim. është e qartë që ai flet në emër të Departamentit të Shtetit. Ka edhe aspekte të tjera, si për shembull raporti për të drejtat e njeriut i Departamentit të Shtetit që pritet të bëhet publik muajin e ardhshëm, që unë parashikoj të ketë kritika për situatën politike në Shqipëri”.
-Kemi pasur zgjedhje vjet, por acarimet kanë vazhduar, kemi partinë kryesore opozitare që nuk merr pjesë në parlament.
 “Marrëdhëniet mes dy partive kryesore janë më të vështira se asnjëherë më parë. Jam veçanërisht i shqetësuar për të atë që nuk mund të cilësohet ndryshe, përveçse gjuhë urrejtjeje nga të dyja partitë kryesore, sidomos kur bëhet fjalë për udhëheqjen e tyre. Që demokracia të funksionojë, duhet të kesh një opozitë, përndryshe do të ishte vetëm një parti që krijon rregulla, nga të cilat do të përfitonte ai institucion. Një nga elementet që po shohim aktualisht me legjislacionin e kohëve të fundit, është prirja për të forcuar pozitën e kryeministrit në krahasim me parlamentin. Nëse flasim për plane afatgjata, kjo nuk është pozitive, pasi ndërhyn me ndarjen tradicionale të pushtetit. Ky është një nga aspektet më negative të gjendjes së krijuar, të bojkotit. Ka edhe shumë pasoja të tjera, përfshirë faktin që qeveria e ka të pamundur të miratojë ligje të rëndësishme që kanë nevojë për më shumë se 50 për qind të votave për të kaluar në parlament, veçanërisht reformat e rëndësishme që BE i ka kërkuar Shqipërisë të miratojë për ta përmirësuar pozitën në përpjekjet e saj për të hyrë në BE. Ka shumë probleme të krijuara nga marrëdhëniet mes dy partive, përfshirë krizën aktuale politike”.
-çfarë mendoni ju se janë detyrimet e PD-së për të afruar partinë kryesore të opozitës dhe cila është përgjegjësia e partisë kryesore të opozitës. A ndihmon bojkoti për të zgjidhur diçka në situatën e krijuar?
“Nuk mendoj se bojkoti do të jetë efektiv. Kriza politike mund të zgjidhet vetëm nëse të dyja partitë kryesore politike bëjnë një kompromis. Më konkretisht, unë mendoj se partia në pushtet, qeveria “Berisha”, duhet të marrë seriozisht në konsideratë hapjen e kutive të votimit, rishqyrtimin përmes një komisioni parlamentar të zgjedhjeve të fundit dhe mendoj se PS-ja duhet ta shqyrtojë me seriozitet t'i japë fund bojkotit dhe të hyjë në parlament. Bojkoti mund të kishte qenë efektiv për dy javët e para ndoshta, si gjest simbolik. E dimë që kryeministri Berisha nuk para u përgjigjet këtyre lloj sinjaleve, por komuniteti ndërkombëtar mund të kishte reaguar dhe me siguri do ta kishte lënë PS-në moralisht në një pozitë të favorshme. Tani bojkoti vetëm po shkakton dëme. Por duhet të theksoj se duhet të ketë përpjekje nga të dyja partitë për të arritur kompromis. Një gjë të tillë e sugjeroi së fundmi Këshilli i Europës dhe mendoj se është diçka e arsyeshme. Nuk mendoj se është e mundur që një parti të presë, që partia tjetër të tërhiqte nga pozicioni i vet, kështu që kompromisi nga të dyja palët besoj se do të ishte hapi i parë për të zgjidhur këtë çështje”.
-Ju sugjeroni që partia në pushtet të vendosë për hapjen e kutive që PS të hyjë në parlament, sepse këtë kërkon?
“Nuk besoj se do të funksionojë kështu, pasi do të shihej si tërheqje e një partie para kërkesave të tjetrës. Mendoj se mënyra më efektive në këtë rast do të ishte që të dyja palët të bënin lëshime në të njëjtën kohë, që të mos duket se njëra po dorëzohet para tjetrës. Do të ishte mirë që udhëheqësit e dy partive të takoheshin dhe të punonin për një zgjidhje të mundshme, ku të dyja palët të deklarojnë njëkohësisht për ngritjen e një komisioni parlamentar, hapjen e kutive dhe hyrjen e deputetëve socialistë në parlament. Mendoj se Shqipëria është në një pikë kritike kthese, veçanërisht marrëdhënia me BE. Deklaratat e muajit të fundit të BE kanë qenë të forta dhe mendoj se thirrjet prapa skenave janë edhe më të forta, duke pasur parasysh që BE ka prirjen t'i paraqesë më të zbutura kërkesat e tij në publik. Pra, gjendja për Shqipërinë është kritike. Nëse ky problem nuk zgjidhet shumë shpejt, rruga e Shqipërisë drejt BE do të ndërlikohet seriozisht. Do të doja të përmendja që më parë fola për disa nga zhvillimet pozitive përsa u takon zgjedhjeve dhe klimës së biznesit. Por duhet t'u kushtojmë vëmendje edhe disa prej zhvillimeve negative, si për shembull ai i “Transparency International”, ku Shqipëria kishte rënë besoj 10 pikë. Kjo është shumë shqetësuese. Po ashtu edhe raporti i “Freedom House”, ku është e rëndësishme të theksojmë se fqinjët e Shqipërisë po ecin përpara për sa i takon procesit të demokratizimit dhe luftës kundër korrupsionit. Mali i Zi ka kaluar në kategorinë e vendeve të lira, Kosova ka kaluar nga grupi i vendeve jo të lira në atë pjesërisht të lira. Ndërsa Shqipëria nuk ka pasur lëvizje. Mendoj se ngecja do të thotë në thelb një hap prapa. Pra, kjo është një periudhë kritike dhe kërkon pjekuri nga ana e udhëheqësve politikë të Shqipërisë, por, fatkeqësisht, ajo nuk është shfaqur, të paktën dy muajt e fundit”.
 
 
 
Qeveritari
 
Meta: I mirëpritur dialogu te presidenti, PS të hyjë në Kuvend
 
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha dje, se ishte normale rezoluta e Këshillit të Europës për dialog, përfshi ndërmjetësimin presidencial. Sipas Ilir Metës, “rezoluta bën të qartë dhe apelon për kthimin sa më të shpejtë të PS në parlament”. Meta i bëri deklaratat për BBC-në. “Ashtu sikurse rezoluta është në favor të një hetimi të zgjedhjeve, por pa cënuar Kushtetutën e vendit që është një element tepër thelbësor në respektimin e parimeve kryesore të shtetit të së drejtës dhe absolutisht që çdo tryezë, çdo dialog është tepër pozitiv”, - tha ai, teksa shtoi se nuk shihte “asnjë pengesë”. “Nuk e kuptoj se çdo të thotë që dikush të mos shkojë në një tryezë, dikush t'i shmanget dialogut në një vend demokratik, por për dialogun duhet të jenë dy palë. Mazhoranca asnjëherë nuk do të mungojë, përkundrazi do të krijojë të gjitha hapësirat që edhe lidershipi i opozitës të shkontraktohet dhe të marrë pjesë në mënyrë normale dhe të natyrshme në këtë proces të dialogut politik dhe forcimit të institucioneve demokratike”, - tha Meta. Ai, ndonëse vërejti sakaq keqardhje të Athinës për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kufirin detar shqiptaro-grek, nuk mendon kushtëzime për raportet e Shqipërisë me BE-në nga Greqia. Ai tha se i vinte keq për këtë “instrumentalizim të kësaj çështjeje për qëllime krejtësisht të ngushta politike”. Meta u takua në Londër me ministrin e Jashtëm Plotësues të Greqisë, Dhimitër Drucas, ndërsa merrnin pjesë në Konferencën për Afganistanin. “Nga gjithë studimi që unë i kam bërë kësaj çështjeje, nuk shikoj asnjë tendencë të tillë. Mendoj që zgjidhja e këtyre çështjeve, zgjidhja e çështjeve të kufijve në tërësi, për vendet që ende nuk i kanë zgjidhur ato dhe që synojnë të anëtarësohen në BE, është një avantazh më shumë për të ecur më të sigurt në këtë rrugë, por absolutisht që të gjithë ata që pretendojnë apo që nxisin thashetheme të tilla, do të thosha absolutisht që do të ngelin të zhgënjyer”, - tha Meta.
 
 
 
Presidenti
 
Topi i brengosur që për Shqipërinë debatohet në Strasburg
 
Kryeshtetari Bamir Topi shprehu brengën dje, për shkak të gjendjes së krijuar në Shqipëri dhe për më tepër që debatet janë zhvendosur në Strasburg. Topi i bëri komentet në takimin me Manuel Montobio de Balanse, ambasadori i Spanjës që mban Presidencën e Radhës të BE-së deri më 30 qershor dhe me Luixhi Bruzën, përfaqësues i Delegacionit të Komisionit Europian. Kryeshtetari vërejti se kishte lexuar me vëmendje të madhe rezolutën e Këshillit të Europës dhe shtoi se gjendja e Shqipërisë e brengoste, ngaqë debatohej në Strasburg mbi funksionimin e institucioneve demokratike shqiptare. Presidenti kujtoi se me kujdes të madhe e përcillte gjendjen pas zgjedhjeve të 28 qershorit, andaj shtoi se mirëpriste të gjitha përpjekjet serioze për të kontribuuar në rivendosjen e dialogut kuvendar
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›