E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Thellim të bashkëpunimit të përbashkët në të gjitha fushat, edhe atë ndërpartiake

11-08-2013 / Gazeta 55

Zgjedhja në krye të PD-së - Basha u shkruan homologëve kosovarë, shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me Isa Mustafën, Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn

Në letrën për Isa Mustafën e LDK-së, Basha zotohet për të vijuar bashkëpunimin në rrugën që shtruan liderët historikë të dy forcave politike, Sali Berisha dhe Ibrahim Rugova. Në letrën për Hashim Thaçin, kreu i demokratëve shpreh bindjen se potencialet e dy forcave të tyre politike mund të shkëmbehen me qëllim forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve të përbashkëta. Për thellimin e bashkëpunimit kreu i PD-së, Basha angazhohet edhe në letrën dërguar Ramush Haradinajt, kreut të AAK-së

Po vendos kontaktet me statusin e tij të ri. Homologëve kosovarë, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha iu ka shkruar letër. U ofron e u kërkon bashkëpunim në të mirë të forcave politike që drejtojnë e të shqiptarëve në të dy anët e kufirit. Në letrën për Isa Mustafën kreun e LDK-së, Basha zotohet për të vijuar bashkëpunimin në rrugën që shtruan liderët historikë të dy forcave politike, Sali Berisha dhe Ibrahim Rugova. Në letrën për Hashim Thaçin, kryeministrin e Kosovës dhe kreun e PDK-së, Basha shpreh bindjen se potencialet e dy forcave të tyre politike mund të shkëmbehen me qëllim forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve të përbashkëta në të gjitha fushat edhe atë ndërpartiake. Për thellimin e bashkëpunimit kreu i PD-së, Basha angazhohet edhe në letrën dërguar Ramush Haradinajt, kreut të AAK-së. I qëndron kështu memorandumit të firmosur më herët nga këto dy forca politike të spektrit politik të djathtë, sipas parimeve të vendosura nga Haradinaj dhe ish-kreu demokrat Berisha. Me rastin e zgjedhjes në krye të PD, Lulzim Basha mori mesazhe të shumta urimi nga liderët shqiptarë në Kosovë, të cilët e uruan atë për fitoren dhe siguruan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe thellimit të marrëdhënieve midis Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe forcave politike shqiptare të Kosovës. Kështu, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi në mesazhin e urimit drejtuar z.Basha, thotë se thellimi i marrëdhënieve midis PDK-së dhe PDSH-së i shërben edhe forcimit të raporteve midis dy vendeve tona, me synim për promovimin e vlerave të përbashkëta në planin e brendshëm dhe me vizion të integrimeve euroatlantike, në planin global. Të njëjtin mesazh kanë përcjellë edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj si dhe kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ata shohin tek lidershipi i Bashës forcën e mbështetjes së fuqishme për proceset demokratizuese dhe integruese të Kosovës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›