E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, 50 gra të vrara nga burrat në 4 muaj

Foto ilustruese

Shifra tronditëse tregojnë raportet në Itali për sa I përket grave të vrara nga  bashkëshortët ose ish-bashkëshortët. Së fundmi tregohet se vetëm në katër muaj ka pasur rreth 50 gra të  vrara  në Itali

Autoritetet dhe shoqëria civile në Itali janë tejet të shqetësuar nga rritja e numrit të krimeve brenda familjes, duke pohuar se vrasja e grave është kthyer në një emergjencë për shoqërinë.

Autoritetet e vendit fqinj flasin për 50 gra të vrara nga i dashuri, bashkëshorti apo ish-i i tyre.

Gratë janë vrarë për motive obsesioni, xhelozi, zënka të rënda në çift dhe persekutim, thotë kriminologia Roberta Bruzzone për agjencinë ANSA.

Sipas saj dhuna në familje është rritur ndjeshëm dhe numri i vrasjeve gjatë këtij viti është tejet shqetësues.

Të dhënat zbulojnë se në Itali vritet një grua çdo dy, tre apo katër ditë nga i dashuri apo ish-i.

Sociologët thonë se edhe klima sociale e sotme po i shtyn çiftet në të tilla akte të rënda, andaj sipas sociologëve nuk duhet toleruar as edhe një shuplakë, pasi pas saj me siguri, thonë ata, do të pasojnë akte të tjera edhe më të dhunshme.

Kriminologia italiane Roberta Bruzzone nuk i konsideron këto krime si të kryera prej pasionit apo çmendurisë, por sipas saj janë krime të paramenduara, të kryera me mendje të kthjellët.

Ajo artikulon më tej se vrasja e grave është një krim i ndodhur prej urrejtjes, akte të cilat autorët i shohin si mënyrë për të vënë nën kontroll viktimat e tyre.

Këto krime sipas saj nuk kanë asnjë lidhje me dashurinë. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›