E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhaklina Dhimojani: Një bisedë me Polanskin... edhe për Shqipërinë

Të gjithë e njohim për Mimoza llasticën. Këto ditë në Tiranë, nga një takim në tjetrin, i duhet ta kërkojë shpesh brenda vetes, ta kujtojë, por edhe ta tregojë këtë personazh. Zhaklina Dhimojani ka ndërtuar një jetë larg sheshit të xhirimit, me ëndrrën për aktrim që i mbetet ende e gjallë

Në vajtje-ardhjet mes Zvicrës dhe Tiranës, Zhaklina Dhimojani vazhdon të jetojë një identitet të dyfishtë. Për shqiptarët, edhe pse një grua 45-vjeçare, bashkëshorte dhe nënë, ajo vazhdon të mbetet Mimoza llastica, vajza me bishtaleca që regjisorja Xhanfise Keko krijoi në sheshin e xhirimit. Atëherë 7 vjeçe, ëndrra e saj e aktores nisi dhe mbaroi aty. Mbeti një kujtim, një nostalgji dhe një histori që rrëfehet andej dhe këtej kufijve. Se sa shumë e personifikon ai rol, e sheh qartë në reagimin e një adoleshenti, i cili nën shkrepjet e blicit, mëson se ajo është e dikurshmja Mimoza llastica. E ndodhur këto ditë në Tiranë, Zhaklina Dhimojani tregon për të shkuarën dhe të sotmen. E tashmja e saj është familja, por edhe episode të veçanta, si takimi dhe biseda e shtruar me regjisorin e njohur Roman Polanski.

Prej disa ditësh ndodheni në Tiranë. Ka një motiv të posaçëm ky udhëtim?

Ishin një tërësi gjërash që më sollën këtë radhë në Tiranë. Mbi të gjitha jam regjistruar për të vazhduar studimet part-time në Fakultetin e Juridikut. Drejtësia ka qenë një nga pasionet e mia, përveç aktrimit dhe dua ta përmbush këtë ndjenjë. Nuk synoj që kjo ndërmarrje e imja të më shërbejë për karrierë, unë jam tashmë 45 vjeçe dhe pas studimeve do të jem 50. Jam shumë e tërhequr nga ndjenja e së drejtës dhe besoj se im shoq, Stefan Blatter, doktor i shkencave juridike, ka ndikimin e vet në këtë vendim.

çfarë gjeni pas çdo kthimi në Tiranë?

çdo herë që vij shoh një ndryshim të prekshëm. Më duket se gjithkush në Shqipëri kërkon të bëjë diçka më shumë; një shkollë, një biznes... Nuk e kam hasur këtë as në Itali e Zvicër, ku jetoj prej disa vitesh. Nganjëherë më duket vetja sikur kam mbetur shumë pas dhe udhëtime të tilla më japin shtysë. Por kjo dëshirë për mua është në rrafshin njerëzor dhe jo politik, zhvillimet e së cilës nuk i ndjek prej disa vitesh, e zhgënjyer nga përpjekjet e gjithsecilit për të marrë një fron. Këto rikthime më japin gjithashtu mundësi të takoj njerëz që përfaqësojnë të shkuarën time dhe kjo më bën shumë mirë.

Nëse kthehemi në të shkuarën tuaj, Mimoza llastica është imazhi publik që keni lënë në Shqipëri. Si e kujtoni ju atë eksperiencë?

Ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme, që më ka ndërruar jetën.

Mimoza llastica dhe shprehja “pse ma ke lëpirë gjalpin” do të më shoqëronin kudo që në moshën 7-vjeçare e deri vonë, kur luajta një tjetër rol, jo protagonist, në filmin “Qortimet e vjeshtës”, i cili gjithashtu pati mjaft impakt. Atëherë isha 17 vjeçe. Në moshën 23-vjeçare realizova edhe një film me metrazh të shkurtër, por jeta ime kishte marrë tashmë një drejtim tjetër. Në atë moshë shanset ishin të pakta, pasi përzgjidheshin aktorë të mirëfilltë, që kishin studiuar për aktrim. Gjatë atyre viteve vazhdova të aktivizohesha në televizion si spikere, si interpretuese, prezantuese, por isha koshiente se ato ishin gjëra që mbeteshin aty, nuk kishin të bënin me të ardhmen time.

Ju provuat të ishit aktore vetëm në vogëli. Sa e gjallë ka mbetur kjo dëshirë?

Mund të duket edhe qesharake që në moshën 45-vjeçare të vazhdosh të flasësh ende për këtë ëndërr. Kjo nuk do të thotë se nuk kam ëndrra të tjera, por aktrimi ishte ëndrra ime më e madhe. Por mbeti vetëm një ëndërr. Im atë kishte plot paragjykime atë kohë për botën e artit, veçanërisht atë të filmit dhe kjo qe një arsye e fortë për të më penguar.

E shihni më “Mimoza llasticën”?

E kam parë për herë të fundit kur ime bijë, Aleksandra, ishte 6-7 vjeçe (sot është 14). Nuk di pse ndodh, ndoshta ngaqë aktrimi është ende një peng i madh brenda meje. Jam ndjerë po aq keq kur kam lexuar kujtimet e regjisores Xhanfise Keko. Isha në Tiranë kur Ilir Keko më dhuroi librin. Kam nënvizuar atë pjesë që më përket mua, më ka prekur dhe kam qarë. “Zhaklina Dhimojani, jo më shumë se tetë vjeçe, veçoi që në takimin e parë me fëmijët e përzgjedhur. Ajo ishte shumë e bukur, shumë kapriçioze dhe shumë e përkëdhelur. Mbetej të provohej nëse ishte dhe shumë e talentuar. Ditët që pasuan treguan se ajo jo vetëm ishte shumë e talentuar, por mund të konsiderohet dhe zbulim”, shkruante ajo në kujtimet e saj. Kjo më bëri të kuptoj se kisha pasur të drejtë në ndjenjën e fortë që kisha për t’u bërë aktore.

çfarë përfaqësonte për ju Xhanfise Keko?

Xhanfise Keko për mua përfaqësonte atë që çdo grua do të donte të ishte në Shqipëri, por që realisht ishin pak. Ajo ishte e lidhur me atë botë që përfaqësonte dhe qëndronte në piedestal. Unë e konsideroj veten me fat dhe fati im fillon me takimin me atë femër. Unë kam qenë 7-8 vjeçe dhe nuk kujtoj shumë hollësira nga puna me të, por për mua si fëmijë ka qenë model: nga modeli i nënës, te modeli si artiste.

Largimi juaj nga Shqipëria i dha një rrjedhë tjetër jetës suaj. Latë pas një vend komunist, për të shkuar në një tjetër në liri. Si u gjendët në këtë jetë të re?

Ishte viti 1990 dhe të gjithë e dimë se çfarë ndodhi. Unë nuk kam ikur ilegale, por me një vizë të rregullt, të cilën e mora me ndihmën e një personi me të cilin kisha pasur një lidhje shumë të gjatë, 8-vjeçare. E dija se kjo ishte gjëja që do të na ndante përfundimisht. Kanë kaluar 20 vjet dhe as jemi parë e as jemi dëgjuar më. Por e dija edhe që po shkoja në një botë shumë ndryshe nga e jona, duke filluar që nga mentaliteti e të tjerat me radhë. Por isha e hapur në atë çfarë prisja, për më tepër që realiteti italian për një shqiptare nuk ishte shumë i panjohur. U gjenda disi e papërgatitur përballë faktit që jeta nuk ishte aq e lehtë, e dhuruar si ajo e reklamave, drejt asaj që tentuan mijëra shqiptarë përmes anijeve. Ishte jetë që do të fitohej çdo ditë me shumë mundime. Unë kam qenë gjithmonë me fat. Në kohën dhe momentin e duhur më është gjetur diçka. Që në fillim punova në një zyrë të vogël te një ndërmarrje ndërtimi, ndonëse në rolin e një kontabili të rëndomtë. Ndërsa më vonë gjeta punë si përkthyese, ku punova gati 11 vjet. Zotësia e shqiptarëve dhe sidomos e femrës nuk linte kaq indiferentë njerëzit e tjerë. Në kufirin mes Italisë dhe Zvicrës, unë mendoja se duhet të punoja fort për të krijuar një imazh ndryshe nga ai që mund të mendohej, por para meje atje kishte punuar Elvira Dones dhe na e kishte bërë gati kartëvizitën mua dhe femrave të tjerave që do të vinin më pas. Largimi për në pjesën gjermane të Zvicrës ishte një çatdhesim i dytë për mua. Akoma kam mbetur pak nostalgjike për Italinë, por mbi të gjitha kam ngelur nostalgjike për Shqipërinë. Në fillimet e një rrugëtimi të tillë, njeriu zhvlerëson atë që është dhe mbivlerëson atë që gjen, duke nisur nga kuzhina e të tjerat me radhë. Tani unë jetoj rikthimin në origjinë.

Për çfarë ndjeni nostalgji?

Për shumë gjëra. Ky është vendi im. Ndoshta edhe për faktin se si e kam jetuar unë jetën time. Përveç faktit që s’u bëra aktore, kam njohur suksese. Të bëhesh e njohur që në moshën 7-vjeçare, të jesh aktive në aktivitete të ndryshme, të bësh një shkollë, të kesh shoqëri... Ka qenë një periudhë e jetës sime, rreth viteve ‘92, që në qoftë se nuk do të kisha gjetur punën si përkthyese, e cila më mbante në kontakt të vazhdueshëm me Shqipërinë përmes emigrantëve, që më bënte të ndjehesha shumë mirë kur ndihmoja të tjerët të shprehnin atë që mendonin, si kishte ikur nga Shqipëria, një punë që më bënte të harroja se paguhesha mirë në fund të muajit, do të isha kthyer në Shqipëri. Ndërkohë kisha njohur babain e vajzës sime, një djalë italian, e më vonë njoha atë që sot është burri im. Këto të mbajnë lidhur në një vend. Por dinjiteti i një personi është në vendin e tij.

Ju mungon fakti i të qenit person publik?

Sot unë nuk jam person publik për meritat e mia, por jam person publik sepse jam gruaja e një personi publik. Jetoj të qenit i njohur edhe indirekt, përmes bashkëshortit tim. Unë nuk punoj më dhe kjo është zgjedhja ime, sepse kam punuar shumë, kam një vajzë që po rritet e që ende ka nevojë për mua. Dua t’i qëndroj afër.

Vetëm pak kohë më parë ju jeni takuar me regjisorin e njohur polak, Roman Polanski. çfarë do të thotë një takim i tillë për një vajzë që ka aspiruar të jetë aktore?

është një eksperiencë e paharrueshme, jo vetëm për mua, por edhe për time bijë. Ajo është 14 vjeçe dhe botën e artit e sheh si një botë dëshirash. Pas atij takimi ajo nuk ka fjetur tre net. Aleksandra i bie kitarës, pikturon mirë dhe ka shumë mendime në kokë për të ardhmen. Pas takimit me Polanskin, më tha se tashmë e di se çfarë do të bëhet: të studiojë në një shkollë për dramë, që ai vetë ia sugjeroi. Biseduam mes të tjerash dhe për aktorët. Ai u shpreh se një njeri që bëhet aktor rastësisht, sepse në momentin e duhur takon personin e duhur, nuk shkon shumë gjatë. “Unë jam për një aktor që kalon më parë nga shkolla e artit”, më tha ai. Pikërisht të njëjtën gjë do të bënte edhe vajza e tij. Por ai e njihte edhe Shqipërinë. Ai vetë është polak, por thoshte se Shqipëria ka përjetuar një nga diktaturat më të egra. Më çuditi që kishte shumë miq shqiptarë që i përkasin botës së artit, veçanërisht ata që jetojnë në Paris. Gjithsesi, ajo bisedë mbeti e hapur për një herë të dytë.

I treguat për ëndrrën tuaj?

Jo, më erdhi turp. I tregova vetëm për ëndrrën e sime bije.

Me çfarë mendimesh dolët nga ai takim?

Dola me mendimin që njerëzit e mëdhenj janë ata që janë kaq të thjeshtë, ata që ulen dhe flasin për gjërat më normale dhe kjo i bën akoma edhe më të mëdhenj. Gjatë një ore e 45 minutash bisedë (e mundësuar falë një leje të posaçme që ka im shoq si funksionar i lartë), pavarësisht asaj që i ka ndodhur dhe asaj që jeton aktualisht në arrest shtëpie, ai fliste për familjen e vet, dhe vuante për dhimbjen që u kishte shkaktuar atyre. Më çuditi fakti që të jesh personazh i atij kalibri, e të kesh mbetur me këmbë në tokë. Të jesh Polanski, por të jesh baba mbi të gjitha.

Nëse do të ndodhte që sot një regjisor shqiptar t’ju bënte ftesë qoftë edhe për kinoprovën e një roli, cili do të ishte reagimi juaj?

Kurrë mos thuaj kurrë, por unë e di që në Shqipëri kjo nuk ndodh. Janë artistë të mirëfilltë që nuk kanë mundësi për të punuar, jo se nuk kanë vlera për të shfaqur, por sepse është periudha e tillë me problematikën që ju e dini më mirë. Por nëse shkëputemi nga psetë e realitetit dhe të mendojmë për ëndrra, do të pranoja.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›