Tirana e Pirandelos, një ngjarje e madhe

Premiera / Është një ngjarje e madhe që ky spektakël teatror mbi veprën e Luigi Pirandello-s, tejkalon disa standarde të deri sotme, i kthen një dinjitet të ri pjekurie Teatrit Kombëtar dhe kësisoj e bën çdo spektator të sallës ta ndjejë veten fatlum që jeton në Tiranë, një ndjenjë që shpesh e pandehim si të harruar.
Në lozhën qendrore të teatrit, në vend të perandorëve, kajzerëve, kryetarëve të shteteve, madje edhe të përhapësve të propagandës si puna e Gëbelsit, si janë paraqitur nëpër kohëra rëndom, tashmë regjia ka vendosur gjashtë personazhet që kërkojnë autor nga drama me të njëjtin emër e Pirandelos.
Nuk jemi vetëm në dramën me të njëjtin emër të këtij dramaturgu të madh por edhe në Teatrin Kombëtar të Tiranës, në shfaqjen e posa vënë në skenë të regjisorit Mehmet Xhelili. Kështu me hapjen e siparit, jemi të qartë që po imponohet një botë artistike.
Regjisori Mehmet Xhelili, një nga baballarët e rij të teatrit shqiptar, kësaj here dhe përfundimisht ka vendosur t'i flasë spektatorit jo vetëm drejtpërdrejt, gati me një vepër vigane, jo vetëm të sjellë Pirandelon dhe të zbërthejë strukturën e thellë të brendshme të krijimit teatror, por ta bëjë spektatorin e tij shqiptar pjesëmarrës të një etape të re të teatrit për ta kthyer në një prej komponentëve të domosdoshëm të jetës.
Pikërisht për të arritur këtë, regjisë i është dashur së pari të ndërrojë pozicionet e pushtetit njerëzor, duke zhvendosur dinjitarët dhe zyrtarët dhe duke fokusuar në majat e shoqërisë personazhet njerëzorë, ata, që sipas fjalëve të vetë dramaturgut, janë të vetmit të pavdekshëm. Po aq e pavdekshme është edhe historia e një familjeje që vihet në qendër nga personazhet e një drame të veçantë, e cila sa herë që përsëritet në skenë, tregon dhe do të tregojë gjithmonë plagë dhe marrëdhënie dramatike. Këta janë Gjashtë personazhet që kërkojnë autorin, të cilët nga lozha ku janë vendosur, zbresin dhe inondojnë deri sa zotërojnë dhe mbretërojnë me ngjarjen e tyre tragjike dhe therëse në skenën ku më parë lëvizin gati në satirë, një grup aktorësh të lojës klasike, të drejtuar nga regjisorja e tyre, të cilën loja e aktores Olta Dako e zbret në kohë dhe në adresën kontemporane shqiptare, si pjesë e botës.
Pirandelo është një nga autorët që e shkundi dhe e tronditi skenën botërore me dramën "Gjashtë personazhe kërkojnë autorin". Ashtu si ka shkundur disa herë skenën shqiptare nga provincializmi, por këtë herë me sa duket ka ardhur koha ta kryejë misionin e tij në mënyrë të shkëlqyer. Kësaj here së bashku me Mehmet Xhelilin, ai krijon shtresëzimet e njëpasnjëshme të raporteve mes krijimit të personazheve dhe lojës së aktorit, pjesëmarrjen direkte të spektatorit për të zbuluar brenda njeriut, jo vetëm në ngjarje dhe zbërthim gradual dhe nderje, por edhe një dialog strukturor, ku gjithçka gjendet në vartësi dhe ndërthurje të njëra-tjetrës.
Megjithëse jemi mes personazheve dhe ngjarjeve që kulmojnë me skena të njëpasnjëshme ku personazhet pothuaj detyrohen të zbulojnë të fshehtat e tyre të mëdha, por edhe detyrojnë njëri-tjetrin që të zbulohen deri në skenën e vdekjes dhe të vetëvrasjes së dy fëmijëve, përsëri gjendemi nën dritën zbërthyese të një autori të sprovuar të skenës shqiptare, asaj të regjisë së Mehmet Xhelilit.
Kësisoj jemi përpara një ngjarje shumë të rëndësishme teatrale, veçanërisht për publikun shqiptar, i cili ka nevojë të hyjë në historitë e brendshme dramatike, të cilat vazhdon t'i dëgjojë përditë. Me ndihmën e Pirandelos, regjisori i shfaqjes, thyen tabutë e konvencioneve, që nga krijimi i skenave, krijimi i ndriçimit të drejtpërdrejtë, deri te ndjellja e vetvetishme që i bën hapjes dhe zbulimit të një marrëdhënieje njerëzore, ku seicili ka përgjegjësitë e veta.
Ne që sot më tepër se asnjëherë tjetër gjendemi përpara teknikave të reja të komunikimit, ku mbizotëron biseda e drejtpërdrejtë ose po sulmon reality show, me sa duket mjaft i nevojshëm, kuptojmë edhe njëherë gjithashtu, sa i rëndësishëm dhe i papërsëritshëm është ky zbërthim strukturor, kjo thellësi vertikale që përhapet horizontalisht në të gjithë aktorët, si nën amplitudat e një tërmeti të fshehtë, dhe që, në sajë të një përpunimi të shkallëzuar ku mendimi merr pjesë aktive së bashku me ngjarjen dhe emocionet, i bën autopsinë edhe vetë krijimit. Teatri është vendi më i denjë i këtij operacioni të hapur artistik, që edhe brenda përbrenda kohës dramatike krijon një kohë tjetër, me të gjithë stanjacionet dhe ndeshjet e saj të befasishme. Mehmet Xhelili arrin të krijojë këtë kohë të re para syve të spektatorit, duke zotëruar deri në perfeksion jo vetëm Pirandelon, lojën e aktorëve, por edhe krijimin personal. Gjithsesi kjo është një punë vigane, që ja vlen të përcaktohet hapur, pasi shfaqje të tilla tregojnë se teatri shqiptar, ka mbërritur në një faze të re pjekurie të botës së sotme kontemporane. Të zotërosh deri në pejzat më të holla një kryevepër artistike dhe ta pasurosh atë me shpirtin dhe intelektin e krijimit të distancave, ndonëse në invers, jemi përsëri në zonën krijuese, ku shkrimtarit i bie një barrë tjetër, të kthejë në një kohë të re, procesin nga mendimi, gjuha e folur, deri te shkrimi.
Ja përse flasim se në një kohë të tillë të komunikimit të hapur masiv, teatri, si në invers të tij edhe letërsia, do të jenë gjithmonë në pararojë të përpunimit të lëndës bruto njerëzore, e cila nuk arrin të thotë gjithçka vetëm me gjuhën e vet të drejtpërdrejtë. Por që të mos thuash gjithçka, do të thotë që të zotërosh një gjendje pothuaj memece, në nevojën e madhe të komunikimit.
Mjetet artistike të kësaj vënieje të madhe skenike janë të shumta. Mjafton të vëmë në dukje vetëm si përqendrohet veprimi dramaturgjik, nëpërmjet një pasqyre, ku personazhi i Eftiola Laçkës fokusohet njësoj si një pikë bërthame tragjike, në një nga skenat më thelbësore të zbërthimit të ngjarjes dhe konfliktit.
Epiqendër e këtij konflikti është burri apo babai, i cili ka detyruar gruan e tij të martohet me një tjetër, duke mbajtur krejtësisht për vete vetëm një fëmijë legjitim, dhe duke i kthyer rreth vetes të tjerët në shtëpi, pas një përdorimi të ankthshëm dhe brutal.
I luajtur me mjeshtëri nga aktori Fatos Sela, i duhet të paguajë, qoftë me modalitetet e larta dhe të shumta të ndërtimit të një karakteri brejtës dhe teknikë të lartë njerëzore, kur e di se sa e rëndësishme është batuta në shpalosjen e konfliktit deri të fshehta të tij më personale, për të vënë në çdo çast në një lëvizje të re edhe perceptimin e spektatorit.
Me një lojë të një ndjeshmërie të lartë, aktorja Eftiola Laçka ka krijuar në mënyrë prekëse viktimën dhe karakterin e thellë të një gjëmë të fshehtë, duke dhuruar në krijimin e karakterit dhe të dramës së personazhit, objektin e trupit vajzëror të rrezikuar nga incesti atëror, një dramë kjo që sa më shumë që përthyhet, aq më e fortë transmetohet te spektatori.
Në kontrast me patriarkun e familjes Sela dhe fëmijët e vendosur në dy kahe, deri edhe përtej vdekjes, e butë, gati nën nënshtrimin dramatik dhe peshën e vuajtjes dhe dhembjes lëviz në skenë aktorja Marjeta Ljarja, që sjell në teatër një nga rolet e saj më të ngrohta dhe më domethënëse. Nuk duhet mënjanuar edhe Dritan Boriçi, që bashkëngjitet dramës me shumë masë.
Mund të flitet për këtë shfaqje rreth mizanskenës precize dhe të shpenguar, ku të gjithë në çdo moment janë pjesëmarrës dhe ku aktorët, të gjithë plot pasion krijues që buron prej një pune të pjekur mirë e mirë, herë pas here vihen re raporte të caktuara të hapura me personazhet që u kanë ardhur për vizitë. Meritë e tyre është se asnjëherë nuk ndjehen keq, përkundrazi të gjithë së bashku pasurojnë në kompleksitet dhe tërësisht dramën e Pirandelos, duke u nisur nga Kureta, Kujofsa, Angjeli, Bozgo, e Kujofsa tjetër, Muka, Xhelili, Hoxha, Konjari, Janushi, Xhangolli, Dhima.
Nuk mbetet gjë tjetër vetëm për të nënvizuar harmoninë e plotë dramaturgjike të krijuar nga kostumografia e Anila Zajmit, që përcakton bukur dramën, karakteret, humbjen, madje edhe ndërtimin e ballafaqimit dramaturgjik, skenografia e Genc Shkodranit, që krijon të gjithë ndërthurjen strukturore kohore dhe njerëzore, si dhe përdorimi sondues dhe plot nënvizime të holla dramaturgjike i muzikës së përdorur prej regjisë, e cila i ka dhënë shfaqjes një ritëm të lartë.
Është një ngjarje e madhe që ky spektakël teatror, tejkalon disa standarde të deri sotme, i kthen një dinjitet të ri pjekurie Teatrit Kombëtar dhe kësisoj e bën çdo spektator të sallës ta ndjejë veten fatlum që jeton në Tiranë, një ndjenjë që shpesh e pandehim si të harruar.