E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhbllokohen programet e strehimit social

26/10/2011  Nis verifikimi i listave për programin e kredive të lehtësuara e banesave sociale me qira

Nuk priten ndryshime për aplikimet, formulari plotësohet pranë njësive vendore

Nis puna për sistemimin e dosjeve që do të përfitojnë nga programet sociale të strehimit në kryeqytet. Për shkak të përplasjeve politike disamujore, një numër i konsiderueshëm dosjesh që ishin klasifikuar për përfitim mbetën peng i mosrealizimit të mbledhjeve të këshillit bashkiak të administratës së mëparshme. Burime pranë këshillit bashkiak bëjnë me dije se tashmë kjo procedurë është zhbllokuar dhe se në mbledhjen e radhës të këshillit pritet të kalojnë për miratim listat e përfituesve sipas aplikimeve të bëra. Njëkohësisht konfirmohet se komisioni i strehimit në këtë institucion do të kalojë në sitë të gjitha kërkesat e bëra nëpërmjet dosjes së dorëzuar nga qytetarët në mënyrë të vazhdueshme, çka do të thotë se të gjitha kategoritë që plotësojnë kriterin e duhur të ardhurave do të kalojnë direkt për miratim në këshillin bashkiak e më pas do të konkretizohet procedura e lidhjes së kontratave të përfitimit dhe marrëveshjes me bankën e përzgjedhur. Në çdo rast përzgjedhja e familjeve që do të trajtohen me strehim nga komisioni përkatës do të bazohet në aftësinë paguese të familjeve që kanë nevojë për strehim dhe për ndihmën e shtetit, sipas sistemit të pikëzimit të caktuar. Sipas këtyre burimeve, procedura e aplikimit për përfitim nga këto programe nuk do të pësojë ndryshime, çka do të thotë se të gjitha familjet e pastreha të kryeqytetit mund të aplikojnë pranë njësive të tyre vendore duke tërhequr dhe plotësuar formularin specifik, në të cilin do të hidhen të gjitha të dhënat e kërkuara mbi të ardhurat dhe modalitetet e përfitimit. Çdo e dhënë e plotësuar në këtë formular do të shoqërohet me listën zyrtare të dokumentacioneve faktuese, të cilat janë të ndryshme sipas llojit të trajtimit. Kusht për të përfituar do të jetë plotësimi i nivelit të ardhurave, që specifikohen në varësi të llojit të programit dhe përbërjes së familjes që kërkon strehim. Tri janë programet që do vijojnë të ofrojnë strehim social në kryeqytet: ai i banesave sociale me qira, ku përfshihen banesat që ndërtohen apo blihen nga tregu i lirë nga bashkitë e që jepen me kontratë qiraje; banesat ekzistuese në pronësi të personave fizikë e juridikë, të cilat janë klasifikuar nga organet e qeverisjes vendore si banesa sociale; objektet e dala jashtë funksionit, që kanë kaluar në pronësi të bashkive dhe janë miratuar për t’u kaluar në fond banesash sociale me qira në përputhje me planin rregullues urbanistik. Programi i dytë është i banesave kosto të ulët, si dhe programi i pajisjes së truallit me infrastrukturë. Vetëm për programin e strehimit me kosto të ulët janë në plan për t’u dhënë rreth 1000 kredi për familjet që plotësojnë kriterin e të ardhurave.

Fluksi i kërkesave

Sigurimi i banesave sociale me kosto të ulët rezulton të jetë programi më i kërkuar nga të pastrehët në kryeqytet. Sipas të dhënave të raportuara, deri në mbyllje të vitit të kaluar mbi këtë program janë bërë mbi 4500 aplikime, ndërsa për programin e banesave sociale me qira rreth 2 mijë aplikime, si dhe qindra kërkesa të bëra për tokë të pajisur me infrastrukturë. Njësitë bashkiake nr. 5, 11 dhe 9 paraqesin fluksin më të lartë të kërkesave

Kreditë e lehtësuara

Për të përfituar nga ky program aplikuesit duhet të plotësojnë kriterin e të ardhurave në varësi të përbërjes së anëtareve të familjes. Për familjet që në përbërje kanë 1-2 persona, niveli i të ardhurave mujore shkon nga 31 007 deri 51 249 lekë, për familjet të përbëra nga 2-3 nga persona 41 865–65 964 lekë, për familjet me 3-4 persona 54 153– 84 035 lekë, ndërsa për familjet me më shumë persona kërkohen 68 585–107 142 lekë të ardhura.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›