E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama largon Haxhiymerin nga kongresi

25/10/2011  Përjashtimet e kundërshtarëve nga forumet drejtuese të PS-së

“Procesi ishte totalisht nën kontrollin e kryetarit dhe të grupit që menaxhon ai”

Lidershipi socialist ka nisur përjashtimet e kundërshtarëve nga anëtarësia e forumeve drejtuese të Partisë Socialiste. Kështu, kupola rozë ka zgjedhur që të nisë me një reformë të tillë që nga kongresi i PS-së. Një fakt i tillë u konfirmua dje nga sekretarja për Shanset e Barabarta pranë kësaj partie Edlira Haxhiymeri, e cila u përjashtua nga lista e delegatëve të kongresit dhe organizata e saj nuk u lajmërua të votonte. “Ne jemi përjashtuar prej kohësh. Kemi më se dy vjet që jemi të paangazhuar nga ana e lidershipit. Duke qenë të zgjedhur, lideri zgjodhi të mos na përfshinte në aktivitetet politike të partisë dhe tashmë i ka ngelur vetëm akti final për të ekzekutuar sjelljen e tij. Kjo nuk ishte eksperienca e parë e votimit brenda partisë. Ne kemi përjetuar një eksperiencë të tillë edhe më 2007, por ishte me përmasa të vogla, më e kontrolluar dhe më e kujdesshme. Këtë radhë procesi ishte totalisht nën kontrollin e kryetarit dhe të grupit që menaxhon kryetari, duke filluar që nga listat e votuesve, te listat e kandidatëve, te rezultatet”, - u shpreh Haxhiymeri, që tashmë nuk është as delegate e Kongresit të socialistëve, edhe pse ajo mban ende një post në sekretariatin e PS-së. Sipas saj, kriteri për të qenë anëtar i Asamblesë që do të zgjidhet në kongresin e 5 nëntorit është vetëm një: të jesh i bindur ndaj kryetarit. “Procesi i zgjedhjeve në parti ishte rëndë i dëmtuar, por nga ana tjetër tregoi ose na provoi më saktë se një parti politike që nuk është në gjendje të realizojë një proces demokratik brenda vetes nuk ka më moralin për të kërkuar zgjedhje demokratike në shoqëri. Unë mendoj se ky është problemi më i madh që ka Partia Socialiste sot. Rama po bën opozitën e kasapit, po heq pjesë të trupit të PS-së, sepse nuk i dhimbset, dhe kjo është lehtësisht e lexueshme dhe e kuptueshme”, - vuri në dukje Haxhiymeri lidhur me një çështje të tillë. Madje, po në këtë linjë, përfaqësuesja socialiste akuzoi Ramën se e ka kthyer partinë në një kukull tashmë.

Deklarata

“Standardet e punës, standardet e kontributeve ai i ka shkelur me këmbë prej shumë kohësh. Janë standarde për të cilat ai nuk është më i interesuar. Atij i interesojnë njerëzit besnikë, njerëzit që nuk mendojnë me mendjen e kokën e tyre, por që janë të gatshëm të lexojnë hartimin e radhës të kryetarit. Lideri socialist do ta përdorë kongresin për të bërë ekzekutimin final të të gjithë atyre që u përpoqën të jepnin një mendim ndryshe, të ofronin një alternativë tjetër, që mund ta çonte PS-në në fitore.”

Takimi i Ramës

Delegacion i përbashkët i Komisionit të Venecies dhe OSBE–ODIHR-it zhvilluan dje një takim me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama. Bëhet e ditur se tema e takimit ishin ndryshimet në reformën zgjedhore, ku ekspertët ndërkombëtarë kanë sugjeruar vetëm rekomandime sa i përket situatës në vend. Pas këtij takimi, kreu Rama zhvilloi një tjetër takim me deputetë të PS-së, për tu informuar mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve për delegatë të kongresit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›