E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhbogar: Problemet në veri të zgjidhen me dialog

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se Brukseli është i interesuar që gjendja në Mitrovicë të stabilizohet dhe problemet të zgjidhen përmes bisedimeve. Këto komente Zhbogar i bëri pas një takimi që zhvilloi me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.

Ky i fundit nga ana e tij i ka thënë Zhbogarit se situata aktuale në komunën e Mitrovicës është e qetë. Lidhur me zgjedhjet e organizuara nga OSBE-ja në veri të Mitrovicës dhe Kosovës, për kryetarin dhe parlamentin e Serbisë, ai tha se ato kanë kaluar pa incidente. Kreu i komunës ka vlerësuar se qytetarët e Mitrovicës, mendojnë pozitivisht për të ardhmen e tyre dhe të komunës.

“Problemi kryesor në Mitrovicë mbetet pamundësia për lëvizjen dhe qarkullimin e lirë në pjesën veriore, si pasojë e veprimit të strukturave paralele serbe”, tha Kastrati dhe shtoi se në veri të qytetit kanë mbetur pa u rindërtuar edhe 200 shtëpi të shqiptarëve, të shkatërruara nga ekstremistët serbë gjatë luftës.

Kastrati ka kërkuar nga përfaqësuesi special i BE, që të angazhohet për gjetjen e mundësive për realizimin e disa projekteve që ofrojnë perspektivë për të gjithë qytetarët e komunës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›