E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhbogar takon Krasniqin: Zgjedhjet serbe në Kosovë, të papranueshme

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar. Pasi falenderoi për pritjen, z. Zhbogar theksoi se Kosova po ecën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Studimi i fizibilitetit, tha ai, duhet të përgatitet njëherësh me Raportin e Progresit. Duke folur rreth procesit të liberalizimit , Zhbogar tha se institucionet e Kosovës në këtë aspekt duhet të punojnë më shumë. Udhërrëfyesi i liberalizimit, tha ai, është në fazën finale dhe besohet se do të kryhet në fillim të verës së këtij viti.

Duke folur rreth synimit të Serbisë për të organizuar zgjedhjet edhe në Kosovë, Zhbogar theksoi se Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë faktin se zgjedhjet lokale të Serbisë nuk mund të mbahen në Kosovë dhe ato janë totalisht të papranueshme. Ndërkaq, ai theksoi se zgjedhjet parlamentare të Serbisë, mund të mbahen të organizuara nga OSBE-ja, duke ditur faktin se në Kosovë ka qytetarë me shtetësi të dyfishtë.

Kryetari Krasniqi, pasi falënderoi Zhbogar për vizitën, u ndal edhe te çështja e zgjedhjeve të Serbisë. Ai përshëndeti qëndrimin e Bashkimit Evropian lidhur me zgjedhjet lokale serbe në Kosovë.

Ndërkaq, sa i përket zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në Kosovë, Krasniqi theksoi se ato janë të papranueshme duke ditur se Serbia nuk e ka njohur Kosovën. Dihen praktikat evropiane, që zgjedhjet lejohen në një shtet tjetër, por ato mbahen në ambasadat e shteteve përkatëse, theksoi Krasniqi.

Bashkëbiseduesit folën edhe për ndryshimet kushtetuese dhe reformën zgjedhore në Kosovë, njofton Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›