Zhdoganimi i cigareve, kontrabanda mund shtetin
Përpjekjet e qeverisë për të mbledhur më shumë të ardhura në buxhet përmes rritjes së herëpashershme të akcizave duket se po japin efektin e kundërt, të paktën te cigaret. Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave tregojnë se zhdoganimet e cigareve janë më të ulëta, jo vetëm sa vitin e kaluar, por edhe krahasuar me 5 vjet më parë. Për 10-mujorin e këtij viti, doganat zhdoganuan 3 mijë e 56 tonë cigare, 6.25% më pak se vjet. Krahasuar me vitin 2006 rënia e zhdoganimeve është edhe më e madhe, 15.7%. Kjo në një kohë kur të gjitha shifrat zyrtare dhe studimet e Ministrisë së Shëndetësisë me OBSH konfirmojnë se numri i duhanpirësve në vend vazhdon të mbetet në të njëjtat nivele si ai i pesë viteve më parë. Në kushtet kur në Shqipëri nuk ka prodhim vendas të fabrikuar duhani, rënia e zhdoganimeve të cigareve ka vetëm një shpjegim, atë të kontrabandës. Madje rritja e vazhdueshme e akcizave, që në katër vitet e fundit ka qenë sporti më i preferuar i qeverisë, në rastin e cigareve jo vetëm që nuk po sjell më shumë të ardhura në buxhet, por përkundrazi po nxit evazionin, pasi tregtarët u shmangen taksave të larta. Edhe vetë qeveria duket e dorëzuar përballë këtij fenomeni. Sipas shifrave të Ministrisë së Financave, në Shqipëri konsumohen 200 milionë paketa në vit. Por në paketën fiskale të vitit 2011 ku miratoi rritjen e radhës 20 lekë për paketë të akcizës së cigareve, qeveria përllogariti si të ardhura në buxhet 2.8 miliardë lekë dhe jo 4 miliardë sa duhet të ishte shifra, çështje e cila madje u shndërrua dhe në një objekt debatesh të forta mes qeverisë dhe opozitës në Kuvend.