E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, 19 vjet burg për Bujar Gashin

TIRANE – Bujar Gashi, i akuzuar nga prokuroria si një nga “anëtarët” e “bandës së Durësit”, u dënua dje me 19 vjet burg për akuzën e “vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim. Një pesëshe gjyqtarësh e Gjykatës për Krimet e Rënda e deklaruan fajtor të pandehurin Gashi për vrasjen e Dritan Dishës, ngjarje e shënuar në korrik të vitit 2000. Por, gjykata nuk gjeti të provuar fajësinë e Gashit për akuzat e “pjesëmarrjes në organizatë kriminale”, “kryerjes së veprimeve nga organizata kriminale” dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Për këto akuza, i pandehuri Gashi u deklarua i pafajshëm. Gjykimi i Gashit te Krimet e Rënda u zhvillua i ndarë nga pjesa tjetër e “bandës”, pasi kur nisi procesi ndaj tyre, Gashi ende nuk ishte identifikuar nga prokuroria. Ai u arrestua në Itali e më pas u ekstradua drejt Shqipërisë. Ngjarja për të cilën ai u deklarua i fajshëm është shënuar në korrik të vitit 2000, si i përfshirë në një nga ekzekutimet e “bandës”. Sipas hetimeve, eliminimi fizik i Dritan Dishës ishte vendosur nga “banda” në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Mehmet Saliut në vitin 2000, i cili ishte i afërm i Gashit, si edhe i të pandehurit tjetër, Lulzim Berisha. Kjo, sipas akuzës, për shkak se Disha i përkiste grupit kundërshtar të “bandës”. Referuar hetimeve, roli i Gashit pas “shënjestrimit” të Dishës ishte mbajtja e tij nën vëzhgim, si edhe në momentin e vrasjes, lajmërimin e “ekzekutorëve” në pritë se Disha po afrohej. Në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare të akuzës, prokuroria kërkoi deklarimin e fajshëm të Gashit dhe dënimin e tij me 25 vjet burg dhe 800 mijë lekë gjobë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›