E Diel, 1 Nëntor 2026

Azili në Shengen, në hetim kreu i Pajtimit të Gjaqeve

Kryetari i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve dhe një anëtar i Shoqatës së Misionarëve të Paqes së Shkodrës dërgohen për ndjekje penale në Prokurori, pasi akuzohen se kanë lëshuar vërtetime false për persona që kanë kërkuar azil në Belgjikë e Suedi.

Burimet zyrtare të Policisë deklaruan dje se ka filluar procedim penal ndaj kreut të Komitetit, Gjin Marku, 55 vjeç dhe Pashko Popajt, anëtar i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve. Policia tha se katër nga nëntë personat e riatdhesuar nga Belgjika, pak kohë më parë kishin marrë vërtetime false te të dyshuarit. Gjin Marku dhe Pashko Popaj dyshohen se duke shfrytëzuar pozicionin në shoqatat që drejtojnë e janë anëtarë, kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara për persona të ndryshëm, nga fshatrat e Tiranës, të Shkodrës e Malësisë së Madhe, në mënyrë që të aplikonin dhe të përfitonin azilin në vendet e Bashkimit Europian. Në këtë mënyrë, përveç shpërdorimit të detyrës, Gjin Marku dhe Pashko Popaj akuzohen edhe për “falsifikim të dokumenteve”. Emrat e dy misionarëve të pajtimit të gjaqeve, që kanë lëshuar vërtetime false për azil, u zbuluan nga hetimet e përbashkëta që Drejtoria Kundër Krimit Financiar po zhvillon me policinë belge dhe suedeze. Gjithashtu, edhe gjatë marrjes në pyetje të 9 azilkërkuesve të parë që u riatdhesuan nga Belgjika, më 28 tetor të këtij viti. “Nga informacionet e grumbulluara dhe verifikimet e kryera në vazhdimësi, ka rezultuar se personat e sipërpërmendur kanë lëshuar vërtetime të falsifikuara dhe pa asnjë bazë ligjore edhe pse shtetasit e interesuar nuk figurojnë të jenë në hasmëri apo gjakmarrje”, tha dje Policia. Rreth një muaj më parë filloi procedimi penal me të njëjtën akuzë edhe ndaj dy të zgjedhurve vendorë në qarkun e Shkodrës. Për Faz Shabajn, kryetar i komunës Postribë, në Shkodër dhe Ramadan Likajn, kryetar i Bashkisë Koplik, nisi procedimi penal më 23 tetor të këtij viti, nga Policia e Shkodrës. Oficerët e Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit nisën hetimet menjëherë pas vizitës që kreu në Shqipëri më 18 tetor 2011, drejtori i Përgjithshëm për Imigracionin dhe Azilkërkuesit i Belgjikës, Freddy Rosemont. Qëllimi i vizitës së tij ishin shtetasit shqiptarë që kërkonin azil në Belgjikë, duke pretenduar se janë në hasmëri. Dhe me këtë rast ai ofroi edhe bashkëpunimin e policisë së vendit të tij për goditjen e fenomenit dhe zbulimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kishin pajisur me vërtetime false azilkërkuesit.
Etleva DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›