E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhduket gjykatësi që liroi vrasësin e shefit të policisë së Shijakut

Tiranë – Gjykatësi i Durrësit Neritan Tabaku që liroi vrasësin e shefit të policisë së Shijakut Adem Tahiri, i cili është marrë nën hetim nga njësia Task Forcë e Prokurorisë së Tiranës, nuk gjendet as në shtëpi as në gjykatë.

Më shumë se tre javë pasi Këshilli i Lartë i Drejtësisë i hoqi imunitetin, duke e vënë në shërbim të hetimeve, prokurorët nuk kanë mundur ta marrin asnjë herë në pyetje, për shkak se ai nuk është paraqitur ndërsa korrierët e prokurorisë nuk gjejnë dot vendndodhjen e tij.

Prokuroria ka lëshuar disa fletëthirrje në adresë të tij, por në gjykatë nuk është gjendur dhe asnjë adresë që disponohej. Policia thotë se është në kërkim të adresës se ku mund të strehohet, ndërkohë që rezulton që Tabaku të ketë bllokuar edhe telefonin celular. Gazeta IDEA u interesua pranë policisë kufitare dhe rezulton se Tabaku, të paktën zyrtarisht, nuk ka kaluar kufirin për tu larguar jashtë vendit.

Tabaku akuzohet për shpërdorim detyre lidhur me vendimin për lirimin nga burgu të Ilir Xhakjes, personi që vrau shefin e Komisariatit të Policisë së Shijakut. Pas vendimit për lirimin e Xhakjes, gjykatësi Tabaku kishte mbajtur të bllokuar për 18 muaj dosjen e tij, duke mos zbardhur vendimin dhe duke e bllokuar për paosjë edhe hapjen e gjyqit në gjykatën e shkallës së dytë, pas apelimit që kishte bërë organi i prokurorisë. Hetimi i hapur nga KLD zbuloi se Tabaku kishte me dhjetra dosje që kishin pësuar fatin e asaj të vrasësit Xhakja, ndaj dhe nuk ka hezituar të vendosë heqjen e imunitetit. Ndërkohë që kryetari i gjykatës së Durrësit ishte ankuar disa herë me radhë pranë KLD-së për këtë gjykatës, por asnjë masë nuk ishte marrë.

Hapja e hetimit u duk si një sinjal se drejtësdia po livizte për të vënë drejtësi edhe brenda saj, por jo gjithcka është e lehtë. Gjykatësi jo vetëm që ka refuzuar ti vihet në shërbim drejtësisë por tani rezulton edhe i zhdukur.

/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›