E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket kallëzuesi i gjyqtarit Qani Hasa

TIRANË- Personi që bëri kallëzimin për gjyqtarin e Elbasanit, Qani Hasa, të cilit më pas iu hoq imuniteti nga KLD-ja me kërkesë të Prokurorisë, nuk gjendet më në adresën që ka lënë.
Njësia e Task-Forcës në prokurorinë së kryeqytetit, menjëherë pas njohjes me vendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë për heqjen e imunitetit të gjyqtarit Qani Hasa, nisi veprimet hetimore ndaj tij. Në këtë mënyrë është regjistruar procedimi penal në emër të gjyqtarit, "sekserit" të tij dhe pjesëtarëve të familjes së të dënuarit Geront Toska, që kanë dhënë ryshfetin prej 300 mijë lekësh të reja. Lajmi konfirmohet nga burime të prokurorisë, që shtuan se po kërkohet edhe I.H, nga Elbasani, personi që denoncoi këtë rast "korrupsioni". Ky i fundit prej disa ditësh nuk ndodhet në adresën e lënë në prokurori. Sipas akuzës, kallëzuesi I.H, ka denoncuar "sekserin" e gjyqtarit Hasa, i cili në emër të tij i kishte kërkuar familjarëve të të dënuarit tashmë Geront Toska, 3 milionë lekë të vjetra, për dhënien e dënimit minimal që e parashikonte dispozita ligjore. "I.H, pasi ka denoncuar faktin e këtij korrupsioni Hasës, "sekserit" të tij është larguar për në qytetin e Elbasanit, duke lënë edhe një adresë dhe një numër kontakti. Por, këto dy javët e fundit, kur është tentuar të kontaktohet me të për t'i rimarrë dëshminë, ai nuk gjendet në adresën e dhënë. Madje ka mbyllur edhe numrin e kontaktit",-thanë burimet. Sipas tyre, arsye e thirrjes dhe kërkimit të kallëzuesit është për t'i marrë dëshminë e tij me cilësinë e personit që ka dijeni mbi faktet. Ndërkaq, dosja shumë shpejt mund të dërgohet për gjykim, pasi një sërë provash të rëndësishme tashmë janë siguruar gjatë hetimit të "sekserit" dhe familjarëve të të dënuarit Toska. "Gjatë kryerjes së hetimeve paraprake, është provuar se në këtë aferë korrupitve janë përfshirë, përveç gjyqtarit, edhe një person tjetër në rolin e sekserit. Emri i tij nuk bëhet publik për arsye hetimore, ndërsa po hetohet edhe një i afërm i Geront Toskës. Këta të fundit, hetohen për veprën penale të "korrupsionit aktiv", duke i ofruar një shumë të konsiderueshme parash kundrejt dhënies së vendimit të dënimit minimal, parashikuar për veprën penale për të cilën akuzohej Toska,- thuhet nga prokuroria. Sipas burimeve, vetë gjyqtari Qani Hasa, pas marrjes së shumës prej rreth 3 milionë lekë të vjetra në vendimin e tij të dhënë pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve, ka vendosur që të pandehurin Toska ta dënojë me 5 vjet burg për kryerje e veprave penale të "prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike" dhe "falsifikimit të dokumenteve". Prokurori i çështjes në leximin e konkluzioneve kishte kërkuar deklarimin fajtor të të pandehurit për akuzat e dënimin e tij me 10 vite e 6 muaj burg. Mbi gjyqtarin Hasa rëndon akuza e "korrupsionit pasiv të gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë". Për të provuar akuzat e ngritura, sipas burimeve nga prokuroria, mësohet se kjo e fundit ka siguruar biseda të përgjuara, foto të takimeve të ndryshme dhe një video me pamjet filmike ku "sekseri" iu merr familjarëve paratë e më pas ia jep gjyqtarit. Pas heqjes së imunitetit, KLD-ja vendosi edhe pezullimin e tij nga detyra në Gjykatën e Elbasanit.


******

KLD i heq imunitetin gjyqtarit të Elbasanit

TIRANË (UPDATE)- Pas kërkesës së Prokurorisë Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka hequr imunitetin gjyqtarit të Elbasanit. Kërkesa e bërë për heqjen e imunitetit u shqyrtuar gjatë mbledhjes së sotme dhe miratimi i saj i hap rrugën për të hetuar mbi dyshimet për afera korruptive nga ana e gjyqtarit të Elbasanit.

Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur se, ndaj gjyqtarit Hasa, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprën penale "korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë".

Sipas burimeve, Prokuroria mbi bazën e materialit kallëzues të një shtetasi, kreu të gjitha veprimet e mundshme hetimore në drejtim të fakteve të prezantuara si dhe identifikimit të personave të përfshirë në të.

Hetimet e deritanishme të kryera nga njësia Task- Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës nxorën në dritë mbi një veprim korruptiv (marrje e një shume parash) të gjyqtarit Hasa nga familjari i një të pandehuri të arrestuar në këmbim të një dënimi më të butë, në raport me kërkesën e prokurorit të çështjes.


Ndërkohë, veç kësaj KLD bëri procedim disiplinor për dy gjyqtare të tjere, Rasim Doda si dhe Anila Capo. Pas mbledhjes me zyrtare te Prokurorise, Këshilli i Lartë i Drejtësisë tha se do të hetojë mbi të gjitha vendimet e dhëna në gjykata për një periudhë një vjeçare.

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu bëri të ditur se "tashmë do të bëhet "skaner" për të gjitha çështjet penale, për të cilat kanë marrë vendim gjyqtarët". Sipas tij, do të bëhet inspektim për çdo vrasje duke filluar nga viti 2007 dhe vitin 2008 që është gjykuar nga gjyqtarët. Për këtë arsye, kontrolli do të bëhet edhe për çështjet që janë marrë me korrupsionin.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›