Zhduket nga radarët një aeroplan në Indonezi

Zyrtarët thanë se një aeroplan rus "Sukhoi Superjet 100", me 46 njerëz në bord, është zhdukur nga ekranet e radarëve në jug të kryeqytetit të Indonezisë, Xhakartës.
Autoritetet indoneziane thanë se nuk dihet nëse aeroplani është rrëzuar, derisa kanë nisur një operacion kërkim-shpëtimi.
Aeroplani, që zë deri në 100 udhëtarë, ishte duke bërë një fluturim demonstrues si pjesë e një turneu aziatik, ku ishte planifikuar gjithashtu të përfshihej Kazakistani, Pakistani, Indonezia, Vietnami, Laosi, dhe Birmania.
"Superjet 100" bëri debutimin e tij në vitin 2008.
Në vitin 2011, aeroplani i parë u përdor nga Armavia e Armenisë.
Tetë aeroplanë "Superjet 100" janë aktualisht në shërbim të kompanive Armavia dhe Aeroflot dhe kanë kryer më shumë se 3 mijë e 300 fluturime komerciale.