Zhduket vëllai i të dënuarit për vrasje, familja në alarm
Fushë-Krujë
Të afërmit e Anton Prendit dyshojnë se ai mund të ketë rënë pre e ndonjë krimi
Sipas policisë, vëllai i 47-vjeçarit ka kryer një vrasje dhe po vuan dënimin me 13 vjet burg
Një 47-vjeçar është zhdukur prej disa ditësh nga shtëpia. Familjarët e shtetasit Anton Prendi i janë drejtuar Policisë së Fushë-Krujës, ku kanë denoncuar rastin dhe të shqetësuar për mungesën e pazakontë të kryefamiljarit kanë kërkuar ndihmë për gjetjen e tij. Drejtues të policisë lokale bëjnë të ditur se me të marrë informacion nga familjarët, ditën e hënë, për moskthimin e tij në banesë janë vënë në lëvizje. Burimi shprehet se i larguari nga banesa punonte si punëtor në fabrikën e tullave në Fushë-Krujë. Nga hetimet paraprake rezulton se Prendi nuk ka pasur asnjë konflikt personal, por të afërmit e tij, duke mos gjetur asnjë arsye tjetër të moskthimit të tij në shtëpi, kanë hedhur dyshimet për ndonjë hakmarrje të mundshme ndaj tij, lidhur me një vrasje të kryer nga i vëllai, i cili është dënuar me 13 vjet burg. E ndërsa ai po kryen dënimin e dhënë nga organet e drejtësisë, pasojat mund të kenë rënë mbi 47-vjeçarin Prendi që ka dalë nga shtëpia mëngjesin e së dielës për të mos u kthyer më. Deri tani përjashtohet mundësia e ndonjë pengmarrjeje, pasi nuk ka pasur asnjë tentativë telefonike për tu lidhur me familjarët e tij nga ana e rrëmbyesve, përveç faktit që pengmarrja realizohet kryesisht për qëllime përfitimi të natyrave të ndryshme. Ndonëse këto elemente deri tani mungojnë, autoritetet nuk e përjashtojnë as këtë pistë të ngritur mbi dyshimet e njerëzve të afërt të Prendit. Policia lokale bëri të ditur se janë njoftuar shërbimet e saj, të cilat vazhdojnë kërkimet për të gjetur 47-vjeçarin, ndërsa nuk dihet ende asgjë që nga e diela për fatin e tij. V. Qyrfyçi
Zhdukja
Sipas familjarëve të të zhdukurit, kontaktet me të kanë humbur që të dielën, duke ngritur dyshimet për vrasje ose pengmarrje
Hetimet
Për zhdukjen e Anton Prendit, policia ka marrë në pyetje punonjësit e fabrikës së tullave në Fushë-Krujë, ku punonte edhe ai
Zhduket vëllai i të dënuarit për vrasje, familja në alarm burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip