E Diel, 1 Nëntor 2026

Nënkryetari i ri KLD, Nishani: Gjyqësori, jo vend pasurimi

Kreu aktual i Agjencisë së Legalizimeve, Elvis Cefa, me propozim të vetë Nishanit, u përzgjodh në postin e nënkryetarit. Në fjalën e mbajtur përpara anëtarëve, Nishani kërkoi më shumë përgjegjësi nga gjyqtarët, ndërsa nga KLD-ja më shumë kontroll për funksionimin e sistemit gjyqësor, si në atë të Shkallës së Parë, ashtu edhe në Apel.

Ai tha se sfida kryesore është besimi dhe respekti i vetë gjyqtarëve tek sistemi. “Shfrytëzoj rastin të siguroj nga kjo mbledhje, çdo gjykatës të vendit, qëndrimin tim në krah të tyre, në mbrojtje të personalitetit, dinjitetit, pavarësisë dhe sigurisë profesionale gjatë gjithë kohës së ushtrimit së detyrës prej tyre. Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë kanë detyrimin kushtetues dhe përgjegjësinë institucionale të garantojnë besimin e gjykatësve të Shkallës së Parë dhe të Apelit në sistemin e vlerësimit dhe promovimit të karrierës së tyre”, tha Nishani.

Ana tjetër e medaljes-sipas Kreut të Shtetit -është besimi i qytetarëve tek sistemi. “Një numër jo i vogël praktikash të çështjeve gjyqësore, në shkelje të hapur të parimeve të dhënies së drejtësisë, në injorim të hapur të procedurave të parashikuara në ligj, të nëpërkëmbjes së solemnitetit dhe dinjitetit, që kërkon sistemi gjyqësor, apo edhe përfshirjes së drejtpërdrejtë në afera korrupsioni, kanë krijuar një klimë mosbesimi tek qytetarët ndaj sistemit të drejtësisë, por edhe një baltë të pamerituar ndaj figurës së gjykatësit. Ky është modeli dhe shembulli, që duhet ta kapsulojmë dhe të nxirret jashtë sistemit”, shtoi ai.

Presidenti Nishani tha se gjyqësori nuk mund të shihet më si vendi ku njerëzit mund të pasurohen, teksa shtoi se ka ardhur koha që praktikat në shkelje të hapur të ligjit të bëhen publike dhe të gjithë ata gjykatës, që ia mohojnë drejtësinë qytetarit, të identifikohen nominalisht. Kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë premtoi se do të ndihmonte në rritjen e pagave. “Politikë pagash më të përmirësuar për ta. Personalisht do të jem në komunikim intensiv me qeverinë dhe Kuvendin për të realizuar një nivel pagash më të lartë për gjyqtarë të shkallës së parë dhe të apelit", tha Nishani. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-08-07 14:50
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›