Në sy të katër fëmijëve, grabitësit vrasin një grua dhe plagosin motrën e saj
Masakra e Beratit pasohet me një tjetër rast të rëndë në Tiranë
Policia ofron 10 mijë euro shpërblim për çdo informacion të vlefshëm për kapjen e autorëve
Bledi Gilaj
Ende pa u mbyllur një histori makabër me dy të vrarë dhe dhunimin e një kufome në Berat, një tjetër ka pasuar në Tiranë, duke sjellë vrasjen e një gruaje dhe plagosjen e motrës së saj. Kryeqyteti është tronditur pasditen e djeshme, ndërkohë që autorët e këtij krimi të rëndë dyshohet se janë dy të rinj, që synim kishin grabitjen e grave, ashtu siç mendohet se kanë rënë pre edhe shumë femra të tjera. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë ish-Fushës së Aviacionit, kur dy motrat kishin edhe katër fëmijët e tyre me vete, duke e bërë edhe më tragjike këtë ngjarje. Fatbardha Tafa është masakruar me thika, duke mbetur e vdekur në vend, ndërsa motra e saj, Lumturie Gjana, që i ka ardhur në ndihmë, ka marrë plagë të lehta, ndërkohë që katër fëmijët e vegjël janë tmerruar nga krimi makabër. Ato kanë tentuar të mos lejojnë grabitjen nga dy të rinjtë, të cilët, të maskuar me skafandra dhe kapele, kanë dashur tu marrin varëset në qafë dhe çantat që kishin me vete. Menjëherë, e gjithë policia e kryeqytetit është ngritur në këmbë, duke vënë dhjetëra postblloqe, e duke shoqëruar shumë të rinj me motorë, por pa mundur të arrestojnë autorët e dyshuar. Në këto kushte, policia ka vendosur shpërblim 10 mijë euro, me qëllim identifikimin dhe kapjen e tyre.
Sipas të dhënave policore, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00, kur dy motrat kishin dalë xhiro në rrugën dytësore të ish-Fushës së Aviacionit, që të nxjerr tek Unaza e Re. Me vete ato kanë pasur mbesën e një motre tjetër dhe tre djem të vegjël. Në atë kohë, dy persona me motor, njëri me skafandër dhe pasagjeri me kapele, të veshur sportivë, u janë afruar për tu marrë çantat. Në atë moment, dy motrat mendohet se kanë kundërshtuar, kështu që pasagjeri ka goditur me thikë Fatbardha Tafën, 37 vjeçe, e cila ka marrë plagë të rëndë në zemër. Në ndihmë të Fatbardhës është futur edhe motra e saj, Lumturie Gjana, 38 vjeçe, e cila ka marrë disa plagë në krah. Menjëherë dy të rinjtë janë larguar me motor në drejtim të rrugës, që kishin ardhur këto dy gratë, ndërkohë që fëmijët ia kanë plasur me të qara, duke kërkuar ndihmën e një familjeje që kishte shtëpinë ngjitur me vendin e ngjarjes. Jashtë ka dalë një grua, e cila e ka parë Fatbardhën të gjakosur dhe është munduar ti fshijë gjakun. Në ndihmë të saj ka ardhur edhe vëllai, i cili ka marrë një makinë për ti nisur dy motrat e plagosura për në spital. Por rrugës Fatbardha Tafa u ka vdekur në duar, teksa ata tentonin ti jepnin ndihmën e parë. Ndërkaq, familja ka telefonuar policinë, ndërkohë që katër fëmijët i kanë mbajtur brenda mureve të shtëpisë, me qëllim për ti qetësuar nga tmerri që kishin përjetuar.
Policia tha se në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, e cila është ndjekur nga afër edhe nga vetë drejtori i përgjithshëm, Hysni Burgaj, ka vendosur shpërblimin prej 10 mijë eurosh për çdo person që jep informacion të vlefshëm, që do të finalizohet me kapjen e autorëve, në çdo rast duke ruajtur anonimatin. Sipas të dhënave, uniformat blu janë njoftuar në sallën operative dhe në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet e parandalimit dhe të hetimit të krimit të Komisariatit Nr. 2, oficerët e hetimit të krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilët bënë të mundur sigurimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, duke mbledhur dhe administruar provat. Më pas, policia ka ngritur shumë postblloqe, duke shoqëruar të gjithë personat e dyshuar që udhëtonin me motorë, sidomos nga mosha 18 deri në 25 vjeç, që mendohet se i përkasin edhe autorët e krimit tronditës.
Në sy të katër fëmijëve, grabitësit vrasin një grua dhe plagosin motrën e saj burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip