Nga ka ardhur kjo predhë në Siri?
Ambasadori amerikan poston në Facebook foton ushtarake ku tregohet se si ushtria po sulmon civilët
Kjo është pyetja që shtron një blogger- i njohur, që shkruan në Twitter me emrin Pranvera Arabe. Ai ka postuar foton e një predhe të pashpërthyer në qytetin Homs në Siri. Predha është lëshuar nga forcat qeveritare dhe është gjigande. Një nga gazetarët e njohur të New York Times, CJ Chivers, që ka përgatitur edhe dosjen për trafikun e armëve nga Shqipëria- duke denoncuar dhe të birin e kryeministrit, mundohet të japë një përgjigje duke marrë shembullin shqiptar. Chivers thotë se predha është një 107 milimetërshe, ndoshta nga Kina. Por ai thotë se nuk është e thënë se ajo është prodhuar në Kinë dhe është transportuar direkt prej saj në Siri. Chivers thotë se sipas shembullit të Shqipërisë në Afganistan, predha mund të jetë nga një vend i tretë, një vend ish- komunist me shumë gjasë, që e ka shitur atë në Siri.
Ndërkohë autoritetet amerikane raportojnë për largime masive nga Siria. Po largohen kryesisht pasanikët dhe elita e këtij vendi, duke marrë pasurinë me vete.
Sot në kryeqytetin Damask është vrarë një gjeneral. Mediat shtetërore thonë se drejtuesi i spitalit ushtarak, gjeneral brigade Isa Al Kholi u vra nga një grup i armatosur terrorist. Besohet se kjo është vrasja e parë e një zyrtari të lartë në kryeqytet që kur nisën trazirat.
Në një lëvizje të pazakontë, ambasadori amerikan në Siri ka fajësuar qeverinë se po sulmon civilët dhe ka postuar në Facebook një fotografi ushtarake të marrë nga ajri për të mbështetur pretendimet e tij.
Robert Ford foli me zemërim për vrasjen e civilëve në qytetin e tretë më të madh, Homs. Në foton e tij tregohen mjetet e ushtrisë në lagjet rezidenciale.

Fotoja e postuar nga ambasadori amerikan
