Çfarë pritet ti kumtojë botës Ahmadinexhad?
Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, bëri të ditur se vendi i tij shumë shpejt do bëjë të ditura disa arritje të mëdha e të reja në fushën bërthamore.
Ahmadinexhad foli në një tubim në Iran përpara dhjetëra mijëra iranianëve që po përkujtonin 33 vjetorin e Revolucionit Islamik, që rrëzoi monarkinë pro- perëndimore dhe solli në pushtet klerikët myslimanë.
Brenda pak ditësh bota mbarë do jetë dëshmitare e inaugurimit të disa arritjeve të reja e të mëdha në fushën bërthamore, tha Ahmadinexhad para turmës së mbledhur në Sheshin e Lirisë në Teheran.
Ai nuk tha detaje të mëtejshme, por insistoi se Irani nuk do heqë kurrë dorë nga programi për pasurimin e uraniumit, një proces që përgatit materiale për reaktorë, por edhe armë.
Megjithatë lideri iranian ishte i kujdesshëm kur theksoi se vendi i tij është gati të ringjallë bisedimet me Perëndimin në lidhje me programin bërthamor të vendit të tij.
Irani është gati për bisedime brenda kuadrit të barazisë dhe drejtësisë. Por nuk do hyjmë kurrë në bisedime nëse armiqtë tanë sillen në mënyrë arrogante.
Presidenti i Iranit tha se fuqitë perëndimore po e përdorin çështjen bërthamore si një pretekst për të punuar kundër zhvillimit të kombit iranian.
Në sfondin e këtij tubimi ishte dhe një avion pa pilot amerikan, që u kap para pak kohësh nga forcat iraniane. Ndërkohë turma këndonte Vdekje Izraelit, Vdekje Amerikës.



