E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Remzi Hoxhës, Sefgjini kthehet i pandehur

Dosja për zhdukjen e Remzi Hoxhës rikthen nën hetim kreun aktual të Tatimeve, ish-drejtorin e Shërbimit Informativ të Tiranës, Arben Sefgjini, si dhe disa ish-drejtues të Shërbimit Sekret në vitin 1995. Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi dje hetimet dhe dërgoi për shqyrtim gjyqësor dosjen penale në ngarkim të katër të pandehurve, të cilët akuzohen për zhdukjen e shtetasit kosovar, Remzi Hoxha, në tetorin e vitit 1995 në Tiranë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme bënë të ditur dje se, të pandehurit e kësaj dosjeje, e cila i ka kaluar Gjykatës së Krimeve të Rënda janë: Arben Sefgjini, ish-drejtor i Shërbimit Informativ Tiranë, aktualisht me detyrë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në Ministrinë e Financave; Ilir Kumbaro, ish-kryetar dege në Drejtorinë e SHIK-ut Tiranë; Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit të Drejtorisë së SHIK-ut, Tiranë dhe Budjon Meçe, ish-inspektor në Drejtorinë e SHIK-ut Tiranë. Sipas burimeve zyrtare, katër të pandehurit e kësaj çështjeje akuzohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vajin, të rrethit Lezhë, ku janë torturuar për disa ditë, nga ku ka gjetur vdekjen shtetasi Remzi Hoxha. Të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Rrëmbimit të personit” dhe “Torturës me pasoja të rënda”, të parashikuara tri herë për nenin 109/1 e 25 dhe tri herë për nenin 87 e 25 të Kodit Penal. Ndërkaq, të njëjtat burime thanë dje se lista e personave që mund të kalojë nën hetim mund të jetë edhe më e madhe.

Rihapja e dosjes

Dosja për zhdukjen e Remzi Hoxhës është rihapur në verën e vitit 2002, me iniciativën e zyrës së Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani. Më 3 korrik 2002, Dobjani i kërkoi Shërbimit Informativ të hartonte një raport të hollësishëm dhe të detajuar për rastin e Remzi Hoxhës. Pas afro një muaj hetimi intensiv, më 31 korrik 2002, ish-shefi i SHIK-ut, Fatos Klosi, hodhi firmën mbi raportin ku hidhej dritë se çfarë kishte ndodhur me Remzi Hoxhën. Në atë raport akuzohej SHIK-u si i përfshirë në krim.

“Në rrëmbimin dhe trajtimin e Remzi Hoxhës, pak a shumë konfirmohet të kenë marrë pjesë: Avni Koldashi, liruar nga SHIK-u me kërkesën e vet në vitin 1998, aktualisht me banim në Tiranë; Ilir Kumbaro, liruar nga SHIK-u në vitin 1996, me banim në Londër (Angli); Budion Meçe, i liruar në shtator të vitit 1997, me banim në Tiranë; Arben Sefgjini, i liruar në vitin 1997, me banim në Tiranë; Bexhet Muhellari, ish-inspektor i zonës ku ka banuar Remziu, i liruar në vitin 1997, me banim në Laprakë (Për Bexhetin, pjesëmarrja e tij në këto veprime del vetëm nga një burim); Roland Dedej, ish-shofer i Ilir Kumbaros, rezulton të ketë marrë pjesë në veprimet ndaj tre personave të rrëmbyer”, - thuhet në raportin e firmosur nga Klosi, ku shtohet edhe për dyshimin se në këtë histori të ketë marrë pjesë edhe Xhahit Xhaferri, si dhe të ketë patur dijeni ish-zv/drejtori i kundërzbulimit, Flamur Gjymyshka. Ndërkaq, në raport theksohej se, ish-shefi i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, mund të akuzohet minimalisht se ka shpërdoruar detyrën dhe ka penguar hetimin e prokurorisë. Pas këtij raporti, me rekomandim të Dobjanit, më 17 janar 2003 Prokuroria e Tiranës u detyrua të rihapte hetimet e pezulluara për procedimin penal numër 449.

Historia

Biznesmeni nga Maqedonia, Remzi Hoxha, rezulton të jetë rrëmbyer mesditën e 21 tetorit 1995 përpara punishtes së tij. Pas pesë ditësh Hoxha ka ndërruar jetë, duke mos patur më asnjë adresë dhe asnjë shkak zyrtar për vdekjen. Sipas dëshmive, Remzi Hoxha është akuzuar si agjent i serbëve dhe dyshohet se është torturuar gjatë marrjes në pyetje, gjë që më pas edhe i ka shkaktuar vdekjen. Kështu, një prej të rrëmbyerve në të njëjtën kohë, i cili është shoqëruar në të njëjtën bazë, kosovari nga Deçani, Avdyl Loshaj, apo i njohur ndryshe si Armando Dittermetzer, i verifikuar dhe i njohur si agjent, në një bisedë të regjistruar më datë 12 shtator 2003 në Amsterdam të Holandës, ka deklaruar se, është ndeshur përballë letrave ku duhej të firmoste se kanë qenë organizatorë të atentatit ndaj Zef Brozit, kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, e Prel Martinit, kryetarit të Gjykatës së Apelit. Loshaj dhe Kristopuli kanë dëshmuar lidhur me torturat. Ndërkaq, familjarët e Remzi Hoxhës kanë vijuar për vite me radhë me avokatë për të kërkuar hapjen e hetimeve. Ankimi i tyre pranë Amnisty Internacional bëri që të rikthehej edhe një herë çështja, përmes kërkesës së Avokatit të Popullit.

Ish-zyrtarët e SHIK-ut, çfarë ndodhi pas arrestimit të parë në vitin 2003

Katër prej pesë personave që prokuroria ka çuar dje nën hetim janë prangosur edhe një herë tjetër, pikërisht mbrëmjen e 21 majit 2003. Pas një urdhërarresti të firmosur nga Gjykata e Shkallës së Parë, policia prangosi Arben Sefgjinin, Avni Koldashin dhe Budion Meçen, ndërsa u kërkua ndihma e Interplit për Ilir Kumbaron. Dy ditë pas ndalimit nga policia, gjykata e Tiranës i la në arrest burgu pa afat të tre të akuzuarit. Një prokuror dhe tre oficerë të policisë gjyqësore filluan të merren seriozisht me këtë çështje, duke nisur të grumbullojnë pak nga pak çfarë kishte mbetur nga dokumentet. Por, ndryshimi i klasifikimit të veprës penale nga prokuroria, duke rrëzuar akuzën e vrasjes, bëri që ish-zyrtarët e Shërbimit Sekret të liroheshin pas 6 muajsh burgimi. Në raportin me numër 3960 të datës 16 dhjetor 2004, kryeprokurori Sollaku aprovoi lirimin e tyre pas kalimit të afateve të paraburgimit. “Në kushtet e mësipërme, pas kalimit të afateve maksimale të paraburgimit gjykata i liroi tre të arrestuarit dhe organi i procedurës pushoi akuzat e ngritura, si dhe pezulloi hetimet në lidhje me zhdukjen e Remzi Hoxhës. Dosja e pezulluar i ka kaluar organit kompetent të policisë për vazhdimin e gjurmimit në rrugë operative”, - thuhet në raportin e Sollakut.

Më 3 nëntor 2006, për këtë çështje është marrë në pyetje edhe ish-shefi i SHIK-ut në vitet 1992-1997, Bashkim Gazidede, i cili ka mohuar që shërbimet sekrete mund të jenë përshirë në rrëmbimin e tregtarit. Gazidede u mor në pyetje nga Prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët pohuan se kishin riaktivizuar hetimet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›