E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tallja me “rebelët”

Kryeministri, Sali Berisha, ka sfiduar dje hapur mbështetësit e çoroditur të presidentit, Bamir Topi, brenda grupit parlamentar të PD, duke iu ofruar atyre mundësinë të shprehin pafuqinë e tyre për votimin e presidentit nga populli. Nga mënyra sesi ka dalë nga kriza e “rebelimit” të tyre, në të vërtetë kuptohet qartë problemi real që ka disidenca brenda asaj partie. Duke qenë se ata që artikulohen publikisht pro zgjedhjes së presidentit nga populli nuk kanë ndonjë ide për të qenë mbështetës të Topit apo Berishës, por duke qenë pak më larg me Berishën, kanë gjetur si mënyrë të shpallen mbështetës të Bamir Topit në përpjekje për t’u faktorizuar politikisht. Po ta shikosh me kujdes lëvizjen e tyre të fundit, është një mjerim politik. Ata publikisht mbrojtën zgjedhjen e presidentit nga populli si një opsion që në të vërtetë mbron presidentin aktual deri në përfundim të mandatit të tij nga presioni i mosrikandidimit nga PD, nëse ai nuk sillet mirë me Berishën. Mbrojtja publike e deputetëve shkoi deri aty sa Berisha i la të paraqesin versionin e tyre, por me kusht që të sigurojnë 94 vota. E keqja nuk është se Berisha është tallur. E keqja është se mbështetësit e zjarrtë të Bamir Topit janë kënaqur dhe ndihen të respektuar. Bilé, deklaratat e tyre pas talljes së qartë të Berishës gati donin të thonin se ata e kishin bërë detyrën dhe se aq kishin në dorë. Ky qëndrim kam idenë se brenda në zyrën e Berishës përkthehet si një qokë që ata duhet t’ia bëjnë Topit publikisht, por që nuk e kanë realisht.

Po si do t’i mbledhin 94 vota mbështetësit e Bamir Topit, nëse Berisha ka opsion tjetër?

Kjo është pyetja kyçe që e banalizon gjithë atë çfarë ata kanë bërë dje publikisht. Nëse Berisha e ka realisht se do t’i mbështesë ata, duhet ta kthejë opsionin e tyre në opsion të PD, ose duhet ta votojë brenda PD dhe të shkohet në negociata me PS me opsionin e PD dhe jo me opsionin ‘Topi’ dhe opsionin ‘Berisha’. Nëse në negociata me PS shkohet me dy opsione, një opsioni “Topi” dhe një opsioni “Berisha”, dihet që Rama është me opsionin ‘Berisha’ dhe Topi humbet. Kjo e bën banal jo vetëm rebelimin e njerëzve që shfaqen si mbështetës të Bamir Topit, por dhe gjithë lojën me “demokraci të brendshme” në grup parlamentar. Fytyrat e tyre të kënaqura më shumë dukeshin si një rast për t’i treguar Berishës se janë me të sesa si një rebelim kundër tij. Ajo që ofroi Berisha nuk ishte asgjë përveçse një përpjekje për t’iu gjetur atyre akuzimin në drekën e ardhshme me presidentin Topi për përmbushjen e detyrimeve të tyre. Në takimet e brendshme me Berishën ata më shumë kanë folur për “armiq” të tjerë në PD sesa për nevojën që të mbrojnë zgjedhjen e presidentit nga populli. Kjo në të vërtetë buron nga profili i tyre i ulët politik dhe nevoja për të pasur një shef që iu beson. Për këtë arsye disidencën kundër Berishës në PD nuk mund ta udhëheqin njerëz që kërkojnë një komandant për t’u rreshtuar, por njerëz që e kanë realisht opsion të tyre atë. Besnik Mustafaj, kritiku i besueshëm i Berishës në këto momente, apo dikush tjetër që dëshmon pjekuri politike dhe integritet, do të ishte më e udhës të përfaqësonte opsionet e pakicës sesa të futjes në spiralet e talljes me mbledhjen e firmave për votimin nga populli. Nëse mbrojtjen e opsionit për zgjedhje nga populli e kanë realisht opsion, ata duhet ta mbrojnë atë publikisht dhe të kushtëzojnë votat e tyre për paketën. Nëse e kanë si rast për t’u faktorizuar për t’i treguar Berishës që po të duam bëhemi dhe me Bamir Topin, është më mirë të rrinë aty dhe të mos bëhen pjesë e një talljeje publike që fyen realisht inteligjencën e disave prej tyre dhe krijon keqkuptime për inteligjencën e disa të tjerëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›