E Diel, 1 Nëntor 2026

Basho: Mjekësia shqiptare ka nevojë për reformë të thellë

Intervistë me prof. as. Jovan Basho, shef i Shërbimit Universitar të Gastroenterologji/Hepatologji në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë

Ku konsistonte mbledhja e sotme (e djeshme) e profesoratit të Fakultetit të Mjekësisë dhe cilat janë problemet që ju parashtruat në mbledhje?

Sot (dje) në mëngjes, me iniciativën e një grupi profesorësh të nderuar të Fakultetit të Mjekësisë, duke u nisur nga akti i turpshëm që ndodhi me kolegun tonë të nderuar, prof. Ali Refatllari, u organizua një mbledhje e profesoratit të Fakultetit të Mjekësisë, qëllimi i së cilës ishte miratimi i një deklarate të hapur drejtuar popullit për problemet themelore me të cilat haset shëndetësia shqiptare.

Në diskutimet e shumta që u bënë u fol hapur se, tashmë, para shëndetësisë shqiptare është shtruar çështja e ekzistencës së saj.

Mjekët shqiptarë janë vënë në shënjestrën e opinionit publik si të akuzuar për problemet e shumta shëndetësore me të cilat ndeshet përditë shoqëria shqiptare.

Duhet thënë që në fillim se shëndetësia shqiptare ka probleme madhore, të cilat lidhen me financimin e pamjaftueshëm, organizimin problematik, reformat vetëm propagandistike, cilësinë e mangët të shërbimit, gjendjen e mjerueshme të spitaleve, mungesat e shumta në aparatura, korrupsionin si në çdo fushë të jetës në vendin tonë, etj.

Kryesorja e asaj që u diskutua është se problemet e mjekësisë duhet t’i zgjidhin mjekët dhe vetëm mjekët të udhëhequr nga profesorati i Fakultetit të Mjekësisë dhe instituteve të tjera të larta shëndetësore, profesorat i cili përbën elitën dhe pjesën e zgjedhur të mjekësisë shqiptare.

Në realitet, kjo është pjesa që deri më sot ka zgjidhur problemet diagnostike, terapeutike e shkencore mjekësore që janë bërë deri tani te ne.

Çështja është se si dhe sa pyetet kjo elitë intelektuale për ato që i takojnë shëndetësisë shqiptare, sa merret mendimi i saj për organizimin dhe reformimin e shëndetësisë sonë. Në mbledhje u tha se të gjitha qeveritë shqiptare nga 1990-ta e deri më sot janë marrë pak ose aspak me problemet e shëndetësisë, duke i hapur rrugën një zhvillimi spontan e anarkik, i cili ka bërë të pakënaqur popullin për ndihmën mjekësore të marrë, por edhe mjekët për cilësinë e shërbimit mjekësor që japin dhe për faktin e thjeshtë që shpesh, jo për faj të tyre, gjenden në shënjestrën e opinionit publik, i cili gabimisht mendon se shkaktarë të kësaj gjendjeje janë ata.

Mjekësia shqiptare ka nevojë për reformë të thellë, reformë e cila të përfshijë të tërë sistemin shëndetësor, organizimin, financimin, mënyrën e drejtimit e deri në strukturat më të ulëta të mjekësisë shqiptare.

Por, që gjërat të funksionojnë normalisht e të bëhen ashtu siç duhet, i takon profesoratit të FM të japë mendime për mënyrën si duhet të zhvillohet kjo reformë, ç’duhet të prekë etj. Është për të ardhur keq kur ne konstatojmë që mendimi i këtij profesorati anashkalohet ose nuk merret fare parasysh nga politika, siç mjerisht ka ndodhur me një sërë rregulloresh e me statutin e QSUT-së (edhe për faj të një pjese prej shokëve tanë që kanë drejtuar më parë këtë institucion), ku nuk përmenden fare të drejtat dhe detyrat p.sh të një shefi shërbimi (Shërbimi është njësia bazë e QSUT), pa thënë që ai mund të hiqet apo komandohet nga drejtuesit jo mjekë të QSUT-së. Për mënyrën se si është ndërtuar dhe për rregulloret mbi të cilat mbështetet qenia e saj, QSUT përbën mënyrën më të keqe të administrimit të një institucioni shëndetësor.

Në fakt, të gjitha sa QSUT ka arritur deri më sot, i detyrohen profesoratit të FM, pa të cilët ajo do të ishte e barazvlefshme me një spital rrethi.

Në fund të mbledhjes u dol me një deklaratë të profesoratit të FM për popullin, ku flitet hapur për këto probleme.

Cilat janë pikat kryesore ku ju jeni përqëndruar, duke iu referuar kërkesave që keni parashtruar kundrejt autoriteteve shëndetësore?

Mendoj që sistemi ynë shëndetësor duhet të ndryshojë rrënjësisht, pavarësisht kostos politike që mund të ketë. Dihet mirë që herët a vonë çdo individ ka nevojë për ndihmë mjekësore për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe rritur mbijetesën (Fiziologjia na mëson që individi lind i shëndoshë dhe vdes i sëmurë). Shëndetësia e një vendi e ka për mision zgjatjen e jetës mesatare të popullsisë. Prindi e falënderon mjekun që u përkujdes në lindjen e shëndetshme të pasardhësit, po ashtu edhe fëmija e falënderon përsëri në pakësimin e vuajtjeve të prindit në momentin e ndarjes nga kjo jetë.

Sa i përket sistemit tonë shëndetësor mendoj që:

së pari duhet të ndryshojë financimi i shërbimit shëndetësor. Në një sistem demokratik financimi i shëndetësisë bëhet nga sigurimet shëndetësore të individit të bëra përgjatë gjithë jetës së tij, për t’i përdorur ato në momentin e nevojshëm të sëmundjes. Nuk është faji i mjekëve që kjo skemë (në parim tepër e thjeshtë e me rezultat të provuar prej më se 150 vjetësh në vendet perëndimore) në vendin tonë zbatohet pjesërisht e shoqëruar me qindra ngatërresa e shkresurina, të cilat e bëjnë individin të mërzitet. Në mënyrë absurde, për zbatimin e saj kontrollohet mjeku, kur sigurimi shëndetësor është një lidhje e pastër midis individit dhe Institutit të Sigurimeve, bazuar mbi parimin: nëse je i siguruar, merr ndihmë mjekësore të rimbursuar. E keqja është që më pak se 30 % e popullsisë paguan sigurime shëndetësore, në një kohë që të gjithë kërkojnë shërbim të rimbursuar. Pastaj, po të futemi në listën e barnave të rimbursuara, çështja është akoma më problematike. Individi që paguan sigurime shëndetësore ka të drejtë të mendojë e besojë se po u sëmur do të rimbursohet me medikamentet që i duhen. Lista e barnave të rimbursuara nuk përfshin të gjitha medikamentet kryesore bazë për mjekimin e sëmundjeve kryesore. Kështu që, me ligjin shqiptar individi duhet të parashikojë që po u sëmur, të sëmuret nga një sëmundje e cila mjekohet me barnat që gjenden në listën e ISKSH-së. Kjo gjë pa kuptim shton kontradiktat midis popullit dhe shërbimit shëndetësor.

Së dyti, duhet të ndryshojë organizimi dhe drejtimi i shërbimit shëndetësor, duke i dhënë përparësi decentralizimit. Sa i përket QSUT-së, njësia bazë është shërbimi. Kur një shërbim funksionon në rregull në të gjitha hallkat dhe të gjitha shërbimet e koordinojnë mirë punën me njëra-tjetrën edhe QSUT funksionon mirë.

Së treti, duhet të përmirësohet pajisja me mjete diagnostikuese e mjekuese, për të bërë që QSUT të jetë qendër terciare. Për momentin, mund ta quajmë qendër terciare vetëm për kapacitetin mjekësor intelektual që ka. Të tjerat lënë mjaft për të dëshiruar.

Së fundi, rëndësi e dorës së parë duhet t’i jepet kualifikimit dhe ndihmës për brezin e ri. QSUT po mplaket. Ndiehet një zbrazëti në brezin 30-45 vjeçar, brez i cili duhet t’i jepte tonin kësaj qendre. Mendoj se është detyrë e Fakultetit të Mjekësisë në përgatitjen e kuadrove të zotë e të aftë, për të drejtuar në të ardhmen shërbimet e QSUT. Mendoj gjithashtu se është detyrë e shtetit për të çuar për specializime afatgjata në vendet perëndimore mjekët e rinj të aftë.

A do të vazhdoni më tej me protesta?

Edhe mbledhja e sotme (e djeshme) e profesoratit është vazhdim i këtyre protestave. Veç protestave të tjera që do të jenë javën që vjen (një orëshe e me ndërprerje të ndërhyrjeve të planifikuara), profesorati i FM do t’iu drejtohet strukturave shtetërore, për t’i ndihmuar në njohjen e realitetit të mjekësisë sonë dhe me mendime për reformën e ardhme tepër të domosdoshme, të shumëpritura e të vonuara.

Ku mendoni se duhen përqëndruar autoritetet shëndetësore në zgjidhjen e problemeve të sistemit shëndetësor?

Ne mendojmë se autoritetet shëndetësore duhet të bazohen në mendimin e profesoratit të FM. I takon pikërisht këtij profesorati të japë mendime për reformën dhe mënyrën e kryerjes së saj.

A jeni edhe ju i mendimit se sistemi shëndetësor është kthyer në një sistem të kalbur?

Nuk mund të them që sistemi ynë shëndetësor është një sistem i kalbur, se në fakt mirë apo keq është ai që zgjidh problemet shëndetësore të këtij vendi, por duhet thënë që ka ardhur (madje ka kaluar) koha që të reformohet plotësisht, në mendësi, formë e përmbajtje. Në çdo kongres që shkojmë, ne konstatojmë fatkeqësisht që në vend që t’i afrohemi, i largohemi mjekësisë së vërtetë europiane.

Për ta përfunduar, po ju them si i jam përgjigjur pyetjes: “Sa kam shpirt, kam shpresë”, mendoni që është këshillë e vyer për mjekësinë shqiptare?, bërë nga një gazetar disa vite më parë:

- Kjo shprehje e lashtë latine (Dum spiro, spero) ka qenë motoja e studentëve shqiptarë të Vjenës, propozuar nga dr. Jani Basho (1892 - 1957) gjendet në çdo revistë “Djalëria” e në çdo njoftim të bërë prej tyre me inicialet S.K.S.K.S) Është nga shprehjet më të bukura që na kanë lënë latinët. Nga letërsia: “Penda lëvizi, ajo rron, - bërtet Leari i dëshpëruar që s’beson se Kornelia e tij ka vdekur.”

“Shpresa e mban njeriun gjallë, shpresa vdes e fundit”, - thotë populli. Edhe unë jam një nga ata që shpresojnë se një ditë sistemi ynë shëndetësor do të jetë në udhë të mbarë, e do të krahasohet me atë të vendeve të përparuara. Për momentin, jemi akoma shumë larg e duhet shumë mund e punë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›