Letërkëmbimi i fundit i Çomskit me Dobrica Çosiçin: Asht vonë për ndamje
Çomski:
Lidhun me pavarësinë e Kosovës dhe situatën e re, nuk kam çka thom, nuk mund të përsëris asgja që do t’ia vlente. SHBA ka investue shumë në Kosovë, si
gjeostrategjikisht, ashtu dhe ideologjikisht (kurse, sa i përket ideologjisë, në raport me Kosovën, Evropa asht edhe ma e çmendun). Aspekti gjeostrategjik përfshin jo vetëm ‘Bondstilin’, por edhe përforcimin e kontrollit të Uashingtonit mbi Europën; aspekti ideologjik ka të bajë me mënyrën sesi intelektualët perëndimorë, në orgjinë e tyne të vetëlavdimit dhe rrenës mbi luftën, e paraqesin veten e tyne si imbecilë. Ata kurrë nuk do të lejojnë që këto rrena të dalin në shesh, kurse pozat mbi pavarësinë e Kosovës përbajnë përmbylljen e domosdoshme të përrallës mbi rolin e tyne madhështor.
Çosiç:
I nderuemi profesor Çomski,
Jam i nji mendje me ju se tash asht vonë me i hy propozimit tim për ndamjen e Kosovës dhe mbrojtjen e territorit serb nga aneksimi prej shqiptarëve; simbas të gjitha gjasave asht vonë edhe për modelin atos (grek) të ruejtjes së manastireve të Kosovës e Metohisë (Dukagjinit, perk.). Serbët janë të pazotë për me ndryshue konstelacionin e planifikuem të marrëdhanjeve shqiptaro-serbe në Kosovë, që i nënshtrohet strategjisë amerikane dhe interesave në Ballkan dhe Europë. Akti i Juej bindës i mbështetjes morale që i jepni sot popullit serb, për ne ka randësi të madhe. Se ne jemi tmerrsisht të poshtnuem nga padrejtësia dhe me dekada kemi mbetun të vetem. Fundi i shek. 20 në Europë polli, ose ma mirë me thanë, pertëriu ideologjinë e serbofobisë në korelacion me rusofobinë, me të cilën Europa synon të kalojë në harresë antisemitizmin nazist e të maskojë dyfytyrësinë kanceroze të asaj Europe që prodhon luftë e ideologji rrene. Ju shpreh mirënjojen time njerëzore dhe lutem të mos e merrni si mungesë modestie, kur Ju thom: nuk jam njeri i lumtun, por jam shkrimtar i lumtun që guxoj me Ju thanë se për çashtjen e madhe e të drejtë të popullit tim Noam Çomskin e kam pasë bashkëmendimtar e mik.
Përktheu
Esat Myftari