Zheg deri t’enjten

Ishte paralajmëruar se nga e shtuna do të jetë më freskët, por nuk doli ashtu. Edhe në ditën e parë të fundjavës temperaturat ishin të larta, deri në 35 gradë. Shumica e qytetarëve shpëtim kanë gjetur nëpër pishina, e të tjerë kërkojnë shpëtim nga mjekët. Temperaturat e larta e kanë rritur edhe numrin e qytetarëve që kërkojnë ndihmë në Qendrën Emergjente në Prishtinë, por edhe në qendrat tjera në vend.
“Si pasojë e ngritjes së temperaturave të larta ditëve të fundit, numri i pacientëve, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente është dyfishuar. Temperaturat e larta i godasin pacientët me sëmundje kronike, andaj ata duhet t’i shmangen ekspozimit në temperatura të larta, sidomos në orët e mesditës”, thotë Adem Jaha, specialist i mjekësisë emergjente. Ai rekomandon që, përveç shmangies nga dielli, sa më tepër të konsumohen edhe lëngje të ndryshme.
Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, thotë se më herët brenda një dite në këtë qendër kanë kërkuar ndihmë 110-120 qytetarë, kurse tash, me ngritjen e temperaturave, shifra ka arritur në 150-175 persona.
Mot i njëjtë, i nxehtë, do të mbretërojë edhe ditëve të ardhshme. Sylë Tahirsylaj, drejtor i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, tha për Express se gjatë katër ditëve të ardhshme temperaturat minimale do të jenë 17, ndërsa ato maksimale do të arrijnë në 35 gradë Celsius. Tahirsylaj pret ulje të temperaturave për 5 gradë Celsius tek të enjten. “Deri të enjten është kështu, pastaj temperaturat do të zbresin pak dhe do të jetë më freskët”, theksoi ai.