E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miliona shpenzime

Me legjislacionin aktual, për të përfunduar procesin e likuidimit të ndërmarrjeve të privatizuara, Agjencisë Kosovare të Privatizimit i nevojiten edhe 30 vjet dhe dhjetëra milionë euro shpenzime. Deri më tash, AKP ka likuiduar vetëm dy ndërmarrje, ndërkaq po punohet për ndryshimin e legjislacionit. Nga Ismail Gashi më 17 korrik 2011 në ora 08:09

Kthimi në tërësi i Fondit të Privatizimit do të marrë kohë më shumë se 30 vjet dhe qindra miliona euro shpenzime. Kështu do të ndodhë nëse eventualisht nuk ndryshohet legjislacioni aktual.
Në konferencën e fundit, kreu i Bordit të Drejtorëve të AKP-së, Dino Asanaj, pati deklaruar se procesi i likuidimit në bazë të rregulloreve të UNMIK-ut përveç vonesave, do t’i kushtonte Kosovës dhjetëra milionë euro.

Procesi i likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, sipas zyrtarëve të AKP-së, pritet të përshpejtohet pas ndryshimit të ligjit që rregullon funksionimin e kësaj agjencie.
Zëdhënësi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ylli Kaloshi, ka thënë për Express se, sipas rregulloreve të UNMIK-ut, vetëm për likuidimin e një ndërmarrjeje do të duheshin tri vjet.
“Procesi i likuidimit është ballafaquar me vështirësi, për shkak se kryhet në bazë të Rregullores së UNMIK-ut, e cila parasheh procedura të stërzgjatura. Për një likuidim të një ndërmarrjeje nevojiten rreth tri vjet, ndërsa janë rreth 600 ndërmarrje që duhen likuiduar, e që i bie ky proces të vazhdojë dhe të mos përfundojë as për 30 vjetësh”, ka theksuar ai.

Prandaj, sipas Kaloshit, është më se e nevojshme nxjerrja e Ligjit të Likuidimit dhe të Dhomës së Posaçme dhe unifikimi i bazës ligjore, me çka do të mundësohet edhe përshpejtimi i procesit të likuidimit.

Deri më tani, AKP ka likuiduar vetëm dy ndërmarrje. Me angazhimin e AKP-së, bashkë me Qeverinë, Kuvendin dhe institucione të tjera është në proces e sipër ndryshimi i legjislacionin aktual, unifikimi i bazës ligjore dhe përshtatja me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kaloshi mendon se ndryshimet në Ligjin e AKP-së do të mundësojnë që të përshpejtohet procesi i likuidimit, “duke shkurtuar në mënyrë drastike tërë procesin dhe duke eliminuar instanca të panevojshme”.

Ekspertët e ekonomisë mendojnë se vetëm tani drejtuesit e AKP-së do të ballafaqohen me dobësitë e menaxhimit të procesit të privatizimit. Njohësi i procesit të privatizimit në Kosovë, Isa Mulaj, thotë se likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore është njëra prej tri metodave në kuadër të modelit të privatizimit që është duke u zbatuar në Kosovë. Ai është proces më i ndërlikuar se privatizimi me spin-off të rregullt dhe special. Sipas tij, ekziston edhe likuidimi i borxheve të papaguara të NSH-ve në procesin e privatizimit, por ky më tepër është shlyerje e borxheve ose likuidim i tyre, ndërkohë që ndërmarrja vazhdon të operojë pas privatizimit.
"Nuk kemi të bëjmë me likuidim të ndërmarrjes në kuptimin e duhur të fjalës, por vetëm me ndryshimin e statusit pronësor nga shoqërore në private dhe shlyerjen e borxheve në emër të ndërmarrjes shoqërore. Ndërmarrja e privatizuar me status pronësor të rimbetet ajo që ishte dhe nuk ka më lidhje me AKP-në”, thotë ai.

Shembull, kujt i ka pasur borxh Birraria e Pejës para 20 vjetëve, tërë ato borxhe mund t’i kërkojë prej AKP-së. Pronarit të ri të birrarisë nuk i intereson kjo punë dhe borxhliu nuk duhet të kërkojë borxhin nga birraria, por nga AKP-ja. Mjetet për shlyerjen e këtyre borxheve AKP-ja i paguan nga Fondi i Privatizimit.
“Ky, pra, është destinimi kryesor i fondit të privatizimit - shlyerja e kërkesave të kreditorëve ose borxhet që i kanë pasur NSH-të. Vendimi i AKP-së për këto borxhe varet nga Dhoma e Veçantë", pohon Mulaj.

Megjithatë, edhe në draftligjin e ri, të cilin e ka siguruara Express, përveç disa shkurtimeve kohore nuk ka ndonjë ndryshim substancial krahasuar me rregulloret e UNMIK-ut. Drafti i ri parasheh një afat më të shkurtër për pretendimet e kreditorëve të mundshëm që t’i argumentojnë ato, që nga momenti i njoftimit nga Komiteti i Likuidimit, deri tek Vendimi i Gjykatës për kreditorët e mundshëm.

Ligji i AKP’së

Autoriteti i likuidimit brenda dhjetë ditëve të punës, pas datës së publikimit të parë, njoftimit për likuidim në publikimin e specifikuar në dispozitat për shpallje, i dërgon me postë një kopje të njoftimit për likuidim çdo personi që më herët ka informuar me shkrim agjencinë apo gjykatën lidhur me kërkesën apo interesin e pretenduar ndaj ndërmarrjes apo pasurive të ndërmarrjes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›