E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji për konfiskim të pasurisë, i domosdoshëm

Nga Express më 16 korrik 2011 në ora 14:07

Konfiskimi i pasurisë së paligjshme dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet sfidë e madhe për Kosovën dhe institucionet e saja, sidomos kur kihet parasysh se nuk kemi ende një ligj specifik për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Drejtues të Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe përfaqësues të shoqërive civile thonë se ekziston mundësia për hartimin dhe miratimin e këtij ligji, por mungon vullneti politik i qeverisë, ngase sipas tyre, zvarritja po u konvenon disa zyrtarëve të qeverisë që po pasurohen siç thonë ata “brenda nate”.

Arben Gashi, kryetar i Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës kërkon që Ministria e Drejtësisë të hartojë sa më shpejtë këtë ligj dhe të dërgohet për miratim në Kuvend. Ai thotë se ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme është shumë i rëndësishëm për luftimin e krimit të organizuar dhe përfitimeve të paligjshme që po ndodhin në Kosovë. Sipas tij ekziston mundësia, por mungon vullneti politik i qeverisë.

“Shumicën e votave në komision e kanë partitë qeverisëse. Nuk e ka LDK-ja as partitë tjera opozitare. Në qoftë se arrihet të fitohet shumica e votave në kuadër të komisionit, atëherë mund të merret në mënyrë të njëanshme iniciativa ligjore nga komisioni për të hartuar ligjin. Por ky është një problem i madh dhe është e paarritshme, sepse mungon vullneti politik i qeverisë dhe përkrahësve të tyre në kuvend që të hartojnë këtë ligj”, ka thënë Gashi.

Ndërkaq, drejtues të Agjencisë Kundër Korrupsionit shprehin shqetësimin se si zyrtarët po pasurohen “brenda natës”. Drejtori i kësaj Agjencie, Hasan Preteni, thotë se me ligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme duhet të rregullohet edhe çështja e konfiskimit të pasurisë së jashtëligjshme që do të ndihmonte në parandalimin e korrupsionit. Ai ndërkaq shprehet se nuk është në dijeni nëse qeveria po punon në hartimin e këtij ligji, por thotë se viti 2012 nuk duhet ta gjejë Kosovën pa një ligj të tillë.

“Qytetari i vendit çdo ditë i sheh produktet e padëshirueshme të korrupsionit. Them është vështirë dhe ka probleme shumë organi i ndjekjes të gjen një lidhje kauzale në mes pasurisë së krijuar dhe punës konkrete që bëhet. Mirëpo, ne produktet po i shohim, që zyrtarët në afate të shkurtra po pasurohen në mënyrë marramendëse dhe të gjitha pagat janë publike dhe dihet kush çfarë page merr. Mirëpo, të krijosh milionat, një pasuri të patundshme në një afat shumë të shkurtër është e pajustifikueshme. Dihet që e tëra kjo pasuri ose shumica e pasurisë që zyrtarët e kanë është krijuar në mënyrë të paligjshme”, ka thënë Preteni.

Ai shton se kjo dukuri mund të vërehet shumë lehtë, sepse çdo ditë shohim luksin e disa zyrtarëve. Kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit shpreh shqetësimin se si këta zyrtar po pasurohen “brenda natës”

Edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se fillimisht duhet të ketë vullnet institucional për luftimin e korrupsionit dhe ky vullnet, sipas tyre duhet pasuar edhe me miratimin e ligjeve që lidhen drejtpërdrejt me këtë lufte.

Avni Zogiani, drejtues i organizatës joqeveritare anti-korrupsion “Çohu” konsideron se Kosova ka nevojë për një rishikim të tërësishëm të infrastrukturës ligjorë kundër korrupsionit, jo vetëm të ligjit për konfiskim dhe menaxhim të pasurisë së pa paligjshme, por edhe të ligjeve tjera që rregullojnë këtë çështje.

Sipas tij, nuk është duke u punuar aspak në këtë drejtim për faktin se po mungon vullneti politik. Ai shprehet se jemi mësuar që punët juridike të na i kryejnë ndërkombëtarët.

“Duke u nisur vetëm nga fakti që shumica e liderëve të rëndësishëm në politikë janë shndërruar në milioner, ka pas të tillë që kanë jetuar me qira në Prishtinë pastaj për një kohë të shkurtër janë shndërruar në milioner. Kjo natyrisht që është një arsye e fortë për të besuar që ekziston një sistem, i cili tërësisht është i korruptuar, kurse përvojat tona me njerëzit që denoncojnë tregoj që ekziston edhe evidencë, por nuk ekziston vullneti për të luftuar korrupsionin”, ka thënë Zogiani.

Sipas një raporti të publikuar më parë lidhur me nivelin e korrupsionit nga Transparency International, Kosova ishte renditur e 110-ta me një vlerësim prej 2.8 pikë në mesin e 178 shteteve të botës. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›