Gazetarët egjiptian pro pavarësisë së Kosovës

Më në fund po hapet një derë e vogël e cila do të jetë permanente për t`i shkëmbyer eksperiencat dhe marrëdhëniet shoqërore në mes të Kosovës dhe Egjiptit, u tha në tryezën e diskutimit me temën “Bashkëpunimi Shoqëror mes Kosovës dhe Egjiptit.
Qëllimi i kësaj tryeze, të organizuar të shtunën nga instituti KIPRED me rastin e vizitës së përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Egjipti në Kosovë, ishte analizimi i situatës në të dyja vendet dhe mundësitë për bashkëpunim në rrafshin shoqëror, medial dhe atë joqeveritar.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, nuk hezitoi të përmend mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga Egjipti dhe kjo vizitë e delegacionit egjiptian sipas tij është një mundësi e mirë që të njihen të dyja vendet dhe të shkëmbejnë përvojat.
“Tash e tri vjet Egjipti i kaluar nuk e ka njohur Kosovën, nuk e ka njohur as shoqërinë civile në Kosovë, nuk kemi pasur kurrfarë dialogu me Egjiptin. Më vjen mirë që po hapet një derë e vogël, e cila do të jetë permanente e një dialogu me juve që t’i shkëmbejmë këto eksperienca që të shohim se ku kemi bërë ne gabim që ju të mos e bëni”, tha Selimi.
Ndërsa Adel Ahmed Sabry Mohammed Ahmed Hamza, kryeredaktor i gazetës Al Wafd ka folur për rolin e medies në shoqërinë egjiptiane.
“Gazeta ka lindur në dorën e intelektualëve arab dhe egjiptian në Kajro, një përvojë të ngritur ku liritë për t’i formuar këto gazeta kanë qenë të ndaluara, liria e gazetarit për t’i shqyrtuar çështjet ka qenë shumë e çuditshme dhe kanë qenë më të larta se sa që i kemi sot”, ka theksuar ai.
Ferdinand Nikolla nga shoqëria civile në Kosovë, tha se shoqëria civile ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës.
“Kosova kishte nevojë për ndërtimin e institucioneve të reja, krijimin e një mentaliteti të ri qeverisës dhe sjelljen e përvojave të mira nga Evropa dhe nga bota në qeverisjen e shtetit të qeverisë së Kosovës, por në anën tjetër Kosova kishte një nevojë që të krijonte një opozitë aktive, e cila do të kontrollonte ndërtimin që po bëhej në krijimin e shtetit tonë të ri ka qenë dhe mbetet organizimi civil”, ka thënë ai.
Kurse Ismail Elfakharany, kolumnist në gazetën Al Ahram, sipas komunikatës ka theksuar se “në një mënyrë apo tjetër qëndrimet e zyrtare të Egjiptit do të jenë në përputhje me qëndrimet e popullatës, e këtu përfshihet edhe pavarësia e Kosovës.”
Në këtë tryezë, ndër të tjera, u tha se ekziston një grup shumë aktiv i organizatave dhe mediumeve, të cilët reagojnë që pushteti të mos i kalojë kufijtë, në mënyrë që të mos ngrihet në këmbë populli ashtu siç ndodhi me Egjiptin.