E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhgënjen Skënderbeu, humb nga Shakhter Karagandy

Sapo është mbyllur në "Astana Arena" të Kazakistanit sfida mes Shakhter Karangady dhe Skënderbeut, ndeshje e vlefshme për fazën e tretë eleminatore të Champions League.

Skuadra kazake ka fituar 3-0 me gola të mbrojtësit boshnjak Aldin Dzidiç në minutën e 8 të takimit, Roman Murtazayev në minutën e 79 dhe Sergey Khizhnichenk në minutën e fundit të ndeshjes.

Kampionët e Shqipërisë kanë zhvilluar një ndeshje të mirë ku nuk kanë munguar edhe gabimet në fazën mbrojtëse, me anë të të cilave kazakët na ndëshkuan tre herë.

Rezultati i ndeshjes së parë i zbeh shanset e Skënderbeut për kualifikimin dhe ndeshja e 6 Gushtit do të jetë thjesht një Mision i Pamundur për korçarët.

Të dyja skuadrat, Shakhter Karagandy dhe Skënderbeu, mund të konsiderohen si surprizat e turit të dytë të kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube. Kazakët dhe korçarët kishin përballë skuadra shumë herë më të forta dhe me buxhete që shkojnë deri në 14 milionë euro.

Shakhter bëri surprizën duke eliminuar kampionët e Bjellorusisë, Bate Borisov. Kazakët i fituan të dyja ndeshjet nga 1-0, duke surprizuar me kualifikimin e tyre. Nga ana tjetër, Skënderbeu barazoi 0-0 në ndeshjen e parë ndaj Neftçit në Baku dhe më pas fitoi 1-0 në Korçë.

Në rast se Skënderbeu nuk kualifikohet për në fazën tjetër të Champions League, atëherë do të mund të luajë në play off-in e Europa League.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›