Aliu: Projektligji për Zymin, kopje e atij për Hoçën

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me Projektligjin për fshatin Zymi i Hasit. Në një letër, dërguar mediave, Aliu thotë se ky projektligj, është një kopje e atij për Hoçën e Madhe.
Sipas tij, Ky projektligj është prezantuar si inisiativë që ka synim mbrojtjen e trashëgimisë siç thuhet fetare dhe kulturore në këtë fshat duke i dhënë këtij fshati kompetenca të kufizuara në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë dhe në fushën e zhvillimit rural.
Ai ka përmendur edhe arsyet pse është kundër këtij projektligji: “Përforcon një Ligj të padrejtë siç është Ligji për fshatin Hoçë e madhe, i miratuar nën presion dhe i cili trashëgiminë kulturore e shndërron në instrument të nacionalizmit serb dhe thellon ndarjen në vija etnike e fetare. Ligji për fshatin Hoçë e madhe pati kaluar si rezultat i presioneve nga ICO dhe Kryeministri edhe përkundër argumentimit të mjaftueshëm kundër tij. Tani Projektligji për Fshatin Zym përforcon precedentin e rrezikshëm e krijimit të zonave te tilla që thellojnë ndarjen në Kosovë”, shkruan Aliu në letrën e tij.
Sipas tij, Projektligji për fshatin Zymi i Hasit e vazhdon më tej ndarjen në baza fetare të filluar nga pakoja e Ahtisaarit të pasuar nga Ligji i fshatit Hoçë e madhe.
Ai ka thënë edhe se në organet kompetente për zbatimin e këtij ligji, përfaqësohen vetëm serbët dhe kisha ortodokse e quajtur prej tyre serbe.
“Ky ligj i dalë nga pakoja e Ahtisaarit i hartuar për trashëgiminë Kulturore siç e quajnë “fetare ortodokse serbe”, e si autoritet më të lartë këto zona kanë KZM (Këshillin për zbatim dhe monitorim), i cili është kompetent vetëm për trashëgiminë siç e quajnë ata serbe. Në këtë organ, përfaqësohen vetëm serbët dhe kisha ortodokse e quajtur prej tyre serbe”, ka thënë më tej Aliu.
Ky projektligj do të shqyrtohet në seancën e ardhshme, të mërkurën, më 31 korrik./Indeksonline/