E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhgënjimet e Elhaidës në Shqipëri

Shaban Dani nuk resht së foluri për të bijën. Herë-herë përlotet. Fundja, cili do ishte ai prind që nuk do qante nga gëzimi për një fëmijë aq të mbarë sa Elhaida, që sapo është shpallur fituese e “The Voice of Italy”.

“E dini, unë kisha dy djem dhe kur ime shoqe ishte shtatzënë, doja sërish djalë. Kishin filluar trazirat dhe një djalë ishte më mirë… Kurse tani lë kokën pas saj”, shprehet ai për BW.
Finalen e “The Voice”, Shabani me të shoqen e ndoqën në Tiranë, në shtëpinë që kanë marrë me qira këtu e 5 vite të shkuara, përpara se Elhaida të fillonte studimet për muzikologji në Universitetin e Arteve. Do kishte qenë e vështirë për t’u përballuar emocionalisht, aq më tepër nga e shoqja, së cilës i ra të fikët, kur prezantuesi i programit thirri emrin e Elhaidës si fituese.

Tashmë Shaban Danin e njohin të gjithë si babain e Elhaidës apo Elit, siç i thonë ata (edhe pse në Shkodër e njohin si drejtues të një televizioni privat). E ndalojnë në rrugë, e urojnë. Ka dhe nga ata që nuk thonë asnjë fjalë, por vetëm qajnë nga gëzimi… Një emocion që ata nuk e kishin menduar më parë.

“Elhaida zërin e ka të trashëguar nga e ëma. Ajo këndonte shumë kur ishte e vogël, merrte pjesë në aktivitetet e shtëpisë së kulturës. Kur ishte 14 apo 15 vjeç, duhej të merrte pjesë me ansamblin në një koncert në Egjipt. Ime shoqe është dibrane me origjinë, familje patriarkale, i ati ishte fanatik dhe nuk e la. Kështu që atëherë nuk u mor më me këngën”, ka treguar Dani.

Ai ka sqaruar se përse i duhej “The Voice” Elhaidës, kur tashmë ajo e kishte një emër në Shqipëri:
“Ajo këtu mori pjesë në disa festivale. Mori pjesë kur ishte 14 apo 15 vjeç te “Kënga Magjike”, por nuk e futën as në finale. Më pas në festivalin e RTSH-së, me një këngë të Endri Sinës që mori çmimin si “Muzika më e bukur”, por që juria nuk i dha asnjë pikë, ishte tërësisht absurde, ndërsa shumë na kishin thënë se ajo ishte favorite për çmim. E kundërta ishte në “Top Fest”. Kur ishim në Bullgari e Elhaida kishte fituar çmimin e parë, ajo vjen shumë e gëzuar, por jo pse kishte fituar në Bullgari, por kishte dalë në finale në “Top Fest”. Gjithë dëshira dhe ambiciet e saj ishin në Shqipëri. “

Me pak fjalë, Dani ka pranuar se Elhaida ka pasur ca zhgënjime në Shqipëri?:
“Oh, po, po, i ka pasur ca zhgënjime. Fitoi gjithë ato çmime e nuk e ftuan një herë në televizion, as në “Klan”, që ishte produkt i tyre. Por ka pasur edhe mbështetës. Unë do përmendja Shpëtim Saraçin që gjithmonë e ka mbështetur, pavarësisht se nuk kemi asnjë njohje me të, madje dhe tani që është andej, e merr në telefon, i jep ndonjë këshillë. I është gjendur gjithmonë. “ /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›