Zhoze Murinjo: Ju tregoj si do të jetë Reali im
Florentino Perez e ka konfirmuar si trajnerin e ardhshëm, pavarësisht se më parë duhet gjetur marrëveshja me Interin. Megjithatë, as Zhoze Murinjo nuk ka dyshime: ai do të stërvitë Realin e Madridit. Portugezi, që javën e ardhshme pritet të prezantohet si drejtuesi i ri i stolit “merengue”, ka dhënë një intervistë të gjatë për të përditshmen spanjolle, “As”. Mou ka shpjeguar se Reali i tij “do të jetë një skuadër e ekuilibruar, e cila luan për të fituar dhe që do të zbresë në fushën e lojës e vetëdijshme për virtytet dhe defektet e saj. Ekipi duhet të jetë kompakt dhe të luajë bukur për të fituar. Do të kemi një identitet tonin, nuk mendojmë të imitojmë asnjë skuadër tjetër”. Murinjo jep garanci se nuk do të ketë probleme gjatë “bashkëjetesës” me Horge Valdanon dhe në mënyrë indirekte i bën komplimente Brankës: “Kur firmosa me Interin, kërkoja Karvajon, por Branka më tha se Lusio ishte një mbrojtës më i mirë dhe ndoqa këshillën e tij. Një trajner arrin ta bëjë më së miri punën e tij kur të gjithë ata që punojnë rreth klubit japin kontributin e tyre”. Trajneri, i cili e ka thënë qartë se Guti nuk është në planet për të ardhmen, nuk harron idhullin e tifozëve në “Santiago Bernabeu”, Raul. Megjithatë, sulmuesi është paralajmëruar: “Tek Interi, Materaci ishte i lumtur vetëm sepse luajti një minutë në finalen e Champions League, ndërsa Kordoba festonte, edhe pse nuk luajti aspak. Një futbollist profesionist nuk mund të pretendojë të jetë titullar në moshën 36-vjeçare: ekzistojnë fare pak lojtarë si Maldini apo Zaneti”. I sigurt se do ta ndihmojë Kakanë të rilindë dhe se do t’i bindë Higuain e Kristiano Ronaldon “të sakrifikohen për skuadrën”, tekniku luzitan jep garanci se nuk do të jetë “armik i Barcelonës, ashtu sikundër nuk ka qenë armik i Milanit, apo i skuadrave të tjera rivale. Kam shumë respekt për Pep Guardiolën, e njoh prej shumë vitesh dhe kam një marrëdhënie të mirë me të”. Murinjo thekson se objektivi i tij është “të fitoj La Ligën, pasi asnjë trajner apo lojtar nuk ka arritur ta fitojë kampionatin anglez, italian dhe spanjoll. Do të më pëlqente të isha i pari që e realizon këtë gjë, madje edhe i pari që arrin të triumfojë në Champions me tri skuadra të ndryshme. Gjithashtu dëshiroj të shndërroj një lojtar të ekipeve zinxhir, në një yll”. Ai ka folur edhe për merkaton, ku dëshiron të afrojë Maikon te Reali, ndërsa Militon dhe De Rosin i cilëson të paarritshëm.
Por, pengesa kryesore që duhet kapërcyer është kontrata që e lidh trajnerin me Interin. Për prishjen e marrëveshjes, Masimo Morati pretendon përfitimin e 16 milionë eurove, parà të cilat trajneri nuk do t’i paguajë. Gjatë ditës së djeshme, menaxheri i tij, Horge Mendes, është takuar pa rezultat me drejtuesit zikaltër, ndërsa çështja mund të shkojë në dyert e gjykatave për të gjetur zgjidhje.
#