E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvarroset polici i masakruar në Qafë-Gjashtë

Autori i Lajmit: red.
Mjekësia Ligjore do të kryejë ekspertizën e eshtrave të ish-punonjësit e Policisë së Shtetit, Gjergj Mehmeti, i vrarë në masakrën e 4 marsit 1997 në Qafë-Gjashtë. Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda është zhvarrosur dje. Burime nga akuza bëjnë të ditur se është kërkuar që kufoma e punonjësit të policisë t u nënshtrohet disa analizave nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë, në kuadër të hetimeve që po kryhen mbi masakrën e Qafë-Gjashtës. Efektivi i Policisë së Vlorës, Gjergj Mehmeti, u ekzekutua me armë zjarri në një pritë të organizuar nga një grup personash të armatosur më 4 mars 1997, në zonën e Qafë-Gjashtës në Sarandë. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur edhe dy punonjës të tjerë policie.
Zhvarrimi
Mbasditen e djeshme familjarët, kolegët, përfaqësues të pushtetit vendor, banorë të zonës janë përkulur me nderim dhe respekt përpara kujtimit të efektivit të policisë, Gjergj Mehmeti, “Dëshmor i Atdheut”, i cili ra në krye të detyrës gjatë trazirave të vitit 1997. Oficeri i Policisë së Shtetit është zhvarosur nga varrezat publike të qytetit të Tepelenës ndërkohë që arkivoli me trupin e tij u vendos për homazhet e rastit në mjediset e Pallatit të Kulturës, Tepelenë. Kanë qenë të shumtë efektivat e policisë dhe qytetarët e Tepelenës, të cilët kanë bërë homazhe në kujtim dhe respekt të policit të vrarë në 1997-ën. Ditën e enjte në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë do të zhvillohet ceremonia e rivarrimit të efektivit të policisë, Mehmeti.
Të arrestuarit
Të dyshuar si autorë të masakrës së Qafë-Gjashtës janë vënë në pranga Eduart Çipa, vëllezërit Vladimir e Nestor Sinani, peshkatarë, Alqi Paguni dhe Edmond Sejko (Bubeqi). Nën hetim është dhe Leonard Theodhori, ndërsa një prej të kërkuarve është edhe Agron Qyrku, pasi tre emrat e tjerë nuk u bënë publikë për arsye të hetimit. Të dyshuarit janë vënë në pranga në operacionin e koduar “Marsi 1997”, i organizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Policia e Shtetit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, pas tre muaj hetimesh për ngjarjen makabre të Qafë-Gjashtës, ku vdiq një polic dhe u plagosën dy të tjerë, mes të cilëve ish-shefi i krimeve në Vlorë, Sokol Bizhga. Dosja e ngjarjes së 4 marsit 1997, e cilësuar si “pa autorë” deri pak kohë më parë, gjendej në Prokurorinë e Sarandës dhe disa herë hetimet kanë dështuar.

Të arrestuar
Vladimir Sinani (peshkatar)
Nestor Sinani (peshkatar)
Alqi Paguni
Edmond Sejko (Bubeqi)
Eduart Cipa
Në kërkim
Agron Qyrku
Nën hetim
Leonard Theodhori
Ky lajm është publikuar: 29/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›