Kush flet për krime?!
Berisha ose PD, apo PD ose Berisha janë të fundmit në këtë planet që mund të flasin për moral. Po nuk e kanë hallin te e ndjera vajzë që ishte në makinë me të ndjerin Hoxha këta mor jo! Këta janë të sëmurë për pushtet dhe kanë virusin e bolshevikëve që armikun e vet politik, e quajnë armik personal dhe e duan të vdekur. Berisha në gjykimin tim është një individ i sëmurë, dhe nuk e di se si do shkojnë punët me të dhe me ne…
Do doja të sillja në vëmendjen tuaj një pjesë të një shkrimi botuar në shtyp, të cilin po e citoj duke e mbështetur plotësisht në këtë argument:
“Të gjithë njohim edhe lidhje të tjera jashtëmartesore, të cilat, për shkak të profilit të lartë të kurorëshkelësit, janë ku e ku më spektakolare (nekrofili Berisha i njeh gjithashtu, dhe i mban këto sekrete për t‘i përdorur atëherë kur do t‘i lipsen), por, nën presionin e ndjeshmërive e komplekseve tona si shqiptarë, nuk kemi folur në asnjë rast. Janë aq të mëdha këto komplekse, sa masmedia ka kursyer edhe vetë Berishën, duke mos folur për "çudira" të këtij lloji, që atij i kanë ndodhur m’u brenda shtëpisë…
Duhet thënë pra se masmedia, edhe duke mos bërë punën e vet me korrektesë maksimale, në këtë rast, as ka bërë, as ka fshehur ndonjë krim. Të jesh i martuar e të kesh një të dashur nuk është ndonjë gjë për t’u mburrur; por nuk është krim, ama!
Krim është tjetër gjë; krim është të fshehësh vdekjen e familjarit, që punon në një fabrikë vdekjembjellëse; krim është të mohosh njohjen me baxhanakun, ngaqë vetëm kështu mund të lësh veten dorëjashtë në një plojë ku gjetën vdekjen dhjetëra vetë; krim është të përfshish gjithë familjen në afera të pafundme korruptive; krim është të përdorësh pushtetin për t’i mbuluar këto afera; krim është të bësh Gërdecin, e tri javë më pas të dalësh e të zgërdhihesh si psikopat nëpër sheshe e nëpër salla të mbushura me “dashnorë” të NATO-s; krim është të këmbëngulësh të mbash në punë një zyrtar që ndiqet penalisht për një krim; krim është të vjellësh kundër gazetarëve, ndërkohë që nuk ke thënë një fjalë kundër atyre që bënë masakrën e Gërdecit…”.