Zhvillime intensive diplomacie në Moskë, Kremlini refuzon planin e Zelensky-t, ndërsa shefi i CIA-s dhe i dërguari i Vatikanit mbërrijnë për bisedime

Kryeqyteti rus është kthyer në qendrën e një sërë lëvizjeve intensive diplomatike dhe me karakter inteligjence, me gjithë ngrirjen zyrtare të negociatave për luftën në Ukrainë.
Gjatë ditës së sotme, Kremlini hodhi poshtë zyrtarisht propozimin e fundit të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për zgjidhjen e konfliktit, i cili parashikonte krijimin e një zone të lirë ekonomike të menaxhuar nga vende të treta pas tërheqjes së trupave nga zonat e kontestuara. Zëdhënësi i Presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov, e deklaroi këtë mundësi si të papranueshme.
“Donbasi është një territor i Federatës Ruse dhe nuk ka gjasa që një vend i tretë të marrë përsipër administrimin e rajoneve të Federatës Ruse.” tha Dmitry Peskov, Zëdhënës i Kremlinit.
Zhvillimet kryesore diplomacie dhe të sigurisë
Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA), John Ratcliffe, mbërriti në Moskë në udhëtimin e tij të parë zyrtar në kryeqytetin rus. Avioni ushtarak amerikan me të cilin udhëtonte ai zbarkoi në aeroportin Vnukovo pas një ndalese në Riga, ndërsa autokollona e tij diplomatike u pa duke lëvizur nën përcjelljen e policisë ruse drejt Kremlinit. Përveç bisedimeve për Ukrainën, në fokus dyshohet të jenë edhe sanksionet e reja amerikane ndaj Iranit.
Ministri i Jashtëm i Selisë së Shenjtë, Kryepeshkopi Paul Richard Gallagher, zhvilloi një takim ballë për ballë me homologun e tij rus, Sergei Lavrov. Gallagher theksoi se konflikti “nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake” dhe se dëshiron të ndihmojë në ndërtimin e besimit përmes iniciativave humanitare si kthimi i fëmijëve dhe shkëmbimi i të burgosurve.
Peskov reagoi ashpër ndaj deklaratave të Presidentit francez Emmanuel Macron për stërvitjet e pritshme të një “Force Shumëkombëshe për Ukrainën”, duke nëvizuar se vendosja e çfarëdo kontingjenti ushtarak nga vendet e NATO-s është krejtësisht e papranueshme për Rusinë.
/rtsh.al/