E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhvillimet ne sistemin bankar deri ne mars

Tremujori i parë i këtij viti ka shënuar një rritje të aktiveve të sistemit bankar në vend. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Shqiptare e Bankave në periudhën janar-mars 2012, aktivet kanë arritur në 1,140 miliardë lekë apo 89% të PBB. Sipas këtyre të dhënave kjo rritje është e njëjtë me po këtë periudhë të vitit të kaluar, në nivelin e 1,8%. Po kështu edhe depozitat në fund të tremujorit të parë rezultojnë rreth 14 miliardë lekë më shumë se në fund të 2011-ës të mbështetura kryesisht nga rritja e depozitave të individëve. Këto depozita janë rritur me rreth 3 për qind përgjatë tremujorit duke ruajtur norma rritjeje vjetore të qëndrueshme, dhe njëkohësisht duke konfirmuar orientimin e individëve drejt kursimit. E kundërta ka ndodhur me depozitat e bizneseve të cilat kanë shënuar një rënie me gati 7,8% por duhet theksuar se në fund të muajit mars këto depozita janë paraqitur 2,7% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Përsa i përket kredive për sektorin privat është vërejtur një rritje me ritme të ngadalshme gjatë pjesës së parë të vitit në 13,3%. Ndërsa në muajin mars është shënuar pjesa më e madhe e rritjes së kredidhënies nga ana e bankave. Teprica totale e kredisë sipas raportit të SHSHB është rritur me 5,6 miliardë lekë gjatë tremujorit, e ndikuar nga rritja e kredisë për korporatat. Totali i kredisë së re të lëvruar gjatë tremujorit ishte rreth 63 miliardë lekë dhe rreth 8 për qind më e lartë se në të njëjtën periudhë një vit më pare. Sipas shoqatës së bankave ecuria jo e mirë e aktivitetit ekonomik gjatë tremujorit të parë ka ndikuar në shtimin e kredive me probleme. Por pavarësisht kësaj, treguesit e përfitueshmërisë të bankave individuale raportuar sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit, për pjesën më të madhe të bankave, paraqiten të qëndrueshëm dhe më të lartë se nivelet e të njëjtit tremujor një vit më parë. Gjithashtu në pjesën e parë të vitit, bankat kanë vijuar të shtojnë mbulimin me kapitale duke rritur raportin  e mjaftueshmërisë së kapitalit në 15.9 për qind në fund të marsit nga 15.6 për qind në fund të dhjetorit dhe 14.8 në të njëjtën periudhë një vit më parë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›