E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike, më pak para nga tatim-fitimi

Ministria e Financave

Biznesi, që nga viti 2009 vijon të lëkundet mes mbijetesës, duke mos pasur ndonjë përmirësim të dukshëm te të ardhurat e xhiruara prej tij. Këtë situatë të paktën reflektojnë shifrat fiskale të viteve të fundit për 4-mujorin janar-prill. Tatim-fitimi, që është edhe treguesi kryesor për ecurinë e aktivitetit ekonomik të sipërmarrjeve, ka shënuar vit pas viti vlera të ulëta arkëtimesh. Mjafton të shohim arkëtimet e vitit 2012, të cilat rezultojnë të jenë sa 94 për qind e arkëtimeve të bëra për të njëjtën periudhë 4-mujore në zërin tatim-fitim në vitin 2009. Në vlerë, në vitin 2009, në arkën e shtetit, nga fitimi i kompanive në katër muajt e parë të vitit shkuan 67 milionë dollarë, ndërsa për vitin 2012 janë arkëtuar vetëm 63 milionë dollarë. Por, ndryshimi mes dy viteve të sipërcituara nuk qëndron vetëm te pjesa e arkëtimit të të ardhurave, por edhe te shpenzimet. Për këtë zë, në fakt, duhet të marrim parasysh edhe faktorin vit elektoral, që i bashkëngjitet vitit 2009, ku rrjedhimisht investimet publike janë ato që kanë përfituar më shumë. Të dhënat e katër viteve të fundit tregojnë se në vitin 2009 qeveria investoi në rrugë e vepra publike 314 milionë dollarë në vetëm 4 muaj, kurse për këtë vit qeveria ka shpenzuar vetëm 176 milionë dollarë, pra vetëm 56 për qind të vlerës së katër viteve më parë.
Në të kundërt kanë ecur ndërkohë shpenzimet operative. Qeveria ka preferuar që investimin real në vitin 2012 ta bëjë nëpër zyra, duke e rritur këtë zë me 162 për qind, krahasuar me katër muajt e parë të vitit 2009. Në vlerë, shpenzimet operative të qeverisë për janar-prill 2012, janë 129 milionë dollarë, kurse në vitin 2009 këto shpenzime ishin 79 milionë dollarë. Po kështu, rritje ka pasur edhe zëri i pagave në buxhet. Në vitin 2009, qeveria shpenzoi për 4-mujorin e parë 160 milionë dollarë, ndërsa për të njëjtën periudhë të këtij viti ka shpenzuar 193 milionë dollarë. Treguesit fiskalë të 4-mujorit të këtij viti, të publikuara nga Ministria e Financave, detajojnë se në arkën e shtetit kanë shkuar si të ardhura 106 miliardë lekë, me një rritje me vetëm 2.5 miliardë lekë, krahasuar me një vit më parë. Në anën tjetër, shpenzimet për këtë 4-mujor kanë kapur vlerën 117 miliardë lekë. Qeveria ka zgjedhur të kursejë krahasuar me një vit më parë, kur për të njëjtën periudhë shpenzimet ishin 1.8 miliardë lekë më shumë. Deficiti për katër muajt e 2012-s ka shënuar nivelin 11.4 miliardë lekë.

2009-2012
4-mujori

Shpenzimet operative
2009 79 milionë USD
2012 129 milionë USD

Shpenzime kapitale
2009 314 milionë USD
2012 176 milionë USD

Shpenzimet për paga
2009 160 milionë USD
2012 193 milionë USD

Shpenzimet për interesa
2009 107 milionë USD
2012 114 milionë USD

Të ardhurat tatimore
2009 887 milionë USD
2012 975 milionë USD

Tatimfitimi
2009 67 milionë USD
2012 63 milionë USD

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›